Ulen ndjeshëm shifrat e mallrave të eksportuara gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti krahasuar me një vit më parë
Shifrat e servirura nga Autoriteti Portual Durrës dëshmojnë krizën që ka përfshirë sektorin e transportit detar. Eksportet për këtë gjashtëmujor kanë shënuar rënie me 94.500 ton mallra nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë importet kanë shënuar rritje të ngadaltë
2012 shihet si viti më i keq për sektorin e transportit detar nëse krahasohet me tre vitet e fundit
35 mijë ton mallra më shumë u importuan gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti nga porti i Durrësit
95 mijë ton mallra më pak ose 15% më pak janë eksportuar gjatë po të njëjtës periudhë të këtij viti
6.600 konteneirë përpunohen çdo muaj, ndërkohë që 500 mijë ton mallra janë transportuar me konteneirë
37 mijë ton minerale u eksportuan nga porti i Durrësit gjatë muajit korrik duke shënuar rritje të kërkesës
Kriza globale ul importet dhe eksportet në portin më të madh të vendit. Kriza e rëndë që po kalojnë fqinjët tanë, Italia dhe Greqia është eksportuar edhe në vendin tonë. Statistikat e gjashtëmujorit përsa i përket volumit të mallrave të përpunuara në sektorin e ngarkim shkarkimit në portin e Durrësit flasin për ulje të nivelit të eksporteve dhe importeve. Deri tani porti më i madh i vendit ka regjistruar shifrat më të ulta të këtyre tre viteve të fundit dhe duket se edhe dy muajt e fundit, qershor e korrik, situata do mbetet e njëjtë, megjithëse janë vënë re disa sinjale pozitive. Duket se transporti me konteneirë është më i suksesshmi deri tani, megjithëse edhe këtu shifrat nuk janë në ato nivele që ishin pritshmëritë. 6-muajt e parë të këtij viti shihen si një periudhë e zymtë për shkëmbimet tregtare në portin e Durrësit.
Burime të Autoritetit Portual bëjnë të ditur se kriza rajonale është shkaku kryesor i uljes së volumit të eksporteve dhe importeve. Kriza e rëndë ekonomike që ka përfshirë tashmë Italinë dhe Greqinë po i jep pasojat e saj në vendin tonë. Përveç faktit që shumë emigrantë shqiptarë në këto shtete kanë humbur vendin e punës, ngadalësimi i ekonomisë i fqinjit tonë jugor dhe atij të përtej Adriatikut ka ulur kërkesën dhe ofertën. Në të njëjtën kohë, në vendin tonë, megjithëse situata nuk vlerësohet ende si kritike, rritja ekonomike mjaft e vogël ka bërë që në përgjithësi të ulet konsumi i përgjithshëm e për pasojë tregu ka nevojë për më pak mallra e produkte.
Për 6 mujorin e parë të vitit 2012, sipas statistikave të Autoritetit Portual, janë importuar një milion e 105 mijë ton mallra, me një rritje prej 35 mijë ton mallrash, ose 3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Nga statistikat del në pah gjithashtu se transporti me tragete ka shënuar rënie, ndërkohë që është rritur volumi i mallrave të eksportuara me anije. Gjatë këtij 6-mujori, volumin më të madh të mallrave të importuara e zënë drithërat, mallrat ushqimore dhe ato për sektorë të ndryshëm të industrisë. Në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar janë përpunuar 1 milion e 750 mijë ton mallra në total, ndërsa për 6 mujorin e parë të 2012 janë përpunuar një milionë e 685 mijë ton mallra nga porti i Durrësit.
Eksportet në krizë
Të dhënat zyrtare të portit më i madh të vendit flasin për një ekonomi në krizë. Kriza ekonomike botërore ka ulur në mënyrë drastike eksportet “Made in Albania”. Volumi i skrapit, kromit si dhe produkteve të tjera të industrisë sonë minerare të eksportuara drejt vendeve të tjera ka pësuar ulje prej 15% gjatë muajve janar – qershor 2012, për shkak të tkurrjes së kërkesës nga tregjet botërore. Shkaqet janë të qarta. Tregjet globale kanë ulur kërkesën ndaj grosistëve dhe nuk bëjnë më porosi si më parë. Gjithsesi, megjithëse mund të shihet vetëm si diçka e përkohshme, gjërat duket sikur po lëvizin për mirë dy muajt e fundit.
Eksportet shqiptare në periudhën qershor-korrik kanë filluar të shtohen, ndonëse në nivel gjashtëmujori, të dhënat nuk janë optimiste. Aktualisht në portin e Durrësit janë në pritje për t’u eksportuar rreth 30 mijë ton krom. Mineralet, skrapi dhe lënda e parë janë kryesisht mallrat që zënë pjesën e luanit në eksportet shqiptare, ndërkohë që tek importet pjesën më të madhe të produkteve të importuara e zënë drithërat dhe karburantet. Kërkesa nga tregu ndërkombëtar është rritur gjatë 60 ditëve të fundit kryesisht për minerale. Gjithsesi sinjalet pozitive të këtyre dy muajve nuk mund të përmirësojnë diferencën e dukshme që vihet re mes 6-mujorit të parë të këtij viti me atë të së njëjtës periudhë të një viti më parë.
Në korrik eksportohen 37 mijë ton minerale
Anija “Mahmut Saka” ngarkoi dy javë më parë 20 mijë ton mineral hekuri me destinacion portin e Kostancës (Rumani). Një muaj më parë anija “Nelson” ngarkoi 17 mijë ton mineral hekuri, proçes i cili zgjati afërsisht 24 orë. Sipas burimeve të agjensisë “Gala” brenda muajit pritet të mbërrijë në Durrës një anije tjetër, e cila parashikon të ngarkojë 15-20 mijë ton mineral hekuri. Realizimi i këtij proçesi është një arritje shumë e madhe për Portin e Durrësit dhe për eksportet që realizohen për mes tij pasi kështu porti futet në fazën e realizimit të objektivave për të përpunuar anijet e tonazheve të mëdha sipas sistemit “Ekonomi Scale”. Transporti i një sasie kaq të madhe minerali ka një leverdi të madhe financiare edhe për blerësin, pasi ul çmimin për njësi të produktit dhe koston e transportit në përgjithësi. Realizimi me sukses i këtij proçesi rrit pozicionin konkurues të portit të Durrësit në rajon dhe e vë Autoritetin Portual përballë sfidave të reja që kanë lidhje me rritjen e kapaciteteve përpunuese si dhe zbatimin e projektit të thellimit të basenit dhe kanalit hyrës të tij.
Ndreu: Transporti detar është në krizë
Drejtori i Autoritetit Portual Durrës, Eduart Ndreu pranon situatën e vështirë me të cilën po përballet në gjysmën e parë të këtij viti transporti detar. Sipas Ndreut ky është një vit i vështirë për të gjithë sektorin e transportit dhe atë detar në veçanti. Ndreu pranon se janë regjistruar shifra pozitive përsa i përket transportit të konteneirëve, por nuk ka rritje ashtu siçka ndodhur në vitet e shkuar nga 35 deri në 45%. “Rritjen e numrit të konteneirëve e shikojmë si shenjë pozitive që porti ka shënuar rritje përsa i përket këtij lloj transporti. Eksportet kanë shënuar rënie me 89 mijë ton më pak transporti me anije, ndërsa me tragete është shënuar një rënie prej 5.700 ton. Në total janë regjistruar 94.500 ton më pak mallra të eksportuara se 6 mujori i vitit 2011. Importi ka shënuar rritje të ngadaltë. Janë importuar 53 mijë ton më shumë produkte ushqimore, kryesisht me anije. Por rënie ka shënuar transporti i mallrave me tragete, që kryhet nga kamionët dhe trajlerat, rënie e cila shënohet në masën 19 mijë ton ose 8% më pak për periudhën janar-qershor 2012, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”.
Shifra pozitive për konteneirët
Transporti me konteneirë ka shënuar rritje pasi për 6 mujorin e parë janë transportuar 500 mijë ton mallra. Mesatarisht çdo muaj përpunohen 6.600 konteneirë. Sipas statistikave, 6 muajt e parë anijet kanë transportuar më shumë se 500 mijë ton mallra të ambalazhuar në konteneirë, 48% e të cilave kanë kaluar tranzit nga porti i Durrësit drejt shteteve fqinjë. Rreth 1200 njësi konteneirike është rritja e shënuar në këtë transport për këtë 6 mujor të parë të vitit 2012, ndërsa në raport me vitin e shkuar rënia është në masë 50%.
6/Mujori 2012
6/Mujori 2011
Diferenca
%
Eksporti
Anije
435.876
524.677
-88.801
83%
Ushtarake
0
0
0
0%
Tragete
144.060
149.806
-5.746
96%
Shuma
579.936
674.483
-94.547
86%
Importi
Anije
898.764
845.190
53.574
106%
Ushtarake
0
0
0
0%
Tragete
205.965
224.983
-19.018
92%
Shuma
1.104.729
1.070.173
34.556
103%
Totali
Anije
1.334.640
1.369.867
-35.227
97%
Ushtarake
0
0
0
0%
Tragete
350.025
374.789
-24.764
93%
Shuma
1.684.665
1.744.656
-59.991
97%
Thyhet monopoli në tranportin e kontenjerëve. Një kompani cifute ‘’ZIM’’prej dy javësh në transportin konteinjer.
Autoriteti Portual i Durrësit bën me dije se krahas 2 kompanive ‘’CMA’’ dhe ‘’CMG’’ që operonin në këtë transport është futur edhe një kompani e re Izraelite ‘’ZIM LINES’’.
Prej dy javësh ka nisur operimin edhe kjo kompani e re, e cila kryen një shërbim në linjë. ‘’cështja e licensave të konteinerëve nuk ka kufizime, cdo kush që do të vijë është i mirëpritur për të kryer biznes me portin e Durrësit. fakti që ka hyrë kjo kompani e re është një lajm i mirë edhe për biznesin, sepse shtimi i linjave rrit konkurencën dhe rritjen e cilësisë së shërbimit dhe uljen e tarifave . cdo ditë e më shumë porti po shikohet si një opsion për tu përdorur nga biznesi, dhe ky është një nga daljet e rëndësishme në Adriatik dhe në Mesdhe. Ka edhe kompani të tjera që kanë shfaqur interesin për të bërë biznes. Porti po shikohet nga kompani të rëndësishme për të bërë biznes, ndërsa ne na bie si detyrë që të përmirësojmë gjithmonë e më shumë infrastrukturën portuale.