TIRANE – PDIU-ja reagoi pas publikimit të programit qeverisës të partisë SYRIZA në Greqi, duke theksuar se çështja çame nuk ekziston siç e kupton SYRIZA – si çështje pronash, por si çështje drejtësie europiane, siç paraqitet në rezolutën e dorëzuar nga PDIU në Parlamentin shqiptar. 

“Në lidhje me çështjen çame SYRIZA thotë se nuk duhet të pranohen dhe të konsiderohen si absurde pretendimet pronësore të këtij komuniteti që, sipas tyre, paskësh bashkëpunuar me pushtuesit dhe u largua vetë nga Greqia në fund të Luftës së Dytë Botërore. Po ashtu kjo parti në programin e vet qeverisës, në lidhje me Shqipërinë, ka pozicione më ekstremiste se partitë qeverisëse, dhe në linjë me ekstremizmin antiperëndimor grek, duke na afirmuar përbërësen antiperëndimore të shoqërisë greke, qoftë djathtas me "Agimin e Artë", qoftë majtas me SYRIZËN”,- thuhet në deklaratën e PDIU-së. 

Sipas PDIU-së, me përfshirjen në programin e vet të çështjes çame, kjo parti e skenës politike greke, afirmon me forcë se çështja çame ekziston. PDIU dhe Shoqata Çamëria dënojnë deklaratat antihistorike të SYRIZA-s, sipas të cilës shqiptarët e Çamërisë kanë qenë bashkëpunëtorë të nazizmit. 

“Kjo është një dyfytyrësi e kësaj partie që pretendon se origjina e saj është nga EAM (fronti antifashist grek). Pikërisht në këtë front, që SYRIZA po deklaron se paskësh origjinën, kanë marrë pjesë edhe mijëra shqiptarë të Çamërisë, themelues dhe të inkuadruar në Batalionin IV “Ali Demi”. Këtë fakt historik SYRIZA e di shumë mirë, sikurse di që mijëra shqiptarë të tjerë të Çamërisë themeluan dhe u inkuadruan në Batalionin “Çamëria” të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare. Duke mbështetur nazistët e EDES që u turrën mbi një popullsi të pafajshme si shqiptarët e Çamërisë, SYRIZA e barazon veten me Agimin e Artë, teksa të dyja kanë për heronj Napoleon Zervën dhe bashkëtradhtarët e tij. Të jesh kundër fëmijëve, grave dhe pleqve të vrarë në genocid e të dëbuar nga vatrat e tyre amtare dhe të jesh kundër luftëtarëve antifashist, nuk të jep asnjë identitet kombëtar, përveçse të bën të jesh kundërshtar i ethët i të drejtave themelore të Njeriut. Megjithëse qeveritë greke bënë gjithçka që popullsia çame të hidhej në prehrin e fashizmit, duke internuar që pa filluar lufta mijëra burra në ishujt grekë, popullsia çame ishte faktor i rëndësishëm në dështimin e pushtimit grek nga Italia. Kjo është pohuar nga komunikimet e ambasadorit amerikan të kohës, apo dhe vetë deklarimet e udhëheqësve italianë të kohës si Konti Çiano të cilët u zhgënjyen nga mungesa e bashkëpunimit të popullsisë çame me ta. Me pushtuesit bashkëpunoi vetë Zerva, figura gjakatare e milicive të djathta greke, i cili pastaj bëri trimin me gratë, pleqtë dhe fëmijët e pambrojtur të popullsisë çame.”- vijon deklarata. 

“Këto qëndrime tregojnë panikun që ka kapur mbështetësit e Napoleon Zervës dhe faktin që çështja çame është më pranë zgjidhjes se kurrë më parë. PDIU dhe Shoqata “Çamëria” do të vazhdojnë punën e tyre deri në fund, duke nisur nga miratimi i rezolutës për zgjidhjen e çështjes çame në Kuvend. Këto fishekzjarre paraelektorale të tipit SYRIZA dhe "Agimi i Artë" nuk mund të na ndalojnë. Dhe më në fund një konsideratë e përgjithshme për qëndrimet e SYRIZËS ndaj Shqipërisë për kufirin detar, për zonat e minoritetit, etj. Është e provuar se në kushtet e krizave shoqërore dhe ekonomike, në vende të caktuara lindin alternativa nacionalsocialiste të tipit të Hitlerit. Por këto alternativa në vende si Greqia, mbeten të afirmohen sipas maksimës së njohur: historia përsëritet dy herë. Herën e parë, si tragjedi, dhe herën e dytë si komedi”,- përfundon deklarata e PDIU-së.