PRINCETON – Ku duhet të përqendrojmë hulumtimet tona mjekësore dhe biologjike? Ka argumente të fuqishme për luftimin e sëmundjeve që vrasin shumicën e njerëzve – sëmundjet si malaria, fruthi dhe diarreja, të cilat vrasin miliona njerëz në shtetet në zhvillim, por shumë pak në botën e zhvilluar. 

Shtetet e zhvilluara, megjithatë, ndajnë pjesën më të madhe të fondeve të tyre për hulumtim për sëmundjet prej të cilave vuajnë qytetarët e tyre dhe një gjë e tillë pritet që të vazhdojë në të ardhmen e afërt. Duke e pasur parasysh atë kufizim, cili zbulim mjekësor do të ndihmonte më së shumti në përmirësimin e jetëve tona? 

Po qe se mendimi juaj i parë është “kura për kancerin” apo “kura për sëmundjet e zemrës”, atëherë duhet të mendoni sërish. Aubrey de Grey, shkencëtari kryesor në fondacionin SENS dhe aktivisti më i njohur i botës për hulumtimet kundër plakjes, pohon se nuk është e arsyeshme që pjesa më e madhe e resurseve tona të shpenzohen për luftimin e sëmundjeve të plakjes, pa e luftuar vetë plakjen. Po qe se e shërojmë njërën prej këtyre sëmundjeve, atëherë ata që do të kishin vdekur prej saj mund të sëmuren nga ndonjë sëmundje tjetër brenda disa vjetësh. Përfitimet për këtë arsye janë të pakta. 

Në shtetet e zhvilluara, plakja është shkaku i vdekjes së 90 për qind të njerëzve; rrjedhimisht, trajtimi i plakjes është një formë e mjekësisë parandaluese për të gjitha sëmundjet e moshës së shtyrë. Për më tepër, para se plakja të shkaktojë vdekjen tonë, ajo e redukton kapacitetin tonë për ta gëzuar jetën dhe për të kontribuar pozitivisht në jetën e tjerëve. 

Pra, në vend të trajtimit të sëmundjeve specifike, të cilat ka shumë më gjasa të ndodhin kur njerëzit të kenë arritur një moshë të caktuar, a nuk do të ishte një strategji më e mirë që riparohen dëmet që i janë shkaktuar trupit tonë nga procesi i plakjes? 

De Grey beson se madje edhe progresi modest në këtë fushë gjatë dhjetëvjeçarit të ardhshëm do të mund të rezultonte me zgjatje të madhe të jetëgjatësisë së njeriut. E tëra që duhet të bëjmë është që ta arrijmë atë pikë, në të cilën ne mund ta zgjasim jetën mjaftueshëm, për t’i dhënë kohë progresit të ardhshëm shkencor, për të mundësuar zgjatje të reja, rrjedhimisht progres të mëtejmë dhe jetëgjatësi më të madhe. 

Duke folur pak kohë më parë në Universitetin e Princetonit, De Grey ka thënë: “Nuk e dimë se sa vjet i ka sot personi i parë që do të jetojë 150 vjet, por personi i parë që do të jetojë 1.000 vjet është me siguri më pak se 20 vjet më i ri”. 

Ajo që tërheq De Greyn nuk është të jetuarit përgjithmonë, por zgjatja e një jete të shëndoshë dhe rinore, që mund të vijë me një shkallë kontrolli mbi procesin e plakjes. Në shtetet e zhvilluara, mundësimi i të rinjve që të mbesin të ri për një kohë më të gjatë do të vinte theksin mbi problemin e madh demografik të një përmase historikisht të papresedencë të popullatës që arrijnë moshën e shtyrë– dhe shpesh bëhen të varur nga të rinjtë. 

Në anën tjetër, ne ende duhet ta shtrojmë pyetjen etike: A mos po tregohemi vetjakë për shkak se po synojmë të zgjasim jetën tonë? Dhe, nëse ia dalim, a do të jetë rezultati i mirë për disa, por i padrejtë për të tjerët? 

Njerëzit në shtetet e pasura tashmë mund të jetojnë rreth 30 vjet më gjatë sesa njerëzit në shtetet e varfra. Po qe se e zbulojmë se si ta ngadalësojmë plakjen, atëherë do të mund të kemi një botë, në të cilën shumica e varfër duhet të përballet me vdekjen në një kohë kur anëtarët e pakicës së pasur e kanë lënë prapa vetes vetëm një të dhjetën e jetës. 

Kjo pabarazi është njëra prej arsyeve të besohet se zgjidhja e problemit të plakjes do ta rrisë padrejtësinë në botë. Tjetra është se nëse njerëzit vazhdojnë të lindin, derisa tjerët nuk vdesin, popullata në planet do të rritet me një temp edhe më të shpejtë sesa tani, gjë që do t’ua vështirësojë jetën të gjithëve. 

Se a mund t’i tejkalojmë këto pengesa varet nga shkalla jonë e optimizmit rreth avancimeve të ardhshme teknologjike dhe ekonomike. Përgjigjja e dr. Greyt rreth pengesës së parë është se ndonëse trajtimi kundër plakjes mund të jetë i shtrenjtë fillimisht, çmimi do të zbresë, ashtu si ka ndodhur tani me shumë novacione tjera, prej kompjuterëve, e deri tek ilaçet kundër AIDS-it. Po qe se bota mund të vazhdojë të zhvillohet ekonomikisht dhe teknologjikisht, atëherë njerëzit do të bëheshin më të pasur dhe, në aspektin afatgjatë, trajtimi kundër plakjes do të mund të sigurohej nga të gjithë. Pra, përse të mos e bëjmë këtë prioritet tani? 

Sa i përket kufizimit të dytë, për dallim prej asaj që shumica e njerëzve e supozojnë, suksesi në tejkalimin e plakjes do të na siguronte hapësirë për gjetjen e zgjidhjeve rreth problemit të popullatës, për shkak se do të shtynte apo eliminonte menopauzën, duke iu mundësuar grave që fëmijën e parë ta lindin shumë më vonë, sesa tani. Po qe se vazhdon zhvillimi ekonomik, norma e fertilitetit në shtetet në zhvillim do të bjerë, ashtu si ka ndodhur në shtetet e zhvilluara. Në fund, edhe teknologjia mund të ndihmojë në tejkalimin e kufizimit, duke siguruar burime të reja të energjisë, që nuk rrisin përqindjen e dyoksidit të karbonit. 

Kufizimi i lidhur me popullatën ngrit një çështje më të thellë filozofike. Po qe se planeti ynë ka kapacitet të kufizuar për të mbështetur jetën e njeriut, a është më mirë të kemi më pak njerëz që jetojnë më gjatë, apo më shumë njerëz që jetojnë më shkurt? Një arsye që të mbështetet mendimi se është më mirë që të kemi më pak njerëz që jetojnë më gjatë është se vetëm ata që kanë lindur e dinë se nga çfarë i privon vdekja; ata që nuk ekzistojnë, nuk mund ta dinë se çfarë janë duke humbur. 

De Grey ka themeluar Fondacionin SENS për promovimin e hulumtimeve për luftimin e plakjes. Bazuar në shumicën e standardeve, përpjekjet e tij për mbledhje fondesh kanë qenë të suksesshme, pasi që fondacioni tani nga një buxhet vjetor prej rreth katër milion dollarësh. Por, ai buxhet vazhdon të jetë tejet i vogël, bazuar në standardet e fondacioneve për hulumtime mjekësore. De Grey mund të jetë duke gabuar, por ka një mundësi të vogël që ai të ketë të drejtë, derisa përfitimet e mëdha e bëjnë hulumtimin në këtë fushë një investim më të mirë sesa fushat e hulumtimeve mjekësore, të cilat janë aktualisht të financuara më mirë. 

Autori, Peter Singer, profesor i bioetikës në Universitetin e Princetonit dhe profesor laureat në Universitetin e Melburnit, është një nga ekspertët më të njohur botërorë të etikës. Ky vështrim është shkruar për rrjetin e gazetarisë botërore, “Project Sindycate”.