Me vendimin e saj të ditës së premte kompania CEZ la pa ujë të pijshëm rreth gjysmën e popullsisë. Stakimi i energjisë elektrike në ujësjellësat e 18 qyteteve dhe qindra fshatrave krijoi anomali të shumta në furnizimin e tyre me ujë të pijshëm. Durrësi, Kavaja, Vlora, Elbasani, Fieri, Korça etj ishin disa ndër qytetet, ku furnizimi i popullatës me ujë të pijshëm u ndërpre për disa orë.

Gjatë ditës situata ka qenë kaotike në të gjitha zonat ku u ndërpre energjia elektrike, pasi në krah të drejtuesve të pushtetit vendor, drejtuesve të ujësjellësave dhe banorëve që u prekën nga ndërprerja e furnizimit me ujë, ka qenë edhe Policia e Shtetit me porosi të Ministrisë së Brendshme. Nga ana e saj kompania CEZ me anë të një njoftimi për shtyp ka justifikuar ndërprerjen e energjisë për ujësjellësat në disa rrethe të vendit.

Sipas CEZ, Ujësjellësat ishin njoftuar për ndërprerjen dhe se ky veprim vjen si pasojë e neglizhencës që këto ndërmarrje kanë treguar ndaj kompanisë. 

“'CEZ Shpërndarje', si kompani private, varet nga mbledhja e detyrimeve mujore për energjinë e konsumuar nga të gjithë klientët e saj, dhe mospagesa e borxheve po i shkakton një dëm financiar serioz kompanisë që nuk mund të tolerohet më. Ekipet tona do të qëndrojnë në gatishmëri të plotë për të kryer rilidhjen e menjëhershme të ujësjellësave në momentin e kryerjes së pagesave apo arritjes së një marrëveshjeje”,- njoftoi CEZ. Kompania çeke deklaron se ujësjellësat, të gjithë nën pronësi publike, i detyrohen 5.4 miliardë lekë fatura të papaguara.