TIRANE- Drejtoria e Komunikimit e Partisë Socialiste ka reaguar sot pas deklaratave të Partisë Demokratike. Me anë të një deklarate PS shpreh keqardhje për atë që e cilësuan, rrënim të vazhdueshëm të foltores së PD. Sipas PS, kryeministri kohët e fundit është kapur pas rastit të Kosta Bajrabës, duke e cilësuar këtë veprim që e bëjnë njerëzit e dëshpëruar.
“I vetmi shteg që i ka mbetur kryeministrit në ikje është të përbaltë sa të mundet opozitën me shpifje e akuza të përditshme. Ekonomia rrënohet, kryeministri qëllon me baltë opozitën. Plagët sociale rëndohen, kryeministri qëllon me baltë opozitën. Korrupsioni shqyen përditë Shqipërinë, kryeministri përsëri qëllon me baltë opozitën. Provat dhe faktet e përditshme që opozita po publikon, duke filluar nga vetë të ardhurat marramendëse të familjes së kryeministrit, e kanë bërë edhe më të dëshpëruar reagimin e tij. Së fundi kryeministri është kapur pas rastit të Kosta Barjabës si i mbyturi pas fijes së barit. Njerëzit e dëshpëruar bëjnë veprime të dëshpëruara”, thuhet në deklaratë.
PS nënvizon se mes dy forcave politike ka ndryshim të madh: “PS në opozitë, ka reaguar menjëherë ndaj lajmit për gjestin e papranueshëm të cenimit nga ana e Kosta Barjabës të një pasurie private prej 238 dollarësh, duke deklaruar ndërprerjen e bashkëpunimit me të. Ndërsa PD në pushtet, është bërë streha mbrojtëse e një ujqërie politike që mban përgjegjësi për cenimin e një pasurie kombëtare e publike në rendin e miliarda eurove. Dhe vetë kryeministri që nuk provon dot para publikut as pastërtinë e burimeve të fitimit vjetor përrallor të familjes së tij, është bërë si hajduti biblik Baraba në krye të qeverisë. Më kot Barabai kryeministër ëndërron të shpëtojë përmes kryqëzimit të opozitës, duke munduar ta qorrojë popullin me baltën e shpifjeve e të akuzave ndaj nesh”, sqaron PS.