TIRANE – Deputeti Taulant Balla i është rikthyer kërkesave në emër të opozitës, për transparencë të pasurive të kryeministrit Sali Berisha dhe fëmijëve të tij.
Pavarësisht disa reagimeve të Shkëlzen dhe Argita Berishës, për deputetin Balla pyetjet e opozitës për transparencë të pasurive të tyre mbetet pa përgjigje.
“Dhe që të dy, edhe Argita edhe Shkëlzeni, në vend që të japin nga një pergjigje të thjeshtë duke treguar një për një burimet e të ardhurave të tyre përrallore, dalin përditë dhe shajnë mua apo Edi Ramën. Madje me libër shpie, tamam bëmë baba të të ngjaj! Por puna është se kështu jo vetëm nuk e zgjidhin problemin e tyre me opozitën, e cila kërkon hesap në emër të publikut se këtë detyrë ka, por e rëndojnë edhe më shumë pozicionin e vështirë ku janë. Pse moj zonja Argita nuk ia tregoni publikut kush janë universitetet shqiptare që të kanë paguar ty më shumë se te ishe në Harvard? Dilni zonjë e nderuar dhe tregojuani shqiptareve se si e realizoni ju një fitim vjetor 146 milionë lekë, vetëm me mësuesi, që me një llogari të thjeshtë kërkon 22 orë pune në çdo ditë të vitit”,- tha Balla.
Nga selia rozë deputeti Balla duke marrë shkak nga deklarimet e Argita dhe Shkëlzen Berishës i ka kërkuar atyre të ilustrojnë me fakte punimet shkencore dhe çfarë është përfituar prej tyre. Ndërsa për djalin e kryeministrit zotin Shkëlzën Berisha deputeti Balla kërkoi që ai të tregojë publikisht ndërmjetësimet që ka bërë për të marrë përqindje nga operacione biznesi mes palësh, që për publikun mbeten të paditura.
“E para, kush e ka paguar Argita Berishën për mësuesi me rrogat e honoraret që ajo pretendon, të cilat kalojnë imagjinatën e çdo mësuesi, pedagogu dhe shkencëtari në Shqipëri? E dyta, kush janë bizneset që kanë përfituar nga aftesitë profesionale të Shkëlzen Berishës si ndërmjetës apo shqip sekser, dhe që e kanë paguar për shërbimet e tij me shuma që kalojnë imagjinatën e çdo shqiptari që nuk ka vetë një biznes të madh? Dy pyetje që duan dy përgjigje dhe jo dy çarçafë plot baltë nga shtëpia e vajzës dhe djalit të Kryeministrit në adresë të opozitës”,- tha Balla.