Nxitja e pjesëmarrjes qytetare në procesin legjislativ është një ndër nismat më të fundit të ndërmarra nga Kuvendi i Shqipërisë dhe prezenca e OSBE-së në vendin tonë. Për këtë në qytete të ndryshme të vendit kanë nisur të organizohen takime të deputetëve me përfaqësues të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit të qarkut ku ata janë zgjedhur.

Ditën e premte, 4 deputetë të qarkut të Durrësit, përfaqësues të katër forcave të ndryshme politike, ishin në një panel përballë aktorëve të shoqërisë civile, shoqatave jo fitimprurëse dhe grupeve të interesit për t’u njohur me ta mbi problematika të caktuara të këtyre grupimeve shoqërore si dhe për të dëgjuar prej tyre sugjerime mbi projektligje të veçanta.

Për rreth dy orë me rradhë deputetët Albana Vokshi (PD), Blendi Klosi (PS), Gazmend Oketa (FRD) dhe Lefter Koka (LSI) zhvilluan një seancë pyetje përgjigje qoftë për shqetësimet e ngritura nga shoqëria civile dhe përfaqësues të biznesit për legjislacionin në fuqi, por për problematika të caktuara sociale si çështja e lirimit të shtëpive të ish-pronarëve, integrimi dhe punësimi i komunitetit rom, mos furnizimi me ujë të pijshëm për zona të caktuara në komunat e rrethit të Durrësit etj.

“Ne kemi interes që në vendimmarrjen tonë të kemi sa më shumë opinionin tuaj dhe nga ana tjetër ju keni interes që të paraqisni para nesh nevojat e grupimeve që ju përfaqësoni”,- tha deputeti Blendi Klosi gjatë takimit. Por nga ana tjetër deputeti socialist nënvizoi se shoqëria civile duhet të jetë më aktive dhe të nxisë institucionet vendimmarrëse të dëgjojnë zërin e saj, sepse në të kundërt do të vijohet me praktikat e ndjekura deri tani.

“Në botën e qytetëruar vota e grupeve të interesit është shumë e rëndësishme. Në të gjitha qarqet ndarja elektorale është bërë me shumë pak vota. Kush parti politike nuk do t’i shkonte nga prapa një shoqate, kur ajo ka votues. Prandaj ne duam që vullnetin dhe qëndrimin tuaj ta bëjmë pjesë të programit tonë politik”,- vijoi më tej Klosi.

Ndërkohë të pranishmit në këtë takim-debat kërkuan që në Durrës të ngrihet një zyrë, ku deputetët të zhvillojnë takime me popullin. Madje kreu i dhomës së tregtisë dhe industrisë Andrea Xhavara sugjeroi një zyrë të përbashkët për të gjithë deputetët, sepse siç tha ai “ju jeni pikë së pari deputetë të Durrësit”. Duke qenë se pjesa më e madhe e të pranishmëve ishin femra, një nga pikat për të cilat u diskutua gjerë e gjatë ishte barazia gjinore dhe kuota e përfaqësimit të femrave në vendimmarrje.

Si e vetmja përfaqësuese femër në panel, deputetja demokrate Albana Vokshi, u shpreh se është diskriminuese kuota prej 30% e përfaqësimit të femrave në politikë, për më tepër sepse partitë politike, megjithëse i mbushën 30% të listave të kandidatëve me kandidate femra i renditën ato nga fundi, duke mos u dhënë mundësi zgjedhjeje. Por nga ana tjetër deputeti Gazmend Oketa tha se Shqipëria gjithsesi ka bërë hapa përpara në përfaqësimin e grave në poste të larta drejtuese duke renditur këtu një sërë zonjash që janë në majat më të larta të kupolës shtetërore. Deputeti Oketa nënvizoi faktin se përfshirja e grave në politikë duhet të shërbejë si një faktor zbutës për debatin e ndezur politik.

“Ne shpesh vuajmë nga fakti se zonjat sillen më keq sesa burrat në politikë. Është pritur që shtimi i prezencës së femrave të ulë tensionet politike, por shpesh debatet janë ndezur edhe më tepër”,- tha deputeti i FRD-së. Duke u ndalur tek ligjet e miratuara nga parlamenti Oketa deklaroi se kritikat më të shumta janë bërë në drejtim të mos zbatueshmërisë së ligjeve, sesa të cilësisë së tyre.

“Pa e zbatuar mirë një ligj nuk mund të thuash në është i mirë apo i keq. Kur flas për zbatueshmërinë e ligjeve pikë së pari flas për zbatimin e tyre për institucionet shtetërore”,- deklaroi Oketa. Ndërkohë deputeti socialist Blendi Klosi theksoi se “sistemi nuk duhet të prodhojë lider të fortë, por sistem të qëndrueshëm dhe institucione të forta”.

Sekretari organizativ i selisë rozë theksoi se për të qenë sa më pranë elektoratit, për të dëgjuar hallet dhe problematikat e tij, PS është duke hartuar një program elektoral i cili nuk është prodhuar në zyrat e mbyllura të kësaj force politike, por në kontakt të vazhdueshëm me grupet e interesit dhe qytetarët shqiptarë. Në fund të takimit u organizua një koktej ku aktorët e shoqërisë civile patën mundësi të diskutonin më nga afër me të zgjedhurit vendorë problematikat e ngritura gjatë takimit.