Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka uruar bashkombasit e tij me rastin e Vitit të Ri. Në mesazhin e urimit të publikuar në faqen zyrtare të Presidencës, Nishani uron të gjithë shqiptarët shëndet, punë, mirëqenie, kthjelltësi, paqe dhe fat.
“Të dashur bashkëkombas,
Ju përshëndes kudo ku ndodheni, brenda ose jashtë, afër ose larg Shqipërisë, pranë ose jo vatrave familjare dhe të dashurve.
Festa e ndërrimit të viteve ka një veçanti. Më tepër se çdo festë tjetër, për vetë karakterin e saj, si një tundim të cilit nuk i qëndron dot, kjo festë të fut në mendime për kohën, për rrjedhën e kohës, për të kaluarën, të tashmen, të ardhmen, si ishim, si jemi, si do të jemi.
Viti që kaloi ishte një vit plot ngjarje. Të vogla dhe të mëdha. Të mira dhe të këqia, të ëmbla dhe të hidhura. Me dështime, ngecje, mbarësi, dëshpërim, shpresë.
Në këtë ditë feste do të desha t’ju uroj të gjithëve një nga një, por kjo nuk është e mundur. Atëherë lejomëni të dashur, të respektuar e të nderuar bashkatdhetarë e bashkëkombas, të përshëndes dhe uroj së pari të sëmurët, sidomos të sëmurët e moshuar, të pandihmët, të pastrehët, të vetmuarit, të cilëve u uroj me gjithë shpirt përkujdesje njerëzore, shoqërore dhe shëndetësore!
Uroj gjithashtu me gjithë zemër për një sistemim sa më të shpejtë, ata që aftësi kanë, shkollë, dëshirë dhe vullnet kanë, por ende nuk kanë një punë!
Uroj ata dhe ato që gjatë vitit që kaloi punë patën dhe punuan, u lodhën, por patën edhe shumë vështirësi, të cilat nuk i zgjidhën dot, si dhe ata që u goditën nga fatkeqësitë e çdo lloji dhe u dëmtuan materialisht nga rrethana të pafavorshme që nuk vareshin prej tyre!
Përshëndes dhe uroj së largëti emigrantët, studentët, të cilët nuk mundën të ndodhen pranë të afërmve!
Uroj posaçërisht paqeruajtësit shqiptarë, kudo ku ndodhen! U uroj atyre kryerje me rigorozitet të detyrës dhe kthim të shpejtë!
Uroj parlamentarët, qeveritarët, partitë politike, nëpunësit, veçanërisht ata që merren me drejtësinë, sindikatat, personelin shëndetësor, njerëzit me uniformë!
Një urim nga ana ime për të gjithë nxënësit, studentët, akademikët, shkencëtarët, intelektualët në përgjithësi, të cilëve u uroj më tepër pjesëmarrje!
Uroj veçanërisht artistët dhe i lus të mos thonë më: “ne krijuesit…” se krijues nuk ka shumë, Krijues ka vetëm Një!
Uroj prindërit! Uroj fëmijët dhe të rinjtë, bashkëkombasit e mi të dashur e të shtrenjtë!
Kemi bërë goxha rrugë.
Ishim një burg i madh i rrethuar me tela, brenda të cilit hanim me racione dhe duhej të lëviznim me pasaportë me vete.
Tani kemi rrugë, autostrada, makina, banka, supermarket. Punojmë, udhëtojmë, ndërtojmë, fitojmë, shpenzojmë, konsumojmë.
Kemi dy shtete në Ballkan.
Kemi rritur ndikimin në rajon dhe më gjerë.
Kemi përballur dhe po përballojmë kriza, prej të cilave nuk mund të mos prekemi, pasi jetojmë në marrëdhënie me botën.
Se për pak harrova, disa urime të tjera për vitin që po troket.
Uroj autostradat, të jenë plot me kamionë,
Qiellin, plot me avionë,
Detin, të jetë plot me anije,
Rrugët, plot me makina,
Rrugicat, plot me përqafime pranë pragjeve dhe portave,
Hambarët, të jenë plot drithë,
Zemrat, plot me rrahje,
Shpirtrat, plot me dashuri.
Për secilin prej jush, për të dashurit tuaj, për familjet tuaja, për të gjithë ju: Shëndet, punë, mirëqenie, kthjelltësi, paqe dhe fat. Gëzuar!” thuhet në mesazhin e urimit të Presidentit.