Nga kritika artistike dhe kryesisht ajo kinematografike pritet të vlerësohet me titullin e “Filmit të vitit” për 2012-ën. E përshtatur dhe bazuar në librin me të njëjtën titull, të shkruar në vitin 1877 nga shkrimtari rus Leon Tolstoi, drama britanike “Anna Karenina” ka vetëm pak ditë që është shfaqur në kinematë botërore.
Nën interpretimin virtuoz të aktores Keira Kngihtley dhe në bashkëpunim me aktorin Jude Law e Aaron Taylor, regjisorin Joe Wright, kohëve të fundit në ekran është rikthyer magjishëm drama ruse që endet mes ligjeve të pashkruara të shoqërisë së lartë aristokratike e shoqërisë civile. Pleksjen e ndjenjave të dashurisë dhe pamundësisë së ethshme për të mos dalë nga rregullat e lojës në një shoqëri ndryshe nga ajo e jona sot. Tragjedia e dashurisë mes Anna Kareninës dhe kontit pasanik Vronsky… dhe kushti i këtij të fundit për t’u martuar me Annën, vetëm nëse kjo heq dorë nga bashkëshorti i saj, një zyrtar i lartë i qeverisë ruse. Por, shoqëria paragjykuese, rregullat e ashpra të lojës do e endin çiftin mes labirinteve të vështira, ndërsa zgjedhja nuk është asfare e lehtë… një subjekt që i ka rezistuar kohës, e që sot në shek. XXI vjen ndryshe në këndvështrimin e regjisorit të talentuar. Vetë protagonistja përpara premierës së filmit ka folur në lidhje me këtë rol të fundit të sajin… suksesi dhe frika e vlerësimeve ndryshe. Gjithmonë ka një risk, kur bëhet fjalë për kryevepra të letërsisë botërore, të cilat materializohen në pelikulën e filmit. Detajet mund të pësojnë ndryshime, herë-herë të transformohen. Anna Karenina e shek. XXI rrëfehet…
Çfarë ju tërhoqi në këtë rol? “Anna Karenina” është shkruar shumë vite të shkuara, ndërsa edhe në teatër është luajtur kohë më parë…
Për herë të parë e kam lexuar këtë libër të Tolstoit në moshën 19-vjeçare dhe asokohe me vete mendoja: “Uau… ky është një karakter i jashtëzakonshëm”. Anna Karenina dhe tipa të ngjashëm me të ka gjithmonë e më rrallë në shoqërinë e ditëve të sotme, ndaj rikthimi i vëmendjes te një figurë si e saj mendoj se e bën një zgjedhje të mirë nga ana e regjisorit Joe Wright. Kur ky i fundit më telefonoi, nuk më thirri në emër, më tha: “Alo, Anna Karenina?” Ju përgjigja me një “Po” të buzëqeshur, edhe pse e kuptova se kjo do të thoshte se ai më kish përzgjedhur dhe menduar për këtë rol të veçantë dhe specifik. Na u deshën shumë takime dhe pas dy vitesh pune të madhe të të gjithë stafit, ja ku jemi…
A kishte ndonjë detaj që dëshiroje ta interpretoje ndryshe nga ajo çka shkruhet në faqet e librit?
Them se jo! Edhe pse karakteri dhe roli im i protagonistes së filmit ishte një përpjekje për të sjellë Anna Kareninën me detaje të rifreskuara, sërish ishte e pamundur t’i shmangeshe origjinales. Kur e lexova për herë të parë librin, shumë kohë më pas më mbeti në mendje Anna e brishtë, e pafajshme. Por, asnjëherë nuk u përpoqa ta gjykoj atë. U mundova të kuptoj rolin, ta përvetësoj atë dhe jo të bindja veten se si të interpretoja në film çdo fjali që lexoja në libër… Gjithçka erdhi natyrshëm tek unë.
Cila pjesë e “Anna Kareninës” të përket ty, domethënë ku sheh diçka të ngjashme me të?
Mendoj se ajo ka një karakter të tmerrshëm… Dhe ajo është e tillë sepse njerëzit e gjykojnë, sepse ata përpiqen të hedhin gurë mbi të. Po ne, njerëzve realë, dhe jo protagonistët e filmave apo librave, a na ndodh në përditshmëri të lëndojmë njerëzit që duam më shumë? Sigurisht. Teksa mendoja për marrëdhëniet e saj të kompleksuara, i mbushja mendjen vetes se unë nuk jam më e mirë se ky personi që jam duke e gjykuar. Ndaj, duke njohur në brendësi këtë karakter, them se e gjithë qenia ime, njëherësh asnjë pjesë e imja nuk janë të ngjashme me të!
Protagonizmi si Anna Karenina a të bën disi nostalgjike?
Kam vendosur që nuk do t’u rikthehem më figurave të ngjashme. Jo sepse unë i shikoj si pjesë të së kaluarës, por të rikthehesh te një ngjarje apo rol që i takon së shkuarës, nuk të bën shumë interesante. Sigurisht, pranimi i këtij roli kishte të bënte me faktin se Anna Karenina kish mbetur në kujtesën time si një karakter tepër i veçantë dhe i spikatur. Rrallë gjen të ngjashme, përreth… (Marrë nga “Interview Magazine”)