Fenomeni nuk konstatohet vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet më të zhvilluara perëndimore
Barazia gjinore nënkupton përveç të drejtave të barabarta mes dy sekseve në të gjitha sferat e jetës edhe pagë të njëjtë për të njëjtin pozicion pune. Po sa e vërtetë është kjo? Eksperienca botërore tregon se edhe në vendet e zhvilluara fenomeni i diferencës në pagë për të njëjtin vend pune mes femrave dhe meshkujve është mjaft prezent. Ndërsa po mblidhja information për këtë shkrim konstatova se gratë paguhen më pak se burrat jo vetëm në vendin tonë, por edhe në Itali, Francë apo SHBA etj. Në muajin maj të këtij viti Aleanca Gjinore për Zhvillim bëri publik një studim të sajin, “Pabarazia gjinore në pagë-një rast shqiptar”, në të cilin arrihej në konkluzionin se diferenca gjinore në pagë është 5.725 lekë ose 17.4% më pak. Një diferencë kjo ndoshta jo shumë e thellë po të kihet parasysh fakti se për grupmoshat në fund të moshës zyrtare të punës diferenca në pagë shkon në 40% në favor të burrave. Nëse do t’i krahasojmë shifrat me diferencat e regjistruara në Itali apo në SHBA raporti është shumë i madh.
Nëse në Itali femrat paguhen rreth 7% më pak se kolegët e tyre meshkuj, në SHBA, për çdo dollar që fiton një mashkull një femër paguhet 77 cent. Ndërsa fushata elektorale në Amerikë po intensifikohet me kalimin e ditëve dhe muajve, presidenti Obama dhe partia e tij po synojnë të fitojnë mbështetjen e femrave duke e kthyer barazinë e pagës mes meshkujve dhe seksit të dobët në një nga kuajt e betejës së tyre elektorale. Ndërkohë, në vendin tonë, përveç faktit se fenomeni konstatohet dhe është mjaft prezent në shumë profesione dhe pozicione pune, ende nuk flitet zyrtarisht ose nuk ndërmerren hapa ligjorë për të rregulluar këtë disnivel të madh në pagesë. Ajo që Aleanca Gjinore për Zhvillim vë në dukje në raportin e saj është se diferenca gjinore në pagë vjen duke u ulur në bazë të nivelit të arsimimit. Kështu nëse në rastin e femrave dhe meshkujve me nivel edukimi tetëvjeçar ose të mesëm burrat paguhen shumë më mirë sesa seksi i dobët, nuk mund të thuhet e njëjta gjë në rastet kur bëhet fjalë për të punësuar që kanë mbaruar studimet e larta.
Në këto raste diferencat zvogëlohen ndjeshëm duke arritur deri në 7% apo 4%. Sipas raportit, hendeku më i vogël i diferencës gjinore në pagën orare është në profesionet shumë të kualifikuara. Kjo është dëshmi se arsimimi u lejon grave të përfitojnë paga deri diku të njëjta me ato të burrave, por gjithsesi gati 4 përqind më të ulët se paga e tyre. Formimi i duhur profesional dhe shkalla e lartë e arsimimit u mundëson femrave që të kërkojnë vende të reja pune nëse një pozicion i caktuar nuk i kënaq me pagën që ofron. Në këtë rast punëdhënësi ndodhet para dilemës nëse do ta lërë të ikë një punonjëse të kualifikuar apo do t’i ofrojë një pagë konform aftësive profesionale dhe shkallës së vështirësisë së vendit të punës. Ndërsa për një punonjëse të pakualifikuar zgjidhja është shumë e thjeshtë. Duke mos pasur aftësi profesionale të aspirojë për një vend më të mirë një femre me nivel të ulët arsimor i duhet të pranojë pozicionin e punës që i ofrohet dhe po ashtu edhe pagën që i ofrohet.
Nëse është e vetmja mundësi për të siguruar sadopak të ardhura atëherë ai vend pune kërkohet të mbahet me çdo kusht dhe në këtë mënyrë pretendimet për një pagë më të lartë bien automatikisht, sepse mund të përballet fare kollaj me vendimin e pronarit për ta larguar. I njëjti fenomen konstatohet edhe në Italinë fqinje, ku sipas raportit të Isfol, hendeku mes diferencës në pagë të meshkujve dhe femrave rritet në mënyrë progresive me uljen e shkallës së arsimimit. Sa më pak e aftë të jetë profesionalisht një femër apo sa më pak nivel arsimor të ketë, aq më pak e paguar do të jetë në raport me meshkujt. Në këtë mënyrë mbërrihet shumë kollaj në konkluzionin se sa më e arsimuar të jetë një femër aq më të thjeshtë e ka ajo të tentojë të barazojë pagën me kolegët e saj meshkuj. Gjithsesi diferencat në pagë mbeten dhe kjo ende ndoshta shpjegohet me faktin se për një periudhë të gjatë kohe meshkujt kanë dominuar në pozicionet drejtuese duke krijuar hegjemoninë e tyre në thuajse të gjithë sektorët e ekonomisë e industrisë. Kjo hegjemoni vit pas viti ka ardhur duke u reduktuar megjithëse duket e largët dita që femrat dhe meshkujt të paguhen njësoj për të njëjtin pozicion pune.
Një faktor tjetër që ndikon në këtë drejtim është edhe roli që një burrë luan në familje si kryefamiljar. Duke menduar se ka një familje për të mbajtur paga e tij shihet gjithnjë nga punëdhënësit si një mënyrë për t’i siguruar atij mbijetesën apo mirëqënien e familjes. Por nuk duhet harruar fakti që në ditët tona shpesh shohim femra që kanë marrë në dorë fatin e familjes së tyre. Me pagën e tyre (shpesh detyrohen të dy punësohen) ato garantojnë të ardhurat familjare. Tashmë kur niveli i papunësisë është rritur ndjeshëm dhe kriza ekonomike është prezente kudo është gjithnjë e më i madh numri i femrave në kërkim të një vendi pune, çfarëdo qoftë ai. Me diferencën në pagë, meshkujt duan ende t’u kujtojnë femrave se janë më të zotë, megjithëse eksperienca botërore po tregon se femrat po arrijnë të drejtojnë po aq mirë sa meshkujt dhe se janë të afta të administrojnë dhe menaxhojnë biznese me xhiro miliarda dollarë. Jo vetëm në vendin tonë, por edhe në perëndim një mashkull e ka më të vështirë ta kapërdijë se bashkëshortja, e fejuara apo e dashura e tij fiton më shumë sesa ai apo ka një pozicion pune më të lartë. Egoja maskiliste, e formuar prej shekujsh të tërë dominimi thuajse absolut, do ende kohë të përshtatet me realitetin e ri që është gjithnjë e më i prekshëm.