WASHINGTON – Një prej sfidave më të mëdha me të cilat presidenti amerikan, Barack Obama, do të përballet në mandatin e tij të dytë është ndalimi i avancimit të teknologjive bërthamore të Iranit. Derisa një Iran bërthamor do të dëmtonte pozitën strategjike të Amerikës në Lindjen e Mesme, veprimet që synojnë parandalimin e progresit bërthamor të Iranit bartin me vete po ashtu edhe shumë pasoja serioze strategjike dhe ekonomike.
I pajisur me armë bërthamore, Irani do të jetë më në gjendje të projektojë ndikimin, të frikësojë fqinjët dhe të mbrojë vetveten. Si një rezultat i kësaj, aleatëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon do t’u nevojiten garanci të reja sigurie. Mirëpo prezenca e shtuar amerikane mund të provokojë grupet radikale, ndërsa resurset e mbrojtjes janë të nevojshme për të mbrojtur interesat amerikane në Azinë Lindore dhe atë Juglindore.
Disa nga kritikët konservatorë të Obamas besojnë se ai do ta lejojë Iranin që të zhvillojë një program të avancuar bërthamor, mirëpo që në të vërtetë nuk është në gjendje të krijojë një bombë. Mirëpo asnjë president amerikan nuk do të dëshironte që trashëgimia e tij të përfshijë lejen dhënë një regjimi jomiqësor për të siguruar një armë të tillë të rrezikshme – edhe nëse me ta bërë një gjë të tillë nënkupton shmangien e një kostoje edhe më të madhe strategjike.
Në të vërtetë, Obama vazhdimisht ka pohuar se do të ndalojë Iranin që të zhvillojë kapacitetin e armatimit bërthamor, e jo t’i lejojë vendit të drejtën e zhvillimit të programit të vet bërthamor dhe më pas të nisë tmerrimin, siç ka ndodhur edhe me fuqitë e tjera bërthamore.
Mirëpo një retorikë e tillë e ashpër mund t’i krijojë një dilemë Obamas.
Në rast se Irani e vazhdon shtegun e vet drejt armëve bërthamore, lufta po aq do të bëhej e pashmangshme, qoftë ajo e nisur nga Izraeli apo nga SHBA-ja, apo e provuar nga politikat e jashtme të gabuara të Iranit. Edhe pse kostoja e një strategjie kontrollimi do të ishte e madhe, kostoja e zhvillimit të një lufte do të ishte edhe më e lartë.
Irani është kërcënuar që të bllokojë Ngushticën e Hormuzit – nëpërmjet të cilit kalon 20 për qind e naftës së tregtuar ndërkombëtarisht të botës – në rast se sulmohet. Derisa do ta ketë të vështirë ta mbajë të bllokuar atë për një kohë të gjatë, nëse fare ia del ta bëjë një gjë të tillë, Irani mund lehtësisht ta bëjë të pasigurt kalimin me sulmet nga anijet e vogla, minat detare dhe raketat e hedhura nga malet përreth.
Për më tepër, Irani sipas të gjitha gjasave do të sulmojë naftësjellësit në Gadishullin Arab, të cilat përndryshe do të lejonin kalimin e naftës nëpër Ngushticë. Edhe disa lokacione strategjike të kalimit të naftës janë brenda rrezes së veprimit të raketave dhe forcave speciale iraniane, përfshirë lokacionin saudit të naftës në Abqaiq, i cili prodhon shtatë milion barelë në ditë.
Një përgjigje e tillë do të shkaktonte menjëherë rritjen e çmimeve të naftës – mbase deri në 200 dollarë për barel brenda një kohe të shkurtër. Një konflikt i mbrojtur do të nënkuptonte çmime të qëndrueshme prej afërsisht 150 dollarësh për barel.
Duke e pasur parasysh faktin se amerikanët konsumojnë përafërsisht 18.5 milionë barel naftë në ditë, një rritje prej 8 dollarësh në çmim të naftës për barel do ta dobësonte për 1 miliard dollarë në javë ekonominë amerikane, me të rrezikuar rimëkëmbjen edhe ashtu të brishtë të saj. Amerika tashmë ka financuar dy luftëra me kredi, duke i kontribuar deficitit fiskal. Një tjetër luftë do të eliminonte edhe atë pak shpresë se një stabilitet borxhi mund të arrihet pa shkurtime drastike – dhe të dëmshme – shpenzimesh (apo rritje taksash).
Çmimet në rritje të naftës do të kërcënonin po ashtu shtetet evropiane dhe ato të tjera importuese të naftës, përfshirë Kinën, Indinë, Japoninë dhe Korenë Jugore, duke e ulur kështu apo zmbrapsur rritjen e tyre ekonomike. Vetë ekonomia e Iranit, e cila varet dukshëm nga eksportet e naftës, do të pësojë po ashtu.
Konflikti sipas të gjitha gjasave do të zvarritet, duke e pasur parasysh se definicioni i fitores në këtë skenar është tejet ambicioz. A do të fitonte Amerika me shkatërrimin lokacioneve bërthamore të Iranit, edhe nëse rindërtimi do të fillonte menjëherë? Çfarë nëse Irani nxit trazira në fqinjësi, duke i rrezikuar regjimet aleate amerikane në rajon? A është e arritshme marrëveshja me liderit e Iranit, por ndryshimi i regjimit është i domosdoshëm për ta arritur fitoren amerikane? (Dhe, më vonë, a do ta ndiqte SHBA-ja shtegun e rrëzimit të një qeverie të Lindjes së Mesme pa një plan për vazhdimi?).
Pa marrë parasysh qëllimin, rezultati përfundimtar do të ishte dërgimi i më shumë trupave dhe anijeve në rajon, më shumë burimeve adekuate për të luftuar kundër organizatave të reja apo të ringjallura terroriste, dhe më shumë armë për shtetet aleate, shumica e të cilave janë jostabile.
Përfshirja e Amerikës në Lindjen e Mesme do të rritej, duke i rrezikuar tentimet e saj për t’u çliruar asetet e saj për drejtim kah Azia, kur shpreson që të arrijë një balancim të ndikimit në rritje të Kinës.
Bashkëjetesa me një Iran bërthamor do të kërkonte kundërmasa të kushtueshme dhe do të krijonte rreziqe të mëdha. Mirëpo hyrja në luftë për të penguar ambiciet bërthamore të Iranit dhe ndalimin e një kaosi pasues – përfshirë kulmin e çmimeve të naftës, paqëndrueshmërinë e rritur rajonale dhe fleksibilitetin e reduktuar strategjik amerikan – do të ishte dukshëm më e kushtueshme. Në rast se Obama qëndron prapa deklaratave të tij të mandatit të parë, atëherë bota do të paguajë një çmim shumë më të lartë.
Geoffrey Kemp, drejtor i programit rajonal të sigurisë në Qendrën për Interesa Kombëtare, është bashkautor me John Allen Gay, i librit që pret të dalë nga shtypi: “Lufta me Iranin: Pasojat politike, ushtarake dhe ekonomike. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë hulumtuese “Project Syndicate”