Japonia do të zhvillojë sot zgjedhjet e përgjithshme, ku sipas sondazheve, opozita pritet të dalë fituese.
Partia Liberal Demokratike parashikohet të humbasë në zgjedhje përballë demokratëve, pas vetëm tri vitesh të drejtimit të shtetit, ndërsa ish-kryeministri, Shinzo Abe, pritet të rikthehet në kreun e ekzekutivit japonez.
Shtrenjtimi i kostos së jetesës, energjia bërthamore dhe marrëdhëniet problematike me Kinën janë ato që po i kushtojnë më shumë në popullaritet qeverisjes aktuale të Yoshihiko Nodës.
Sondazhet parazgjedhore kanë treguar njëkohësisht se numri i të pavendosurve dhe atyre që nuk do të votojnë, për shkak të zhgënjimit tek politikanët vendas, është më i lartë se kurrë.
Një prej vendeve me mirëqenien më të lartë në botë, ekonomia japoneze zbriti në vendin e tretë në botë në vitin 2011, pasi u kalua nga Kina, për sa i përket bruto prodhimit të brendshëm.
Rënia ndërkombëtare e fuqisë blerëse, shkatërrimet e tërmetit dhe cunamit të marsit 2011, borxhi i lartë kombëtar dhe masat shtrënguese në buxhet, kanë ndikuar në një rënie të thellë ekonomike gjatë këtij viti, që ka ngjallur një pakënaqësi të thellë popullore ndaj qeverisjes aktuale.