TIRANË-Denis Almadhi, 11- vjeçari që humbi jetën gjatë një operacioni në sy, ka vdekur si pasojë e një komplikacioni të rrallë, të quajtur hipertermi malinje, ndërsa mjekët nuk kanë bërë ndonjë gabim.
Ky është konkluzioni përfundimtar i mjekëve ligjorë, të cilët dje kanë firmosur dhe dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës raportin e ekspertimit, që përjashton nga përgjegjësia mjekët, që kryen operacionin, shkruan sot Gazeta Panorama.
Burime nga Instituti i Mjekësisë Ligjore thanë se nga shqyrtimi i analizave kimike është konstatuar edhe mungesa e medikamentit të quajtur “Dantrolen”, por në rastin e 11- vjeçarit ky lloj ilaçi nuk do të kishte pasur efekt edhe po të ishte përdorur. Komplikacioni, sipas aktit të ekspertimit është tepër i vështirë për t’u përballuar, sidomos nga moshat e vogla.
Pas një mbledhjeje që kanë kryer në përfundim të ekspertimit, mjekët ligjorë kanë arritur në përfundimin se vdekja e Denis Almadhit, mbrëmjen e datës 7 nëntor 2011, gjatë një operacioni estetik në qepallat e syve, në Spitalin Francez, nuk ka ardhur si pasojë e pakujdesisë së mjekëve. Nisur nga këto rrethana, procedimi penal i nisur nga denoncimi i familjarëve të fëmijës mund të pushohet.