Ndoshta është nga sportet që është lënë pas liste. Shkruhet rrallë, aq sa ndonjë prej tyre duhet të bëjë namin që t’i “gërvishtet” emri në një qoshe gazete. “Dyrrah” në rubrikën javore për sportet, tenton të ngacmojë sadopak punën e jashtëzakonshme që bëhet me sportet në Durrës. Përkundrejt vështirësive financiare, pse jo edhe me disa mangësi në mjetet stërvitore të shtangës, ekipi i peshëngritjes Teuta vendos pasionin dhe vullnetin mbi gjithçka.

Janë djem të rinj, që krahas skalitjes së një trupi të bukur dhe të hijshëm, kërkojnë edhe karrierën, si argumentin kryesor të kësaj dukurie e performance gjithnjë e më spikatëse. Është fat që me peshëngritjen punon 52 vjeçari Besnik Psatha, që nuk ka pse ndokush mund të tundohet që ta konsiderosh: i përjetshmi i peshëngritjes.

Besniku dhe pasioni i tij

Për çdo ditë niset herët nga shtëpia dhe është i pari që hap palestrën në pallatin e sportit. Këtij njeriu të artë në zemër dhe të zjarrtë në pasion, i mbetemi borxhli jo vetëm në propagandë, por edhe në shprehjen e një mirënjohje të një lloji xhentëlmenësh. Është i pari dhe i fundit që ka mbetur nga garda e vjetër e shtangës durrsake, që lulëzoi në fillimin e viteve 70-të dhe mbretëroi diku nga fundi i viteve 80-të.

Ndonëse ekipet e kryeqytetit nuk të linin të ngrije kryet lehtë, por kanë qenë Erlin Nikolla, Fatmir Shyti, Përparim Mustafaraj, Arben Kokomani, Besnik Psatha po e po, Ferid Skënderi dhe Albert Çerma që e nderonin Durrësin dhe Lokomotivën e tyre. Diku në katin përdhes të stadiumit “Niko Dovana” ishte salla e peshëngritjes.

Diku më lart, fantastiku Erlin Nikolla  kishte ngritur “shtëpinë” e tij dhe punonte natë e ditë për peshëngritjen. “Eh Erlin Nikolla,- nxjerr një ofshamë nga shpirti Besnik Psatha,- miku im i paharruar sa e lartësoi peshëngritjen durrsake. Jeton tani në Amerikë, Nju Jork dhe ka hapur një aktivitet në fitnes”. Kurrë nuk kanë për t’u harruar dyluftimet e tij historike, me Mirjan Hakanin dhe Aleksandër Kondon në pallatin e sportit “Punëtori” të Durrësit. 2000 shikues të pranishëm për t’i ndjekur.

Çfarë inkurajimi bëhej! Dhe garat e tyre ngjasonin me duelet e komandatëve, ku të dyja ushtritë (në këtë rast Durrësi dhe Tirana), ndiqnin plot ankth, emocion dhe tension se në favor të kujt do të kalonte fitorja. Dhe ky Erlin Nikolla, i privuar për shumë vite nga rinia e tij e ëmbël, vinte e përplaste pasionin e tij duke ngrohur ftohtësinë e hekurave të shtangës. Aq e madhe është ndihmesa e Erlin Nikollës dhe miqësia me këtë Psathë të peshëngritjes, sa që Besniku ynë harroi se në këtë reportazh, atij i takonte të ishte figura qendrore.

Psatha kur garonte (1977-1988) fitonte tituj kampion me të rinjtë dhe me të rriturit trokiti deri në portën e vendit të dytë. Por më e spektakolare mbetet periudha kur ai e la shtangën dhe vendosi të mësojë breza të rinj në sportin e hekurave, paçka se durrsakët janë shumë të qetë dhe paqësor edhe ndaj sporteve. Gatuar me një karakter të butë, Besnik Psathës i ra pesha e madhe, që t’i “ndërsente” çunat drejt forcimit të muskujve, e të shtonin kilogramët e hekurave mbi shpatullat e tyre të hekurta.

Dhe investoi për këtë. Ku është parë, që një trajner të ndajë shtëpinë e tij për sportin?! Këtë e ka bërë vetëm Besnik Psatha. Dhe kur nisi një aktivitet privat, qëllimi ishte së pari t’i krijonte strehë peshëngritjes, sepse ishte koha kur me një vendim absurd ekipi ishte larguar nga “Niko Dovana”. Por mjedisi nuk mjaftonte, pavarësisht nga zemra e madhe sa trupi i Besnik Psathës. Duke u ndodhur kështu, trokiti në derë të klubit Teuta dhe i bëri një propozim: një nga mjediset më specifike të pallatit, i dhënë në mënyrë absurde një privati për biznes personal, ta menaxhonte pa asnjë përfitim.

Të gjithë këta sportistë janë në parametra të avancuar dhe të gatshëm që në garat kombëtare që nisin marsin e ardhshëm, të vendosin Teutën më në fund në podin e vendit të parë. Dhe kjo nuk është thjesht fjalë goje. Janë djem të rinj, që krahas skalitjes së një trupi të bukur dhe të hijshëm, kërkojnë edhe karrierën, si argumentin kryesor të kësaj dukurie e performance gjithnjë e më spikatëse

Pra kjo do të thonte, që Besnik Psatha të transferonte fitnesin e tij privat në pallat për të plotësuar dy versione: së pari ekipi i peshëngritjes të stërvitej në hapësirën e nevojshme dhe së dyti veglat e forcës të shfrytëzoheshin edhe nga ekipet e tjera të klubit. Një zemërgjerësi e tillë, as nuk ishte dëgjuar të kishte ndodhur më parë dhe kjo përbënte një nga mbështetjet më aktive të peshëngritjes. Besnik Psatha sakrifikoi shumë, aq sa kur e prek punën e madhe që ka bërë nuk të besohet se ajo është fryt i mundit dhe përpjekjeve të pazakonta të një njeriu, që jetën ia fali peshëngritjes.

Dhe ky Besnik Psathë, kundrejt pagesës minimale kundrejt kësaj sakrifice, nuk është qarë dhe të kërkojë haraç për atë rrënim që i bëri investimit të tij privat. Salla e pallatit të sportit, ku thuajse tërë ditën dëgjohet të përplasen në pedanë, teksa zbresin nga krahët e fuqishëm të peshëngritësave boshtet e shtangave me rrathët e mëdhenj vendosur anash tyre, është nga më të mirat në Shqipëri. Besniku i ka dhënë kësaj pjesë të jetës së tij, duke i krijuar bashkëqytetarëve të tij ndjenjën e krenarisë dhe të mburrjes për këtë investim material dhe shpirtëror të bërë.

“Teksa punoja me djemtë, diku nga viti 2002 krijova edhe ekipin e femrave,- thotë me një modesti të lindur Besniku. Ejona Kaltanin e bëra rekordmene. Po kështu edhe Dardan Muratin. Emër të mirë bënë në peshëngritje edhe Blerina Rusi me Nadmira Vocin. Më vjen keq që u shua tërë kjo punë e madhe. Koncepte, pengesa dhe probleme të natyrave të ndryshme dalin si papritur dhe të pengojnë në atë që e ke të shenjtë, ecurinë cilësore të punës. Por tani kam një ekip simpatik djemsh, që me shumë durim dhe sakrificë po i çoj atje ku dua: në kryelartësinë dhe krenarinë e punës së tyre pasiononte”.

Djemtë e shtangës

Sa të mirë dhe të urtë janë. Besniku i ka si djemtë e tij. Interesohet për ata si prind dhe i mbron sikur të ishin zogjtë e një klloçke.

“I dua shumë dhe përgjërohem për ata. Dy herë në ditë takohemi dhe punojmë e punojmë pa ndjerë lodhje. Edhe vetë e kap shtangën dhe në se bëhet ndonjë kampionat për moshën tonë, sigurisht që vendin e parë e kam të sigurtë. Por më djeg shumë punë me këtë brez të shtangës. Po përparojnë dita ditës dhe me to kemi synime të avancuara”.

Kështu nis të flasë sërish Besnik Psatha dhe ne kemi vite që e prekim punën e tij. Ndjejmë një lloj detyrimi ndaj këtij njeriu me një pasion të paprekur si në rininë e tij dhe djemve që drejton, që nuk i kemi kushtuar vëmendjen dhe interesimin e duhur ja kështu si tani. Dhe asnjëherë nuk na e kanë kërkuar që ta bëjmë. Dhe kjo e dyfishon detyrimin tonë ndaj tyre. Mbaj mend që në vitin 2010, Teuta e Besnik Psathës doli kampion me të rinjtë dhe nënkampione me të rriturit. Në vite largohen nga ekipi, por edhe prurjet janë të mëdha.

“Nuk jam kundra të mos frekuentohen sportet e lojrave, apo futbolli. Por nuk ka si të jem dakord kurrsesi, kur e trajtojmë peshëngritjen si sport që të mbledh muskujt e i jep gjatësisë. I them bartësve të këtij koncepti, që të vijnë në palestër dhe të shikojnë se sa trup të hijshëm, me një elegancë dhe shtatlartësi për t’ia patur zili kanë peshëngritësit e Teutës.”

Kështu më thonte disa herë në bisedë Besnik Psatha. Por në shënimet e mia, më tërhoqi vëmëndjen një fakt për t’u prekur. Shumica e peshëngritësave ndjekin shkollat e mesme dhe të larta, duke filluar që tek pesha më e lehtë që është Bruno Nuho. Në shkollën e mesme sportive të Durrësit janë edhe Ardian Murataj dhe Jetmir Hoxha, për të shkuar tek Erind Prendi, Jurgen Hoxha, Admir Smoqi. Sopot Sulaj, Klajdi Çela e ndonjë tjetër që ndjekin studimet e larta.

Të gjithë këta sportistë janë në parametra të avancuar dhe të gatshëm që në garat kombëtare që nisin në marsin e ardhshëm, të vendosin Teutën më në fund në podin e vendit të parë. Dhe kjo nuk është thjesht fjalë goje. Ardian Murataj që punon pranë një biznesi privat, por ndjek edhe vitin e fundit të shkollës së mesme sportive vlerëson punën që po bëhet.

“Jemi shok të mirë njëri me tjetrin dhe ndihmojmë shumë që të arrijmë atje ku duam. Mezi pres kohën e stërvitjes dhe e ndjejmë që po rritemi dita ditës në psikologji dhe rezultatet personale. Unë konkuroj në peshën 69 kg dhe pa ia marr “shpirtin” shtangës. Deri në mars jam i gatshëm të prezantoj shifra të reja cilësore. Pa dyshim që synoj të jem kampion. Me këtë moto punojmë të gjithë. Por ajo që më gëzon pa masë, është miqësia e sinqertë që kemi me njëri tjetrin dhe kjo është nga meritat e profesor Besnikut”,- thotë Ardiani.

Erind Prendi është 22 vjeçar dhe konkuron në peshën +105 kilogram. Vjen çdo ditë nga Sukthi për t’u ndeshur me hekurat dhe mundur ato. Në peshën e rëndë konkuron edhe Klajdi Çela. Teuta thuajse i plotëson të gjitha peshat, duke qënë kjo një arsyje më shumë për të menduar për titullin. Por edhe Jurgen Hoxha, ndonëse i dëmtuar kërkon të rizgjohet.

Jeta e tij janë hekurat dhe kërkon t’i skuqë me energjinë e tij. Elson Muharremi dhe Sopot Sulaj, Jetmir Hoxha dhe Admir Smoqi, Jetmir Hoxha dhe Bruno Nuho janë disa nga më të dalluarit në ekip, që përbëjnë Teutën e madhe të peshëngritjes. Por mbi të gjitha, Teutën e madhe të njerëzve të saj të mrekullueshëm.