Përmbaruesit gjyqësore deklarojnë se kriza bankare e shkaktuar nga kreditë debitore është e pashmangshme
Ka fluks të kredive të këqia dhe nëse nuk do të ketë ndonjë ndërhyrje të shpejtë bankat shkojnë në falimentim të plotë. Janë dyfishuar kreditë e këqia brenda një viti. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2012 ne si zyrë kemi 248 dosje të kredive të këqia për ekzekutim. Durrësi është ndër qytetet problematike, pasi ka më shumë se 800 kredi të këqia.
Përmbaruesi i zyrës gjyqësore “Petani”, Lorval Petani, është shprehur se kreditë e këqia po i shtyjnë bankat drejt krizës së thellë dhe pa rrugëdalje. Ai i është referuar statistikave të fundit në të cilat vihet re një rritje shumë e shpejtë e numrit të kredive të këqia dhe ulja e ndjeshme e kredidhënies. Përmbaruesi gjyqësor Petani ka bërë të qartë se është dyfishuar numri i kredive të këqia krahasuar me vitin e kaluar. Durrësi ka pesë përmbarues gjyqësorë privatë, të cilët po ndeshen me një bum dosjesh të kësaj kategorie.
Ju si zyrë ndiqni me përparësi kreditë e këqia. Si ka qenë ecuria e shlyerjes së detyrimeve nga kredimarrësit?
Problemet lidhur me kreditë e këqia sa vijnë e shtohen, sa vijnë e bëhen më shqetësuese. Sinjal shumë negativ është prurja gjithnjë e më shumë e dosjeve nga bankat për zyrat e përmbarimit gjyqësor. Kontrata e kredisë është titull ekzekutiv dhe në këtë drejtim proçedura është e thjeshtë. Shkojmë tek klienti dhe e ballafaqojmë me kontratën. Kredimarrësi pranon detyrimin, por tregon se e ka të pamundur ta shlyejë duke afruar arsyetimet e tij. Ka fluks të kredive të këqia dhe nëse nuk do të ketë ndonjë ndërhyrje të shpejtë bankat shkojnë në falimentim të plotë. Po u jap një shembull: janë dyfishuar kreditë e këqia brenda një viti.
Vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2012 ne si zyrë kemi 248 dosje të kredive të këqia për ekzekutim. Durrësi është ndër qytetet problematike, pasi ka më shumë se 800 kredi të këqia. Kreditë që paraqesin vonesa në shlyerje janë kredi në ndjekje, të dyshuara, nënstandarde, të humbura. Sektori i ndërtimit është më problematiku, pasi edhe ka përqindjen më të lartë të fondit të kredidhënies që tashmë klasifikohet në kredi të këqia. Megjithatë borxhe të pashlyera gjenden edhe në mes të tregtarëve ambulantë, individë, apo në mikrokreditë që janë marrë për pajisjen e mobilimin e shtëpive, për të furnizuar lokalin, për mekanikë bujqësore e kështu me rradhë.
Në shpjegimet tuaja flisni për fluks të dosjeve me kredi të këqia që u adresohen juve si përmbarues gjyqësor. Sa shqetësuese është situata?
Po, ka fluks. Ky është realiteti. Nëse duam të jemi objektiv le të themi atë që realisht ndodh, pa emocione. Unë ndjek klientë të cilët kanë marrë kredi në bankë në shumën 2.3 milion euro apo 1.7 milion euro. E kuptoni se çfarë grope të madhe e të errët hap një kredimarrës i tillë, i cili për një arsye apo për një arsye tjetër nuk shlyen detyrimet sipas kontratës? Mjaftojnë 5-6 klientë të tillë për ta fundosur bankën. Nuk dua të them se është përmbysur gjithçka. Përfitues të kësaj kategorie janë njerëz nga bota e biznesit, kanë pasuri të paluajtshme dhe në fund të fundit ato bëhen asete të bankës, e cila mund t’i kalojë në ankand kur ta shohë të arsyeshme.
Problem më vete mbeten mikrokreditë nga fondacionet, njëri prej të cilëve afron kredi për fermerët. Në Durrës janë dy të tillë dhe që të dy gjenden në krizë shumë të thellë. Çdo muaj prej këtyre fondacioneve vijnë në zyrën tonë 50 apo edhe 100 kredi të këqia. Bankat kanë ulur afatet e klasifikimit të kredisë në listën e kredive të këqia. Më parë ka qenë 120 ditë pritje, tani ka zbritur në 90 ditë dhe pas këtij afati klienti kalon në zyrën tonë si ekzekutues të kontratës së kredisë. Nëse vijnë mesatarisht 50 kredi në muaj (jo 100) me nga një milion lekë kredi shuma shkon në 50 milion. Këto janë para që nuk futen më në depozitat e fondacionit duke e shtyrë atë drejt falimentimit. Po kreditë e tjera që janë në disa qindra euro? Cili është fati i tyre?
Ndieni vështirësi për të bindur kredimarrësin të shlyejë detyrimin ndaj bankës?
Marrëdhëniet me kredimarrësit debitorë i kemi të mira. Ne e kuptojmë mirë njëri-tjetrin, e dimë se ata kanë arsye të fortë siç edhe ata e dinë që ne bëjmë punën tonë. Çështja është tek identifikimi i kredimarrësit apo se sa serioz ka qenë ai në ruajtjen e garancive pasurore. Me shumë vështirësi gjejmë adresat e banimit në zonat rurale, por edhe në qytet. Japin adresën e prindërve dhe kur shkojmë aty na thonë që kredinë e ka marrë djali kështu që nuk kemi ç’të sekuestrojmë. Ka të tjerë që ndërtimet e objekteve të tyre gjenden në zona informale dhe këtë pasuri që mund të jetë lokal, linjë prodhimi, kombinat etj. nuk e bëjmë dot objekt sekuestrimi.
Jo rrallë kemi ndeshur në deklarime fiktive, pra falsifikim të të dhënave. Kjo përbën vepër penale, pasi klienti ka mashtruar për të përfituar kredi. Janë 11 kallëzime penale që kemi bërë ne si zyrë përmbarimi dhe qytetari do të përgjigjet për mashtrimin e më pas do të shlyejë edhe kredinë. Në rastet kur garancia është vënë në objekt apo tokë të hipotekuar çështja është më e thjeshtë. Ekspertët vlerësojnë gjithçka, kalohet në fazën e ankandit dhe nëse nuk ka blerës banka e përfshin në agjensinë e saj të aseteve. Kemi edhe raste që ndeshemi me pamundësi për të arritur kompromis me kredimarrësin.
Ai ka dështuar gjithandej dhe nuk ka asnjë pasuri të tundshme apo të patundshme. Në një rast u paraqit klienti dhe na kërkoi që ne të ndërmjetësonim tek banka që ajo të mundësonte punësimin diku të klientit debitor dhe e gjithë rroga t’i kalonte në bankë për ta shlyer kredinë. Sigurisht që kjo nuk mund të ndodhë, sepse nuk është pjesë e proçedurës ligjore, por kjo tregon se klienti ndihet i përgjegjshëm. Është shumë e rëndësishme që kreditë e këqia të vlerësohen me shumë seriozitet nga institucionet përkatëse. Ne si zyrë kemi dosje të tilla të kredive të këqia nga disa rrethe dhe kjo situatë që paraqitet në Durrës shfaqet edhe atje. Pra është një fenomen problematik që kërkon rrugëdalje sa më parë.