Londër – Institucionet nuk janë fort të pëlqyeshme. Ato lidhen për rregulla dhe janë të avashta; kanë punë rutine, agjenda, komitete, buxhete – dhe këto kanë lidhje me buxhetet. Nëse ato janë të suksesshme, do të kenë jetëgjatësi.

Shpërblimet ndahen për heronjtë. Si heronjtë, shpërblimet ndahen dhe më nuk përmenden. Shpërblimet u ndahen atyre që bëjnë zbulime të jashtëzakonshme, me poema të madhërishme, ose nëse zbulojnë mënyra të reja jetese – shpikësve të gjërave të reja. Institucionet janë të avashta – ky është edhe qëllimi i tyre – por ata që i krijojnë ato mund të jenë gjithashtu krijues, madje heronj.

Nuk ka një themelues të vetëm të Bashkimit Evropian. Shumë njerëz, mbase qindra, kanë kontribuuar për themelimin e tij. Por tani që BE-ja pranoi “Nobelin” për paqe të vitit 2012, tre njerëz, duhet të nderohen në mënyrë të veçantë.

Robert Schuman ishte i lindur në Luksemburg në vitin 1886. Një shtetas gjerman që kishte shërbyer në Luftën e Parë Botërore, ai ishte bërë shtetas francez kur Alsace-Lorraine i ishte rikthyer Francës. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, si njeri i përfshirë në Rezistencë, ishte arrestuar dhe ishte marrë në pyetje. Ishte arratisur dhe kishte mbijetuar, gjatë së cilës kohë kishte vazhduar të besonte në mposhtjen e Gjermanisë dhe në pajtimin ndërmjet Francës dhe Gjermanisë. Pas luftës, iu rikthye politikës.

Schuman ishte ministër i Jashtëm i Francës në maj të vitit 1950, duke u përballur me dilema të mëdha strategjike për organizmin e bashkëpunimit evropian dhe atlantik. Kryeministri Georges Bidault doli me propozime për një makineri të koordinimit Unionit Perëndimor Evropian. Traktatit të Atlantikut Verior, Këshillit të Evropës dhe OEEC-së (pararendës i OECD-së). Por pyetje të tjera më praktike për rimëkëmbjen e pasluftës dhe marrëdhënieve me Gjermaninë, ishin më stresuese.

Më urgjentja ishte kërkesa gjermane për të rritur prodhimin e çelikut prej dhjetë milionë tonësh në 14 milionë – goxha më shumë sesa nivelet franceze. Por sikur edhe i kishte thënë ministri i Mbrojtjes, Rene Pleven, homologut britanik, Manny Shinwell, rimëkëmbja franceze do të bllokohej derisa nuk do të zgjidheshin edhe problemet e Gjermanisë. Dhe për vetë Schumanin, doli dilema se çfarë t’u thoshte tri fuqive (Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës), në takimin e 11 majit, ku do të diskutohej politika kundrejt Gjermanisë.

Politika që propozoi ai ishte punë e Jean Monnetit. Monnet ishte i lindur dy vjet pas Schumanit në Cognac, në një familje, biznesi i së cilës me raki kishte një shtrirje botërore. Ai ishte një burrë me sharm dhe i vendosur – i njohur prej miqve të tij për kokëfortësi, “tamam si një katundar i vendosur për ta shitur lopën e tij”, por një figurë frymëzuese për ata që kishin punuar me të.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, Monnet kishte punuar në Londër në organizmin e ankorimit të anijeve aleate me britanikët, amerikanët dhe italianët. Biznesi i tij i kishte krijuar atij kontakte përtej Kanalit dhe Atlantikut, sikur se edhe një aftësi për t’i parë gjërat nga aspekti sasior. Pas Luftës së Dytë Botërore, ishte drejtor i planifikimit të pasluftës në Francë, duke luajtur një rol kyç në zbatimin e Planit Marshall.

Monnet kishte njohurinë e vet për qymyrin dhe çelikun, duke qenë i përfshirë si një zyrtar i lartë i Ligës së Kombeve, në arritjen e një marrëveshjeje për çështjen e Silesias së Epërme pas Luftës së Parë Botërore. Zgjidhja, që përfshinte një menaxhment të përbashkët polako-gjerman të një industrie përtej kufijve kombëtarë, ishte i urryer në Gjermani; por marrëveshja kishte funksionuar dhe kishte mbijetuar gjatë kohës më të madhe ndërmjet dy luftërave. Monnet ia dorëzoi propozimet e tij – të përpunuara me Paul Reuter, një avokat dhe një besnik i Schumanit – së pari Schumanit në fund të prillit, dhe pastaj, pasi nuk mori asnjë përgjigje, zyrës së kryeministrit.

Në fakt, Schuman mori planin në kabinet më 3 maj, ku e përmendi në fund të mbledhjes dhe me një zë të ulët, saqë askush nuk e kuptonte çfarë po thoshte. Ai e shpalosi prapë në javën tjetër, bajagi me qetësi, por deri atëherë Monnet dhe të tjerët kishin marrë mbështetje prej ministrave kryesorë dhe kryeministrit. Përpara asaj, sidoqoftë, Schumani kishte folur me aktorin e tretë kyç.

Ky ishte sekretari amerikan i Shtetit, Dean Acheson. Biseda kishte ndodhur nëpërmjet një lidhjeje që kishte krijuar ambasadori amerikan për Achesonin, i cili ishte rrugës së tij për në Londër për takimin e tri fuqive. Për fillim, një bisedë miqsh kishte një domethënie të rëndësishme.

Acheson duhet të kujtohet si një prej themeluesve të BE-së. Ai ishte arkitekti i NATO-s; dhe vetëm pasi ishte kuptuar njëherë e mirë se me këtë ishte zgjidhur problemi i sigurisë evropiane, ishte bërë e mundshme të mendohej për aspektet kreative të Planit të Schumanit. Me fjalë të tjera, SHBA-ja ishte fuqia e vetme dashamirëse që kishte qëndruar në Evropën Perëndimore në fund të Luftës së Dytë Botërore. Pa pëlqimin e saj, asgjë nuk do të ishte e mundshme.

Acheson e kuptoi se Plani i Schumanit, ani pse modest dhe i kufizuar në marrjen me çështje industriale, në realitet ishte larg më shumë sesa çfarë po propozonte Bidault. Dhe Acheson më shumë sesa i kënaqur. Në biografinë e tij për Jean Monnet, Fraçois Durcheme komenton se “mbase elementi më i jashtëzakonshëm i Konferencës së Schumanit (e cila aprovoi idenë e një Komunitetit të Qymyrit dhe Çelikut) ishte rol i madh që kishin luajtur amerikanët”. Kështu ka qenë që atëherë.

BE-ja i ka kontribuuar periudhës më të gjatë të paqes në historinë evropiane. NATO-ja, gjithashtu, është një pjesë e këtij tregimi. Por BE-ja ka krijuar një shoqëri politike në Evropë, sikur që nuk ka ekzistuar asnjëherë më parë: një proces të vazhdueshëm në mesin e shteteve të Evropës që mundëson përshtatje të politikave dhe institucioneve për të zgjidhur problemet derisa ato ngrihen – dhe ato të zgjidhen së bashku.

Ka shumëçka që nuk shkon me Evropën, dhe shumëçka duhet të ndryshohet për të zgjidhur problemet e euros. Por nëse i kujtojmë problemet me të cilat përballej Evropa në vitet pesëdhjetë, nuk asnjë arsye të mendohet se kjo nuk mund të bëhet.

Shumëkush mund ta kuptojë pse Komiteti i “Nobelit” nuk i ndan çmimet pas vdekjes. Nëse do t’i ndante, çmimi për letërsi do të ishte një betejë e përvjetshme ndërmjet Shakespearet, Dantes dhe Goethes. Por ne gjithashtu duhet ta kuptojmë se çmimi i këtij viti nuk nderon aq shumë një garniturë jo të përsosur të institucioneve, sa nderon tre burrat që i themeluan ato.

 

Autori Robert Cooper ka qenë drejtor i përgjithshëm i Çështjeve Politike dhe Ushtarake të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, ka qenë shef kryesor i Politikës së jashtme të kryeministrit britanik, Tony Blair, ka shërbyer së fundi si këshilltar i Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian. Ka qenë lehtësues i dialogut teknik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”