TIRANE – Shkëlzen Berisha ka reaguar pas akuzave të sotme të deputetit socialist Taulant Ballës. Djali i kryeministrit Berisha ka hedhur poshtë deklaratat e Ballës, të cilat i ka cilësuar si mashtrime dhe të thëna nga një shërbëtor i Edi Ramës. Ai ka deklaruar se gjithçka do të bëhet transparente nga një padi gjyqësore që do të depozitohet së shpejti në gjykatë.
“Përsëri sot Edi Rama i shërbyer nga Taulant Balla nxori në tregun e mediave mashtrimin e radhës për publikun duke deklaruar se unë jam konsulenti i njërës prej kompanive që kanë marrë pjesë në tenderin e hidrocentraleve dhe pikërisht asaj që ka fituar tenderin. I bëj me dije opinionit se kjo është fund e krye një shpifje e ulët dhe se unë nuk kam dhënë kurrë dhe në asnjë rast konsulence apo asistence juridike për kompani që marrin pjese në prokurime apo gara publike! Ndaj kësaj shpifje do të depozitohet padi në gjykatë!”,- ka thënë Shkëlzen Berisha.
Më tej djali i kryeministrit theksoi se çdo detyrim ligjor në emër të transparencës e ka bërë në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit të Pasurive.
“Këto ditë ILDKP, institucion i pavarur, i dha përgjigje publike shpifësve Rama – Balla duke çertifikuar pas kontrollit, korrektësinë dhe mungesën e konfliktit të interesit në aktivitetin tim privat. Përveç kësaj unë kam çelur padi gjyqësore duke i mundësuar z.Rama dhe shpifësit të tij të paguar të provojnë mashtrimet e tyre para institucioneve të drejtësisë”,- ka thënë Shkëlzen Berisha.