TIRANE- Zyra e Avokatit të Popullit ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar me aktin normativ, i cili parashikon kthimin e pronave ish-pronarëve. Duke e cilësuar në papajtueshmëri me Kushtetutën, Avokati i Popullit paralajmëron se ka nisur hetimet, ndërkohë i bën thirrje institucioneve përkatëse shtetërore që të gjejnë një zgjidhje për të pastrehët.
“Në këtë akt normativ kishte elementë që kishin në diskutim pajtueshmërinë e këtij akti me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Rezulton që ka zgjidhur faktikisht vetëm emergjencën e ish-pronarëve. Numërohen rreth 50-60 ankesa individuale apo edhe peticione që na kanë ardhur nga individë të cilët janë në kushtet e qiramarrësve në banesat e ish-pronarëve.
Janë me dhjetëra persona që kanë ardhur dhe kanë shfaqur këtë shqetësim, pasi banka i prapëson për shkak të mos përmbushjes së kritereve që parashikohen në ligj apo edhe aktet nënligjore që kanë dalë për këtë qëllim. Nga ana tjetër ka një sërë familjesh që po në këto kushte kanë kërkuar banesa sociale nga Bashkitë përkatëse.
Sot e kësaj dite jo vetëm nuk janë trajtuar, por nuk kanë marrë përgjigje nga këto Bashki. Kërkojmë që të gjitha institucionet e tjera përgjegjëse të tregohen bashkëpunues në zgjidhjen e këtij problemi që është një problem i prehtë”,- deklaroi përfaqësuesi i Avokatit të Popullit.
Akti normativ i qeverisë, i miratuar në parlament në muajin shtator te viti 2012, parashikon lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat, ish-pronë e subjekteve të shpronësuara. Ky dokument përcakton lirimin e pronës, ish pronarëve të ligjshëm, si një e drejtë themelore dhe e patjetërsueshme e njeriut.