DURRES – Dy ditët e fundit situata në qarkun e Durrësit ka qenë e vështirë për shkak të problematikës së krijuar nga sasia e madhe e reshjeve të regjistruara këto ditë. Në ditë me reshje lagje të ndryshme të qytetit, por dhe zonat periferike dhe komunat shpeshherë janë përmbytur, ndërkohë që qytetarët kanë ngritur zërin për mungesën e vëmendjes nga ana e pushtetarëve vendorë për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi që përsëritet vazhdimisht.

Në një artikull të gazetës “Telegraf”, specialisti i ujërave Mehdi Islamaj vë alarmin për rrezikun që i kërcënohet qytetit për shkak të bllokimit të kanaleve kulluese. Sipas tij Durrësi rrezikon të përmbytet si Shkodra.

Specialisti veteran i ujërave, që nga vënia e themeleve të stacionit të pompimit në Porto Romano, e sheh gjendje me një perspektivë të zymtë. Ai parashikon se me këto ritme që po anashkalohen problemet e kullimit të ujërave në Durrës rrezikohet që të degradojnë problemet dhe të krijohet një situatë tejet e pazakontë që mund të pasohet me përmbytje masive në Durrës.

Mehdi Islamaj, ish përgjegjës i stacionit të pompave në Hidrovorin e Hamallajt, ka më shumë se 30 vite që nuk është më pjesë e personelit teknik të hidrovorit, por pasi ka shkuar dhe e ka parë në vend situatën ka deklaruar se: “Ai stacion është bllokuar komplet”. Islamaj ka paralajmëruar se situata mund të degradojë dhe të ketë një përmbytje si ajo e Shkodrës. Sipas tij, kanalet janë mbushur me dhe.

“Nuk ka më kanale sekondare. Kur vjen uji vjen vonë. Po të mos vonohen ujërat, në kanalet e bllokuara, ato hiqen për 3 orë. Po të punojnë kanalet normalisht, stacioni i heq ujërat për 3 orë. Kur kanalet nuk funksionojnë rrezikon të mbytet këneta. Maksimumi për 2 orë vjen kapaciteti i plotë i pompave, por nuk ka personel që të pastrojë zgarat. Personeli duhet të rrijë në sallë”,- thotë ai.

Ndërmarrja e ujërave duhet që të çojë ujërat deri në Hidrovor. Islamaj thotë se: “Nuk ka asnjë argument për të lejuar përmbytjen”, dhe vijon të arsyetojë se i gjithë shqetësimi i specialistit vjen nga frika e bllokimit të zgarave në hyrje të hidrovorit, të cilat nuk lejojnë depërtimin e ujit. Zgarat janë 4.2 metër nën nivelin e detit dhe deri në krye të stacionit lartësia arrin në 6m. Përqendrimi i mbeturinave inerte, bllokimi nga materialet e ndryshme krijon masiv të madh duke e detyruar ujin të derdhet drejt pompave në formë katarakti, veprim që ndëshkon dhe nxjerr jashtë përdorimit pompat dhe të gjithë gatishmërinë e misionin e stacionit.

Keqadministrimi mund të sjellë dëme kolosale

Islamaj pohon se para viteve ’90, ndërmarrja e kullimit kishte në gatishmëri të pastrimit të kanaleve 28 ekskavatorë, ndërsa sot ky numër është disa herë më pak duke rrezikuar shumë mirëmbajtjen e rrjetit. Specialisti bën të qartë se shumë më e rëndësishme se gatishmëria teknike është gatishmëria e shërbimit, thënë ndryshe pastrimi i zgarës dhe kanaleve për ta detyruar ujin të futet në kanal.

“Nëse uji rri në tokë, në arë dhe jo në kanal atëherë do të ketë përmbytje të padiskutueshme, pasi kanalet kanë dalë jashtë loje nga bllokimet dhe mbushjet”,- shprehet specialisti Islamaj.

Për të shmangur çdo frikë nga një përmbytje e mundshme njohësi shumë i mirë i stacionit të pompimit bën të qartë se ka rëndësi mbajtja pastër e zgarës në hyrje të hidrovorit dhe kanalit kryesor, kolektorit të madh Shkozet-Kodër Rrashbulli-Kënetë-Porto Romano.

Të gjitha përmbytjet e viteve të fundit Islamaj ia faturon keqadministrimit, bllokimit të kanaleve, mospastrimit sistematik të tyre.

“Dëmet mund të jenë katastrofike nëse do të ketë reshje të shumta dhe prurje të pakta uji në hidrovor. Dëmet nuk do të jenë vetëm në tokë, por edhe në banesa dhe njerëz,- shpreh shqetësimin e tij specialist Mehdi Islamaj.  

                                                           Marrë me shkurtime nga gazeta "TELEGRAF"