SHBA – Shkurtimet automatike të buxhetit në Shtetet e Bashkuara që mund të hyjnë në fuqi në janar, në se nuk ka një marrëveshje deri atëhere, mund të kenë një ndikim të madh në gjendjen ekonomike të qyteteve në mbarë vendin. Bashkitë druhen nga rritjet automatike të taksave dhe shkurtimi i shpenzimeve që mund të fillojnë më 1 janar, po ashtu sikurse masat e tjera për të cilat Washingtoni po debaton për të menjanuar atë që po quhet “greminë fiskale”.
Shumë qytete amerikane po përpiqen ta marrin veten nga kriza e vitit 2008 dhe rënia ekonomike. Amerikanët e shohin me nervozizëm Washingtonin, ku presidenti dhe ligjvënësit nuk kanë qënë në gjendje të bien dakord lidhur me mënyrat për trajtimin e borxhit kombëtar.
Kërcënimi i rritjes së taksave për këdo dhe shkurtimet e thella të shpenzimeve federale nuk kanë nxitur ende veprime në Uashington. Ligjvënësit nga të dy krahët e pranojnë se bisedimet për borxhet kanë ngecur.
Uashingtoni nuk ka qënë gjithmonë i paralizuar politikisht. Në vitet 90-të ish presidenti demokrat Bill Clinton punoi me republikanët në Kongres për të balancuar buxhetin federal. Një dekadë më herët, ish presidenti republikan Ronald Reagan bashkëpunoi me demokratët në Kongres për reforminin e Sigurimeve Sociale, që ofron të ardhura për pensionistët.