Borxhi publik i vendit do të rritet në këto ditë të para të janarit me 27.4 miliardë lekë. Banka e Shqipërisë nëpërmjet një njoftimi ka bërë të ditur se borxhi publik do të rritet me 27.4 miliardë lekë. Kjo do të bëhët nëpërmejt shitjes së bonove të thesarit me afat maturimi 6 mujore dhe 1 vjeçare. 

Në këtë ankand, qeveria do t’u marrë borxh qytetarëve të saj një shumë prej 27.4 miliardë lekë. Ky është ankandi i parë i bonove të thesarit për këtë vit, ndërkohë që për vitin 2012, ankandi i fundit u zhvillua me datë 27 dhjetor. 

Heqja e kufirit të borxhit e lejon qeverinë që të rrisë detyrimet për të plotësuar nevojat e saj për financime. Në fund të vitit 2012, borxhi publik i vendit arriti në 61.2 për qind e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar, ndërkohë që këtë vit, sipas deklaratave të kryeministrit Berisha, ky tregues do të kapë 62.6 për qind.

Por, edhe ky nivel pritet të kapërcehet, pasi në të nuk parashikohen garancitë që qeveria do të japë për Korporatën Eleketro-Energjetike shqiptare, me qëllim sigurimin e kredive për importin e energjisë. Një tjetër faktor që rrit presionin mbi borxhin janë zgjedhjet parlamentare, ku pritet që shpenzimet për fushatë të rriten, ndërkohë që te realizimi i të ardhurave mbetet në pikëpyetje, bazuar në ecurinë e tyre në vitin e sapo mbyllur 2012 dhe intensifikimi e efekteve të krizës evropiane.