TIRANË-Kryesociaslisti Edi Rama ka folur me tone të ashpra sot rreth punës së qeverisë, duke iu referuar raportit të Global Financial Integrity (GFI) që theksonte se Shqipëria ka kryer transferimin e paligjshëm të 1.3 miliardë dollarëve në 5 vjet.
“Ajo cka është me rëndësi themelore, është se këto 1.3 mld dollarë janë paratë e shqiptarëve. Ja pse rrënohet Shqipëria ndër të tjera. Ja ku ikin paratë e borxheve që kryeministri i merr për rrugë dhe rrugët i le përgjysëm. Ja si ndodh që borxhi publik rritet në kurriz të shqiptarëve, ndërkohë që shqiptarërt përfitojnë vetëm rënie të fuqisë blerëse dhe asgjë tjetër”.
“Ja pse buxheti i shtetit që kryeministri e quan buxhetin më të madh të shtetit nuk ka lek për personat me aftësi të kufizuar nuk ka lek për pensionisttë dhe as transportin e mësuesve në fshat, për pastrimin plehrave. Sepse paratë shkojnë tek vendet ofshore, parajsa e parave kriminale, ilegale”.
Sipas Ramës, paratë e larguara jashtë vendit dëshmojnë dhe njëherë raportin e drejtë ndërkombëtar të perceptimit të korrupsionit, ku Shqipëria ka dështuar.
Kreu i socialistëve dhe njëherazi i opozitës shqiptare theksoi se viti 2013 do të jetë viti i ndryshimit të madh, jo vetëm i qeverisë aktuale, por dhe opozitës aktuale.
“Ja pse 2013 do jetë viti i ndryshimit, kjo nuk është më cështje mes 2 alternativash, cështje mes 1 kaste e cila ka sot përgjegjësi më shumë për 1.3 mld dollarë të arratisura nga vendi përmes syve dhe duarve të saj, dhe alternativës së një rilindje shqiptare.
Do shkojnë në opozitë se nuk dinë të bëjnë më gjë, ne të vijmë në qeveri se duhet të fusim qeverinë në punë. Shumë më mirë me Saliun në opozitë e Shqipërinë në Europë se me këtë Shqipëri të rrënuar deri në palcë e jashtë Europës”.
Në Twitter
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama duke reaguar në lidhje me raportin e Global Financial Integrity vlerëson se aty thuhen të vërteta rrënqethëse për pushtetin që vodhi votat sipas tij me qëllim vjedhjen e Shqipërinë.
“E vërteta rrëqethëse e pushtetit që vodhi votat për të vjedhur Shqipërinë -1.3 miliardë USD "të arratisura"”, shkruan Rama në faqen e tij personale në Twitter.
Global Financial Integrity (GFI) ka publikuar dje një raport mbi transferimin e paligjshëm të parave. Zëdhënësi i GFI-së, Clark Gascoign në një prononcim për ‘Balkan Insight’ theksoi se nga Shqipëria janë larguar 1.3 miliardë dollarë në vetëm 5 vitet e fundit. Sipas grupit amerikan, paratë në sasinë sa 1/3 e buxhetit në total të Shqipërisë kanë dalë jashtë vendit. Largimi i parave është kryer përmes korrupsionit, evazionit fiskal apo aktiviteteve të tjera ilegale.