TIRANË – Menjëherë pas bashkëbisedimit me gazetarët për bilancin e fundvitit të Edi Ramës, kryeministri Sali Berisha ka bërë dhe ai një rezyme të punës së kabinetit qeveritar përgjatë një viti. Berisha, ndryshe nga Rama që u drejtua vetëm verbalisht, i është referuar të dhënave që shfaqeshin në një vido-projektor. Kryeministri renditi arritjet e qeverisë së tij në fusha dhe sektorë të ndryshëm të zhvillimeve në vend e sipas tij Shqipëria është shndërruar sot në një vend të zhvilluar vetëm falë përpjekjeve të qeverisë për të zbatuar me vendosmëri eksperiencat më të avancuara.

Sipas kreut të qeverisë, 7 vite më parë  vendi ishte i kapur nga krimi, por me një punë të madhe të të gjitha organeve për zbatueshmërinë e ligjit u arritën të shkatërrohen 204 grupe kriminale, duke e shndërruar Shqipërinë në një ndër vendet më të sigurta në rajon e më gjerë.

Duke u ndalur tek papunësia, e cila sipas opozitës është ulur këmbëkryq në shoqërinë shqiptare Berisha tha se “është e njohur tashmë botërisht se Shqipëria është i vetmi vend në rajon, që ka pasur ulje të papunësisë, fale reformave të qeverisë. Shqipëria ka ruajtur një rritje konstante ekonomike edhe në kushtet e krizës”.