Washington – Gjatë historisë, keqtrajtimet e minoriteteve – qofshin ato etnike, fetare, linguistike, kulturore, rajonale, ideologjike, seksuale apo të tjera – kanë ushqyer dhunën dhe kanë shkatërruar shoqëri në mbarë botën. Rastet më skandaloze të shekullit të fundit ishin ato të Holokaustit në Gjermaninë naziste, të fushave të vrasjes të Kmerëve të Kuq në Kamboxhia dhe gjenocidit në Ruandë. Abuzimet e minoriteteve dhe reagimet ndaj tyre, shpesh ndërlidhen me thyerjet në shoqëritë në konflikt. Minoritetet pretendojnë se përjetojnë pabarazi ekonomike dhe margjinalizim politik. Ky trend negativ nuk po tregon shenja venitjeje. Derisa traktatet ndërkombëtare, ligjet kombëtare, institucionet gjithnjë e më të fuqishme, arsimimi i përmirësuar dhe përpjekjet e grupeve të organizuara fetare për të nxitur respekt për minoritetet mund të ndihmojnë dukshëm në zbutjen e problemit, përpjekjet kolektive deri më tash kanë munguar skajshmërisht në këtë drejtim.
Problemi nuk do të zhduket derisa njerëzit nuk ndalojnë ta tolerojnë jotolerancën. Dhe historia e hershme – duke filluar që nga vrasjet e rrëmujshme nga Armata e Rezistencës në Afrikën qendrore dhe atë lindore e deri te sulmet kundër të krishterëve nga talebanët pakistanezë – tregon se fanatizmi mbetet i ngulitur thellë.
Për më tepër, globalizimi dhe teknologjitë poseduese të komunikimit e kanë bërë të pamundur mbajtjen e konfliktit përbrenda kufijve kombëtarë. Ankesat e brendshme ekonomike dhe politike tani mund të mbështesin pakënaqësitë përreth rajoneve dhe kontinenteve.
Konfliktet etnike në shtetet si Kenia, Sudani, Sri Lanka dhe ish-Jugosllavia nënvizojnë sfidën e reduktimit – apo në fund të fundit të eliminimit – të jotolerancës. Mirëpo disa shoqëri të tjera shumëkombëshe, si Tanzania dhe Burkina Faso, u kanë ikur me të madhe konflikteve komunale. Të tjera, përfshirë Belgjikën dhe Kamerunin, kanë shmangur konfliktet serioze, por kanë përjetuar ashpërsi të shumta lidhur me trajtimin e pakicave linguistike dhe rajonale. Dhe, në periudha të ndryshme, Libani ia ka dalë dhe nuk ia ka dalë të menaxhojë politikën zyrtare karshi pakicave fetare dhe etnike. Të kuptuarit e faktorëve të përfshirë në lojë nëpër këto shtete, mund të ndihmohet procesi i arritjes së paqes, ndërsa liderët fetarë dhe civilë të shoqërive duhet të adresojnë jotolerancën.
Jo toleranca që buron nga fetë e organizuara është mbase më e pafalshmja.
Në njërën anë, të gjitha fetë e organizuara predikojnë paqen dhe dashurinë për të tjerat dhe ato shpesh herë kanë intervenuar në mënyrë të suksesshme për të shmangur apo zbutur konflikte. Në anën tjetër, në kohëra të caktuara përgjatë historisë, fetë e organizuara kanë lejuar, inkurajuar dhe madje edhe propaganduar urrejtje dhe dhunë. Ndërkaq, elementet dytësore shpesh e përdorin fenë për të përkrahur dhunën kundër grupeve të caktuara.
Gjatë dekadave të fundit, liderët romano-katolikë dhe protestantë kanë dështuar të deklarohen me kohë dhe në mënyrë efektive kundër gjenocidit në Ruandë. Ngjashëm kështu, në vend se të dënonin adoptimin e taktikave terroriste nga talebanët në Afganistan, Boko Harami në Niger dhe al-Shabaabi në Somali si dhe shkatërrimit të tempujve sufistë në Mali nga Ansar Dine, një sekt radikal islamist, liderët myslimanë kanë mbetur kryesisht të heshtur. Derisa asnjëri prej këtyre grupeve nuk përfaqëson pikëpamjet e shumicës, ato po që shfaqin një ndikim të rëndësishëm dhe mbase besojnë se po veprojnë në interes të shumicës.
Ngjarjet e pas Pranverës Arabe mund të ofrojnë ca indikacione të perspektivës së tolerancës fetare. Në Egjipt, me një pakicë prej 10 për qind të koptëve ortodoksë, Mohamed Morsi i Vëllazërisë Myslimane fitoi presidencën në zgjedhje të lira dhe të drejta, pas të cilave dha dorëheqje nga partia, duke thënë se kjo gjë do t’i lejonte të përfaqësojë të gjithë egjiptianët në mënyrë më efektive dhe premtoi se do të respektojë të drejtat e pakicave. Megjithatë veprimet pasuese për t’i dhënë vetes pushtet të paparë ekzekutiv shtuan shqetësimet për ata hapa pozitivë të mëhershëm.
Duke i mbrojtur pakicat, Morsi mund t’ua demonstrojë qeverive të tjera dhe lëvizjeve politike rëndësinë e të drejtave të pakicave dhe t’i inkurajojë ata që të sillen njësoj. Mirëpo mbetet të shihet nëse themeli i tij islamik politik, përfshirë salafistët ekstremë, të cilët fituan 20-përqindëshin e votave parlamentare, do të jetë tolerant karshi pakicës së krishterë gjatë muajve dhe viteve në vijim.
Siria do të jetë një test më i rëndësishëm. Alevitë, të cilët përbëjnë vetëm 11 për qind të popullatës, dominojnë regjimin në shkatërrim të presidentit, Bashar al-Assad. Derisa minoriteti në pushtet ka qenë kryesisht tolerues ndaj të krishterëve, kurdëve, druzëve dhe turqve, të cilët së bashku përbëjnë 29- përqindëshin e popullatës, regjimi prej kohësh kishte shtypur shumicën sunite. Në rast se një qeveri e kontrolluar nga sunitët zëvendëson lidershipin aktual, atëherë vendimi i tij për të mbrojtur të drejtat e minoriteteve do të inkurajohej pjesërisht.
Qeveritë demokratike shpeshherë perceptohen si më respektuese ndaj minoriteteve, duke e pasur parasysh faktin se, për dallim nga regjimet autokratike, një sistem demokratik me të gjithë legjislaturën e zgjedhur, sistemin e pavarur gjyqësor, shoqërinë e fortë civile dhe shtypin e lirë, u ofrojnë qytetarëve mundësi për të shprehur këndvështrimet e tyre dhe për të ndjekur drejtësinë.
Mirëpo, derisa demokracisë kanë të dhëna më të mira në aspektin e respektimit të pakicave, një sistem demokratik nuk garanton hiç më shumë respekt për pakicat se sa garanton autokracia shtypjen e tyre. Një autokrat i shkolluar mund të jetë po aq mbrojtës i të drejtave të pakicave sa edhe një qeveri solide demokratike.
Do të thotë, kur bëhet fjalë për respektimin e të drejtave të pakicave, demokracitë kanë të dhëna më të mira se sa autokracitë. Kjo dhe është një prej arsyeve kryesore se pse, gjatë gjithë historisë, demokracitë rrallë herë kanë luftuar kundër njëra-tjetrës.
(David H. Shinn, një ish-ambasador amerikan në Etiopi dhe në Burkina Faso, ligjëron në shkollën për marrëdhënie ndërkombëtare Elliot të Universitetit të Washingtonit. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë hulumtuese “Project Syndicate”.)