DURRES – Arsela Vladi, 7 vjeçarja durrsake që u nda nga jeta pasditen e së enjtes ishte nxënëse në shkollën e muzikës “Jan Kukuzeli”. Ajo studionte për violinë. Vegla muzikore qëndron e heshtur në shtëpinë e të miturës që u nda papritmas nga jeta, për shkak të sëmundjes së diabetit. Me lot në sy dhe të këputur nga dhimbja, dy prindërit e saj Alma dhe Iliri vajtojnë fatin e trishtë të vajzës së tyre dhe neglizhencën e mjekëve për ta trajtuar me prioritet rastin e 7-vjeçares. E ëma e Arselës tregon për Durrëslajm.com gjithë kalvarin e saj 4 ditor sa në poliklinikë dhe në spital dhe drejton gishtin nga mjekët që me vonesat në bërjen e analizave të miturës e çuan atë drejt vdekjes. Ndërkohë i ati i vogëlushes, Iliri, ndërsa përpiqet të mbledhë veten nga dhimbja e madhe që e ka pushtuar kujton se i ka mbetur peng që nuk i ndenji vajzës tek koka, kur u shtrua në spital, pasi ishte duke punuar për të siguruar të ardhura për familjen. “Këta nuk e duan Shqipërinë e nuk e duan popullin”,-  tha Iliri, i cili nënvizoi se nuk do ta denoncojë në polici rastin, por kërkon që e gjithë shoqëria të sensibilizohet ndaj korrupsionit në spitale dhe neglizhencës së mjekëve.  

Ndërsa prindërit ulin kokën nën peshën e lotëve dhe dhimbjes motra dhe vëllai i Arselës e kërkojnë atë nëpër shtëpi, pasi fëmijët 9 dhe 4 vjeç ende nuk e dinë se nuk do kenë mundësi ta shohin dhe përqafojnë motrën e tyre të dashur. 

Zonja Alma, na tregoni ju lutem si rrodhi ngjarja dhe kur e kuptuat se Arsela ishte e sëmurë?

Vajza kishte disa ditë që ishte dobësuar. Ditën e hënë në mëngjes së bashku me Arselën shkova tek mjeku i lagjes dhe i kërkova ta vizitonte, vajzën, se doja ta çoja në poliklinikë për t’i kryer analizat. Ai po vizitonte një të moshuar dhe më la deri sa më erdhi radha. Më pas me rekomandimin e tij shkova në poliklinikë, po atje nuk mund t’i bëja dot analizat sepse kishte kaluar orari. Ora e kishte kaluar 12.00 dhe kështu atë ditë u ktheva në shtëpi, sepse nuk bëja dot gjë. U thashë atyre të laboratorit që do të vija të mërkurën ose të enjten, sepse të martën ishin Krishtlindjet dhe laboratori ishte pushim. Para se të shkoja në shtëpi kalova dhe njëherë nga mjeku i lagjes i cili më dha dy qetësues. Nuk më tha merre vajzën dhe çoje në spital në Durrës. Po të më thoshte do ta dërgoja në spital ta shtroja. Të martën vajza më volli disa herë në shtëpi. U bë shumë keq. Burri ishte në punë. Në orën 22 të natës mora vajzën dhe me ndihmën e komshiut e dërguam tek pediatria e Durrësit. Shkuam në spital rreth orës 22.00, por mjeku që e vizitoi nuk e kuptoi se vajza ishte me diabet. I bëri vetëm serum, nuk i bëri analiza. Më tha vetëm që do ta shtrojmë. Vajza volli edhe dy herë dhe kishtë shumë dhimbje koke.

Po më pas çfarë ndodhi?

Të mërkurën takova doktoreshë Irmën dhe i thashë hajde më shiko vajzën. Irma mori edhe shefen e pavionit dhe bënë konsultë. Na tha që t’i bënim analizat urgjent. Aty doli që vajza kishte diabet, ndërsa mjekët se kishin kuptuar fare. Gjithsesi për vajzën ishte shumë vonë.

Pse e thoni këtë gjë?

Mjekët e Durrësit që nuk i bënë analizat atëherë kur un bashkë me vajzën shkuam në poliklinikë. Unë shkova që të hënën, ndërkohë që analizat ia bënë vetëm të mërkurën. Unë po të kisha para nuk shkoja në poliklinikë shkoja tek privati.

Sipas jush cilët janë fajtorët për vdekjen e vajzës suaj?

Fajin e kanë ata të poliklinikës dhe mjekët e pediatrisë.  Në poliklinikë ata talleshin, në vend që të më bënin analizat, më thoshin që i kemi aparaturat të lagura. Unë e pashë që aty po bënin analiza të tjerë, por vajzës sime nuk ia bënë. Po të më kishin kërkuar lekë do t’ua jepja. Unë me vajzën përdore isha aty, po të kishin dashur ia kishin bërë analizat. Nga ana tjetër edhe mjekët e spitalit nuk ia bënë analizat që në orën 22.00 kur e çova në gjendje shumë të rëndë. Po t’ia kishin bërë në moment do e kishin kuptuar që vajza ishte me diabet.

As ata nuk ja bënë analizat, që kur e shtruan të martën në mbrëmje në orën 22 kur e cova me urgjencë të madhe. Shefja e pavionit të Pediatrisë erdhi të mërkurën në orën 10 për të vizituar vajzën time. Pse nuk erdhi që në orën 08.00, atëherë kur duhet t’i shohë kartelat? Ishte vonë kur erdhi, ishte vonë kur e konstatoi. Ishte me 12 orë vonesë, që nga koha kur unë e kisha shtruar me urgjencë në spital. Na nisën menjëherë në Tiranë dhe jemi vonuar për të shkuar 2 orë e më shumë, se nuk i hapën rrugën ambulancës. Kur shkuam në Tiranë vajza ishte në gjendje të rëndë fare.

A do ta ndiqni më tej këtë çështje?  

Fajin nuk e mban asnjë për momentin. Si shqiptarë na mbyt korrupsioni dhe nuk gjendet drejtësia. Unë apeloj që ato mjekë që janë të korruptuar të largohen nga shërbimi.