TIRANË- Fëmijët e kryeministrit të vendit, Argita dhe Shkëlzen Berisha kanë reaguar sërish sot ndaj akuzave të Partisë Socialiste në lidhje me pasurinë. Fëmijët e kryeministrit Berisha akuzojnë kreun e opozitës Edi Rama se po vijon me shpifje nda tyre, teksa cdo e ardhur e tyre është falë punës dhe e deklaruar. 

Argita dhe Shkëlzen Berisha i bëjnë thirrje Ramës që të lejojë Taulant Ballën që të paraqitet në gjyq, ku ata e kanë paditur për shpifje. 

“Në ndryshim nga bashkëshortja jote z Rama cdo qindarkë të fituar e kemi të xhiruar në rrugë bankare dhe të tatuar nga organet tatimore dhe të deklaruar në ILDKP, por problemi i juaj z Rama është se ju njihni vetëm institucionin e shpifjes. Pyetjeve që ju na drejtoni, i jemi përgjigjur në mënyrë konstante prej 7 vjetësh aty ku na e kërkon ligji, në ILDKP dhe është po ky institucion që pasi ka verifikuar burimet e fitimeve tona ka lëshuar një deklaratë publike që certifikon korrektesine e tyre në raport me ligjin dhe konfliktin e interesit. Për të gjitha shpifjet, zëdhënësi yt i paguar pengohet nga ti për tu paraqitur para trupit gjykues”, thuhet në deklaratën për media të fëmijëve të Berishës. 

Fëmijët e kryeministrit i rikujtojnë edhe një herë më shumë kreut të socialistëve që të hedhë dritë mbi pasurinë e tij, ndërkohë që duke përmendur shifrën prej 100.000 milion lekësh të derdhur sipas tyre në llogarinë bankare të bashkëshortes së Ramës, Linda Rama, ato kërkojnë transparencë për personin që u ka dhuruar sipas tyre “një thes me para”. 

“Së fundmi z. Rama po përsërisim për ju një pyetje që as ju dhe as bashkëshortja juaj nuk i jeni përgjigjur as në deklarimin tuaj në ILDKP dhe as për publikun. Kush është bujari që i ka dhuruar bashkëshortes tuaj 100 milione lekë pa interes ?? Si ka mundesi që këto para janë dhënë në dorë z. Rama dhe jo ne rruge bankare. Ku i mbani ju dhe bashkëshortja juaj keto para z. Rama përderisa ato nuk figurojnë në llogaritë tuaja bankare”, përfundon deklarata e Argita Malltezi dhe Shkelzen Berisha.