TIRANE- Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ylli Manjani ka reaguar sot pas ftesës së kryesocialistit Rama për një koalicion të mundshëm në zgjedhjet e 13 qershorit. Sipas Manjanit, oferta e ardhur nga Twitter-i nuk është serioze.
“LSI nuk ka ende një qëndrim zyrtar për koalicionet, edhe pse mund të them që ne nuk kemi ndaluar koalicionin. Por oferta e bërë nga Rama nëpërmjet Twitterit nuk ishte serioze”,- ka komentuar Manjani.
Manjani, duke iu referuar idesë së Ramës se është i nevojshëm koalicioni për të luftuar Berishën e vjetër, tha se “në politikë nuk ka armiq”.
Sipas tij, koalicioni duhet të ngrihet me bazë vlerash. “Ne nuk jemi ushqim për PD dhe PS. Koalicioni në vitin 2009 me PD ishte i sforcuar, por solli stabilitet politik”,- nënvizoi ai.