TIRANË- Partia Socialiste akuzoi sot Kolegjin Zgjedhor se me vendimin e djeshëm për zonat e administrimit zgjedhor u përpoq të merrte një kompetencë të cilën e ka Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Në një deklaratë për mediat, përfaqësuesi ligjor i PS-së, Damian Gjiknuri akuzoi kryeministrin Berisha se po tenton të kthejë Kolegjin Zgjedhor në një KQZ në kontroll të mazhorancës me qëllim vjedhjen e votave.
“Ndarja e zonave të administrimit zgjedhor është cështje që i takon KQZ dhe nuk ishte cështje që i takonte Kolegjit Zhgjedhor, ishte PD që kërkoi shtyerjen e vendimit përtej cdo afati. Natyra e vendimit të Kolegjit krijon precedentë të rrezikshëm për palët. Pasi me vendimi e djeshëm po tentohen te hidhen ne erë të gjitha vendimet kolegjiale për garantimi e zgjedhjeve. Kolegji Zgjedhor po vë në rrezik të gjitha standardet që politika ka arritur me konsensus. Ai po vijon praktikën e kolegjit të mëparshëm vendimet e të cilit u kritikuan nga ODIHR. PS do të vijojë të këmbëngulë në zbatimin e rregullave për nevojën e vendimmarrjes kolegjiale në KQZ. Sali Berisha i zënë nga paniku i humbjes së zgjedhjeve po vë në lojë cdo shantazh politik”, deklaroi Gjiknuri.
Kolegji Zgjedhor vendosi dje që numri i Zonave të administrimit zgjedhor, të cilit i korrespondojnë edhe qendrat e numërimit të votave për zgjedhjet e 23 qershorit të jetë 89, nga 66 që kanë qenë më parë. Kolegji pranoi variantin e propozuar nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, i cili nuk kishte mundur të merte një vendim duke qenë se nevojitej mbështetja nga 5 prej 7 anëtarëve të tij. Socialistët e cilësuan si një shkelje të rëndë vendimin e Kolegjit pasi sipas tyre ai nuk mund të merrte një kompetencë të cilën e ka Komisioni Qëndror. Ndërsa për demokratët të cilët kishin kërkuar 100 zona të administrimit zgjedhor, vendimi ishte një leksion ndaj kujtdo që kërkon bllokimin e procesit.