TIRANE- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama hedh idenë për zhvillimin e konferencës së parë për shtyp të këtij viti në rrjetin social “Twitter”. 

Në profilin e tij në Twitter, kryesocialisti kërkon nga ndjekësit e tij të japin mendimet e tyre rreth kësaj ideje, reagimet dhe pyetjet që mund të kenë, për të vendosur më pas për zhvillimin e konferencës. 
 

“Ide: A e bëjmë në Twitter konferencën e parë të shtypit për këtë vit, me pyetje nga të gjithë ju? Pres reagimet/pyetjet tuaja për ta vendosur”- shkruan Rama në profilin e tij. 

 

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ishte ndër të parët politikanë në Shqipëri që nisi të komunikojë me qytetarët me anë të rrjeteve sociale. Suksesi i tij në këtë medium solli një varg ndryshimesh. Politikanë të tjerë, jo vetëm u bënë pjesë e rrjeteve sociale, por nisën të përdorin këtë hapësirë si medie duke iu larguar medieve konvencionale.

Por tashmë Rama duket se do ta çojë në një tjetër dimension komunikimin e tij në Twitter. Ai ka hedhur idenë e realizimi të një konference për shtyp nëpërmjet këtij rrjeti social, ku të gjithë të kenë mundësi të drejtojnë pyetje. Pavarësisht se kjo nuk do të thotë se të gjithë do të marrin një përgjigje.

Por ndërtimi i profileve në mediet sociale nga ana e secilit politikan, çfarë po sjellë? A po komunikon secili prej tyre me “botën e tyre”? Në një shkrim me titull: “Nga çfarë duhet të ruhen mediet sociale?”, doktori i shkencave të komunikimit, Artan Fuga, shprehet se mediet sociale kanë kufizimet e tyre të cilat mund të kthehen në gracka.

“Politikanët që kanë ndërtuar mediet e tyre sociale kanë bërë shumë mirë, por vetëm nëse nuk bien në iluzionin që krijon fakti se atje ata ose nuk do të kontaktojnë veçse miqtë e tyre, pra do të riprodhojnë veten në pasqyrë, ose armiqtë e tyre, pra ata që do t'i paraqesin sikurse ata nuk janë, pra do t'iu krijojnë iluzionin se kritikat ndaj tyre janë sharje pa vlerë”, shprehet Fuga.

Profesori u këshillon atyre se, “do të binin nga shiu në breshër duke ikur nga mediet konvencionale për të shkuar te mediet virtuale sociale. Përdorimi i medieve të reja me mendësitë e propagandës në mediet klasike, konvencionale, masive, është sa i dëmshëm aq edhe i rrezikshëm. Prej këtyre pesë rreziqeve duhet mbrojtur komunikimi në mediet sociale nëse nuk dëshiron që në vend të jetë një mjet i fuqishëm aksioni social, të bëhet mjet evazioni në një botë të Pipi Corapegjatës, pra në një vend përrallash, larg realitetit”.