TIRANE- Këshilli i Ministrave ka miratuar një udhëzim, përmes të cilit përcakton rregulloren e re të vendosjes së penaliteteve për drejtuesit e automjeteve, duke lënë në fuqi kuotën e 200 mijë lekëve si gjoba maksimale që mund të vendoset nga punonjësit e policisë rrugore. Në bazë të legjislacionit në fuqi, vlera e masave administrative me gjobë rishikohet çdo dy vjet në shkallë të njëjtë për gjithë ndryshimin e verifikuar nga INSTAT, me koeficientin e çmimeve të konsumit për familjet (mesatarja kombëtare) e verifikuar në dy vjetët paraardhës. Për këtë qëllim, brenda datës 1 dhjetor të çdo dyvjeçari, Ministria e Financave, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve Publike dhe Transporteve, cakton, duke ndjekur kriteret e mësipërme, kufijtë e rinj të masave administrative me gjobë që zbatohen nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Në këtë mënyrë, Këshilli i Ministrave ka lënë përsëri kuotën e 200 mijë lekëve si kufirin maksimal për gjobat që mund të aplikohen ndaj drejtuesve të mjeteve.
UDHËZIMI
Këshilli i Ministrave ka publikuar në faqen zyrtare, udhëzimin i cili përcakton shqyrtimin dhe evidentimin e kundërvajtjeve në fushën e qarkullimit rrugor, mënyrën e administrimit të gjobave, si dhe procedurat që ndiqen për masat administrative plotësuese për kundërvajtjet në fushën e qarkullimit rrugor. Sanksionet administrative që jep Organi Administrativ Shtetëror janë gjobat e ndryshme me vlerë deri në 200 000 lekë (ose sipas indeksimeve të bëra nga Ministria e Financave në vlerë minimale dhe maksimale sipas pikës 3 të nenit 193 të Kodit Rrugor). Po ashtu edhe masa administrative plotësuese, të cilat ndahen në: Pezullim i lejeqarkullimit në kufijtë kohorë, të përcaktuar nga nenet përkatëse të legjislacionit rrugor; Pezullim i lejedrejtimit në kufijtë kohorë, të përcaktuar nga nenet përkatëse të legjislacionit rrugor; Heqje e lejedrejtimit; Kalimin e mjetit në strukturat e Rezervave Materiale të Shtetit për konfiskim, tjetërsim, shitje apo shkatërrim të mjetit rrugor, sipas dispozitave ligjore në fuqi.
PENALITETET
Ndaj vendimeve të Organit Administrativ Shtetëror, (OASH) kur nuk është bërë ankim në gjykatë, sipas nenit 202 të Kodit Rrugor, mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve nga shpallja e vendimit, në organin administrativ më të lartë për shqyrtimin e ankimeve, në Drejtorinë e Policisë Rrugore, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Për gjobat e vendosura dhe të paarkëtuara në afat (data e vendosjes së gjobës plus katër ditë të tjera), të aplikohet kamatëvonesa në masën 2% të vlerës së gjobës për çdo ditë deri në një muaj (30 ditë). Nëse arkëtimi i vlerës së gjobës bëhet brenda 5 (pesë) ditëve nga dita që vendimi ka marrë formë të prerë, gjoba ulet me 20% të vlerës. Për kundërvajtjet që dënohen me masa plotësuese, si: tërheqja e dokumenteve të qarkullimit të automjetit, të lejedrejtimit, të targës, të pezullimit të lejeqarkullimit e lejedrejtimit apo heqjes së lejedrejtimit, OASH-ja brenda 2 (dy) ditëve pune nga data që vendimi ka marrë formë të prerë, njoftohet zyrtarisht Drejtoria Rajonale e Shërbimeve të Transportit Rrugor ku banon kundërvajtësi. E njëjta procedurë ndiqet për lejet e transportit, licencat etj., me organet që i kanë lëshuar ato. Lejet e drejtimit të pezulluara evidentohen në regjistrin përkatës; ruhen në arkivin e OASH-së dhe dorëzohen të dokumentuara me përfundimin e afatit të pezullimit apo me heqjen e masës për pezullim nga një organ kompetent epror. Punonjësi i policisë, në përfundim të shërbimit, i raporton dhe i dorëzon eprorit të drejtpërdrejtë ose atij të caktuar në këtë detyrë, origjinalin dhe kopjen e tretë të procesverbalit të konstatimit të shkeljes për verifikim dhe evidentim të mëtejshëm. Kopja e dytë i dorëzohet kundërvajtësit, ndërsa kopja e katërt mbetet në bllokun që zotëron agjenti verifikues.
Nga:LORENC RABETA
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)





