SHBA- Ismail Kadare është Kafka i këtij brezi”, shkruante dje “The In dipendent”, duke e vlerësuar letërsinë e tij si komedi të zezë, të padepërtueshme dhe të thjeshtë më tej deri në pikën më të errët. Gazeta prestigjiozja risillte në vëmendje sërish, temën e shumëdebatuar të Kadaresë para 1990-ës, pa harruar t’i japë notë maksimale letërsisë së tij. Çështja e zgjatur në lidhje me qëndrimin e tij politik në Shqipëri gjatë viteve të Enver Hoxhës, disident apo i lumtur me regjimin, është gjithnjë interesante. Kadare është më shumë i shqetësuar për natyrën e tregimit dhe rrjedhshmërinë e gjuhës sesa për politikën.
Puna e tij ka lëvizur në kohë, që nga Egjipti i lashtë e deri në vitet post-Hoxha, por romani i ri i tij e kthen atë në temë, edhe pse nuk është fiks koha e librit të tij të parë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, që mori jetë në vitin 1960 dhe ‘shqetësohej’ për riatdhesimin e trupave italiane të vdekur në tokat shqiptare. Ngjarjet në “Rënien e qytetit të gurtë” (titulli shqip: ‘Darka e gabuar’) ndodhin në kohën e luftës, pas rrethimit italian. Fqinjët italianë i kishin kërkuar Shqipërisë që së bashku me Abisininë të bëhej pjesë e perandorisë së Musolinit, dhe bashkë me trupat gjermane (invazorë? pushtues? çlirimtarë?) të shtyheshin në jug të Ballkanit për të mbushur vakuumin. Ndërsa tanket mbërrijnë në Gjirokastër, vendlindja e Kadaresë, populli dëgjon thashetheme se i diplomuari në Gjermani, Dr. Gurametoja i madh, po argëton mikun e tij të viteve studentore, Kolonelin von Schwabe që drejton kolonën Wehrmacht. Besnikëritë pësojnë baticë-zbaticë. Ka një darkë.
Muzika që luhet në gramafon, “Vdekja Schubert dhe Maiden”, e shpon tejpërtej qytetin që prej shtëpisë së Dr.Gurametos. Pengjet janë liruar pjesë-pjesë, por komandanti gjerman nuk do të diskutojë për të burgosurin e vetëm hebre. Rreth mëngjesit, në mënyrë misterioze, koloneli dhe njerëzit e tij janë larguar. A është arritur një marrëveshje? Cilado të jetë arsyeja, fati i Shqipërisë ka marrë një kthesë, duke e çuar atë larg Rilindjes e Iluminizmit të Evropës Perëndimore, e madje duke e shtyrë më shumë anës “aziatike” dhe drejt kampit të bolshevizmit sovjetik bashkuar edhe ideve maoiste. Për momentin, interesat monarkiste, nacionaliste dhe komuniste janë goditur nga një vakuum më shumë ontologjik sesa politik. E pikërisht këtu, Kadareja duket qartë “Kafkian”.
Veprimet duket se kanë mungesë të dukshme qëllimi… Identiteti është i rrëshqitshëm dhe i rastit. Thashethemet kanë më shumë qëndrueshmëri se sa faktet. Janë të mprehta, të lehta dhe thellësisht shqetësuese. Kjo të çon drejt një arsyetimi politik; kjo ideologji nuk është as fisnore, as e lidhur domosdoshmërisht me interesin vetjak apo altruizmin. Përkthimet e mëhershme në anglisht të Kadaresë janë bërë nga tekstet franceze. Ndërsa ky version i John Hodgson është përkthyer nga origjinali në shqip. Kjo është një histori mrekullisht misterioze, e treguar mjeshtërisht.