DURRES-Pasi i kishin braktisur dy netë më parë shtëpitë, për shkak të daljes nga shtrati të lumit Erzen, banorët janë rikthyer në banesat e tyre. Ata po punojnë me mjete rrethanore për largimin e ujit që ka dëmtuar të gjithë orenditë shtëpiake, për shkak se niveli arrinte deri në një metër.
Kryetari i Bashkisë së Shijakut Indrit Buka tregon se kjo situatë nuk mund të parandalohej vetëm nga investimet e bashkisë, për shkak se pastrimi i lumit Erzen kërkon fonde të mëdha.
110 shtëpi e biznese në lagjen “Erzen” si dhe në lagjen e çamëve të qytetit të Shijakut janë përmbytur duke u bërë të pabanueshme, ndërsa 6 familje janë evakuuar për në kovalishencën e Durrësit pasi rrezikonin jetën.
Për të mbajtur situatën nën kontroll, shtabi i emergjencave civile në prefekturën e Durrësit, po mban lidhje të vazhdueshme me shtabet e ngritura pranë njësive vendore, ndërkohë një grup pune po përllogarit dëmet financiare të shkaktuara.