TIRANE– Pas ngjarjes së rëndë të regjistruar në Orikum të Vlorës, ku një grua 6 muajshe shtatzënë u vra me sqepar nga bashkëshorti i saj ka reaguar edhe kryeministri Berisha.

I pranishëm në punimet e konferencës kombëtare kundër dhunës në familje, Berisha e konsideroi tepër shqetësuese shtimin e numrit të vrasjeve të grave në vendin tonë. Sipas nr.1 të ekzekutivit statistikat në rritje të krimit brenda familjes duhet të shërbejnë si një sirenë alarmi.

“Dhuna ndaj grave është dhunuesi absolut më i madh mbi liritë dhe të drejtat njerëzore. Kjo dhunë është multidimensionale, ka shumë faqe, fytyra. Bazohet në stereotipin e trashëguar nga shekuj. Kjo dhunë që ndodh sot absolutisht nuk ka ekzistuar në shoqërinë shqiptare, as në kohërat më të shkuara, ka pasur një kod qëndrimi ndaj gruas, ndaj vajzës. Nuk mund të ketë paqe sociale, pa paqe familjare, nuk mund të ketë edukim të fëmijëve në një terror familjar, që ata e përjetojnë periodikisht”,- u shpreh Berisha.

Sipas Berishës është e domosdoshme që të zhvillohen fushata të mëdha mediatike kundër dhunës për të sensibilizuar të gjithë komunitetin të denoncojë dhe parandalojë këto raste. Në të njëjtën kohë kryeministri kërkoi nga komunitetet lokale që të përcaktojnë familjet me probleme, për të parandaluar ngjarje tragjike.

“Komunitetet lokale duhet të përcaktojnë familjet me risqe të larta pasi disa nga këto ngjarje tragjike janë të paralajmëruara. Të bëjnë gjithçka për një përgjigje sa më të vendosur kundër këtij fenomeni që po vjen në rritje. Kjo duhet të jetë një sirenë e fuqishme alarmi”,- tha kreu i ekzekutivit.