Nju Jork – Shqipëria luajti një rol të dorës së parë që Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë të caktohej në 5 shtator, datën që ndërroi jetë shenjtorja shqiptare Nënë Tereza.
Vendimi për këtë datë të re të shënuar për njerëzimin u mor dje me votim dhe vendim të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, por diskutimet për këtë temë siç ka treguar për gazetën “Illyria”, ambasadori shqiptar Ferit Hoxha kanë vazhduar për disa javë.
Në këtë rast Shqipëria luftonte jo vetëm për të nderuar një bijë të kombit të saj por edhe për një kauzë të drejtë sepse është e vështirë të gjendet në historinë e njerëzimit dikush që të simbolizojë më mirë bamirësinë sesa murgesha që në vitin 1979 u nderua me Çmimin Nobel për punën e saj humanitare me të vobektit dhe lebrozët në Kalkutë të Indisë.
Në fjalimin e mbajtur dje përpara votimit, në Asamblenë e Përgjithshme, ambasadori Hoxha tha veç të tjerash se “ky do të ishte një nderim shumë të merituar ndaj gruas së mpakët po me zemër të madhe, të njohur ndërkombëtarisht për punën e saj gjatë gjithë jetës për të ndihmuar të sëmurët, të varfrit dhe të mënjanuarit. Shqiptarët do të jenë gjithmonë krenarë për Nënë Terezën, punën dhe trashëgiminë e saj, të cilën e konsiderojmë dhuratën tonë më të mirë ndaj njerëzimit”.
Ambasadori Hoxha pastaj citoi fjalët e Nënë Terezës: “Nga gjaku jam shqiptare. Nga nënshtetësia, jam indiane. Nga besimi, jam murgeshë katolike. Përsa i përket kushtrimit, i përkas gjithë botës”.
Delegacioni shqiptar në OKB, i drejtuar nga ambasadori Hoxha ishte bashkëpropozues i rezolutës që shpalli 5 Shtatorin si Ditë Ndërkombëtare të Bamirësisë.
5 shtatori është data kur bota humbi Nënë Terezën por që këtej e tutje do të jetë edhe data në të cilën bota do të sensibilizohet që të bëjë më shumë për të ndihmuar ata që nuk munden. Që këtej e tutje, 5 Shtatori do të na kujtojë jo që Nënë Tereza nuk jeton më, por që trashëgimia e saj është gjallë dhe e pavdekshme.