Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak Durrës, në vendin e shndërruar në një arenë shpesh të paarsyeshme të debatit dhe kundërshtive politike në qytet, u miratuan çuditërisht në unanimitet të plotë, pa asnjë diskutim, të gjitha dokumentet e paraqitura për shprehje mendimi mbi raportet e vlerësimit të ndikimit në mjedis të disa aktiviteteve të mëdha biznesi.

Interesat e ndërsjellta të politikës me biznesin, pragviti elektoral dhe nevoja për financim në fushatë, si dhe njohjet personale shmangën mendimin, debatin mbi teknologjitë e përdorura nga aktivitetet dhe pasojat në shëndetin e të gjithë neve, qytetarëve durrsakë, përfshirë dhe ata që ngritën shpejt, pa u menduar, kartonin jeshil. Ndërsa shtetet e zhvilluara operojnë me programe të sigurisë ushqimore për produktet që konsumohen nga njerëzit dhe kafshët, shqiptarët mbeten në një masë të gjerë të ekspozuar ndaj rreziqeve që mbart ndotja e mjedisit dhe konsumimi i ushqimeve që përmbajnë toksina.

Pavarësisht statusit social e ekonomik, kushteve të jetesës që na bashkojnë dhe na ndajnë, të gjithë jemi të ekspozuar ndaj të njëjtit rrezik, ndaj të cilit për fat të keq tregohemi indiferentë, veçanërisht ata që janë në nivel vendimmarrjeje, edhe pse të gjithë shpesh bëjmë të njëjtat pyetje kur përballemi me humbjet e të tjerëve dhe tonat. Sëmundjet e rënda kanë shtuar ndjeshëm numrin e të prekurve dhe të vdekurve.

Çdo ditë e më shumë kuptojmë se faktori moshë nuk na mbron më nga vdekja. Ajo s’ka moshë, ndërsa sëmundje dikur të rralla kanë vërshuar si epidemi. Përveç botës së krimit, më shumë cilësinë e jetës dhe jetëgjatësinë po e ndëshkojnë ndotja e mjedisit dhe e ushqimeve që konsumojmë. Kushdo që shkon në treg përballet me fshatarët që tregtojnë produktet e tyre duke i reklamuar fort si produkte bio, po për fat të keq edhe produktet që paraqiten si të shëndetshme, nuk janë të pastra ekologjikisht.

Të paktën një pjesë e mirë e tyre dhe rrjedhimisht jo të shëndetshme për organizmin tonë. Perimet e frutat, ato që më së shumti konsumohen dhe janë të këshillueshme për organizmin janë në të shumtën e rasteve të rritura me hormone, me ndihmën e pesticideve, si dhe në zona të ndotura mjedisore. Rëndom i shohim frutorët dhe perimet të rriten në tokat që shtrihen anës segmenteve rrugore me trafik të rënduar, pranë bizneseve që kanë aktivitete prodhuese industriale etj. dhe të gjitha këto mbushin tregjet.

Specialistët pohojnë se konsumatorët për fat të keq nuk janë të mbrojtur, as nga prodhimi vendas dhe as nga ai i importit.

“Frutat dhe perimet pasi spërkaten me pesticide nga fermerët, apo dhe prodhimet e importit kanë mbetje të kimikateve me të cilat janë spërkatur për të kontrolluar sëmundjet ose për të vrarë dëmtuesit. Larja para konsumit mund të minimizojë nivelet e tyre, kur ato janë produkte që qëndrojnë në sipërfaqe, po një pjesë e mirë e këtyre produkteve toksike depërtojnë brenda në prodhim. Pra, larja nuk i largon pesticidet vetëm e ul nivelin e tyre nëse ato janë të depozituara në sipërfaqe, po kështu edhe heqja e lekurës.”- përgjigjet kërkuesja shkencore, Prof. Assoc. Dr Magdalena Cara, ndaj shqetësimit si konsumatore për mbrojtjen nga toksinat.

Në intervistën e mëposhtme, ajo i përgjigjet interesimit mbi këtë shqetësim serioz të kohëve të sotme, ndërsa tëheq vëmendjen edhe ndaj mykotoksinave, të cilat kanë rezistencë të lartë dhe janë gjithashtu kancerogjene.

Znj. Cara, sa i sigurtë është konsumimi i produkteve ushqimore që rriten me pesticide? A është tregu i kontrolluar prej tyre, si përsa i përket produkteve të importit, ashtu dhe produkteve që prodhohen në vend?

Produktet e mbrojtjes së bimëve (pesticidet) janë substanca kimike me toksicitet të lartë. Ato janë prodhuar për të kontrolluar sëmundjet e bimëve dhe për të vrarë dëmtuesit e tyre, kështu që konsumi i produkteve ushqimore, pasi ato janë trajtuar me këto produkte nuk është i sigurtë. Fatkeqësisht tregu ynë nuk është i kontrolluar për nivelin e mbetjeve të pesticideve, as për prodhimet që merren nga fermerët tanë dhe as për produktet që importohen.

Kam dëgjuar se insekticidet që përdoren shpesh nga fshatarët për rritjen e prodhimit janë kancerogjene. A është e vërtetë kjo? 

Pesticidet kanë toksicitete akute dhe kronike. Efektet e tyre janë shumë negative, si mbi shëndetin e njerëzve, ashtu edhe të kafshëve dhe mjedisit. Vetitë e tyre kancerogjene janë të lidhura me efektet kronike. Po, është e vërtetë që pesticidet kanë veti kancerogjene, këto janë të listuara nga Agjensia Ndërkombëtare e Kancerit. Komuniteti Europian i shton listat me pesticidet e ndaluara për shkak të toksiciteteve të larta akute si dhe efekteve kronike, teratogjene, mutagene dhe përçarëse të sistemit endokrin. Po, duhet thënë se edhe në vendin tonë hiqen nga lista e lejuar për t’u regjistruar, pesticidet që BE i ndalon.  

A i njohin prodhuesit efektet e pesticideve që përdorin mbi frutat, perimet te njerëzit përmes konsumimit të tyre?

Unë mendoj se shkalla e njohjes së fermerëve tanë është akoma shumë e ulët. Për këtë jam munduar shumë të jap kontributin tim; kam drejtuar një projekt kombëtar për përdorimin e sigurtë të pesticideve sidomos në mjedise të mbrojtura, kam krijuar një uebsite për pesticidet në gjuhën shqipe të konceptuar si program edukimi, si dhe punoj shumë me studentët në lëndët që ju jap: "Produktet për mbrojtjen e bimëve" & "Toksikologjia e Pesticideve". Kam përgatitur një projekt për të organizuar një fushatë ndërgjegjësimi dhe trajnimi mbarëkombëtar për përdorimin e sigurt pesticideve në vendin tonë. 

Sa dhe si ndikojnë pesticidet e përdorura nga prodhuesit në shëndetin e konsumatorëve?

Pesticidet më të përdorura janë fungicidet dhe insekticidet. Fungicidet shkaktojnë dëmtime akute në lëkurë, frymëmarrje, alergji etj., ndërsa dëmtimet kronike janë akoma më të rrezikshme pasi ato janë të lidhura me difektet e lindjes, përçarje të sistemit endokrin etj. Përsa i përket insekticideve një pjesë e mirë e tyre janë të destinuara të veprojnë mbi sistemin nervor të insekteve që duhet të vrasin.

Rastet e intoksikimeve akute duhet pa tjetër të kontrollohen nga mjekët toksikologë. Konsumatorët që janë të ekspozuar nga mbetjet e pesticideve nga mosnjohja e intervaleve të pritshmërisë nga fermerët dhe mungesa e kontrollit të këtyre mbetjeve në treg, rrezikojnë që këto doza toksike t’i fusin në trup. Fakti që nivelet e lëndëve aktive janë më të ulta, veprimet akute janë më të rralla, përgjithësisht veprimi i tyre ka efekt kronik merren ngadalë dhe në mënyrë të pakthyeshme

I njëjti veprim ndodh edhe mbi sistemin nervor të njeriut që ekspozohet me këto insekticide; ato inhibojnë enzimën acetil kolin esterazë (insekticidet karbamate dhe fosfororganike) duke shkaktuar kontraktime të muskujve dhe dëmtim të funksionit të gjëndrave endokrine. Insekticidet neonikotinoide bllokojnë acetil kolinën, piretroidet dhe kloroganikët duke çuar deri në bllokim të sistemit nervor qëndror. Pasojat e veprimit mbi sistemin nervor janë përgjithësisht shumë të rënda, ato mund të fillojnë me çrregullime gastrointestinale dhe përfundojnë me vdekje nëse nuk merren masat e duhura.

Si mund të mbrohemi nga rreziqet që mbart konsumimi i produkteve të rritura me pesticide, ku më i shpeshti është toksikimi? 

Së pari, përdoruesit duhet pa tjetër t'i përdorin mbasi të kenë trajnimin e duhur mbi përdorimin e tyre. Mosnjohja dëmton jo vetëm ato që i përdorin, por edhe komunitetin, kafshët, mjedisin. Pesticidet tregtohen me etiketa në gjuhën shqipe, leximi i etiketës është shumë i rëndësishëm, aty ka jo vetëm përshkrimin e produktit, por edhe këshilla për përdorimin e sigurtë të tij. Fermerët është shumë e rëndësishme të njohin toksicitetin e produktit që ata përdorin për të minimizuar ekspozimin me të. Ata duhet pa tjetër të përdorin pajisjet dhe veshjet mbrojtëse kur trajtojnë me pesticide. Fermerët duhet të njohin mirë kohën e futjes në parcelë pas trajtimit me pesticide si dhe intervalin që duhet pritur nga trajtimi i fundit deri në vjelje. Kjo është e shkruar në etiketë, ata duhet ta zbatojnë me rreptësi këtë interval kohor, pasi e dërgojnë tek konsumatori mbetjen toksike të pa zbërthyer së bashku me produktin ushqimor.

Po konsumatorët?

Rastet e intoksikimeve akute duhet pa tjetër të kontrollohen nga mjekët toksikologë. Konsumatorët që janë të ekspozuar nga mbetjet e pesticideve nga mosnjohja e intervaleve të pritshmërisë nga fermerët dhe mungesa e kontrollit të këtyre mbetjeve në treg, rrezikojnë që këto doza toksike t’i fusin në trup. Fakti që nivelet e lëndëve aktive janë më të ulta, veprimet akute janë më të rralla, përgjithësisht veprimi i tyre ka efekt kronik merren ngadalë dhe në mënyrë të pakthyeshme. Çfarë duhet të bëjmë: minimumi një larje e mirë dhe qërim (për produktet që mund të realizohet), por edhe kjo mund të mos të jetë zgjidhje për pesticidet që kanë depërtuar brenda produktit. Një alternativë tjetër është edhe zgjatja e kohës së konsumit aq sa mund të durojë produkti që të konsumohet pa u prishur.       

A ka dhe rreziqe të tjera që vijnë nga produktet ushqimore?

Një tjetër problem për të cilin po flitet gjithnjë e më shumë sot në botë dhe që e kërcënon seriozisht sigurinë ushqimore ka të bëjë me mykotoksinat. Këto janë metabolite dytësore që ndodhen te kikirikët, stikat, mollët kur kalben qoftë edhe pak, në lëngjet e frutave, birrë, verë, kafe, ushqime të konservuara etj. Mykotoksinat janë produkte kancerogjene edhe në nivele shumë të ulta dhe kanë rezistencë shumë të lartë, prandaj duhet bërë shumë kujdes në këtë drejtim.

RETRO

Kristo Huta për pasojat:

Kanceri është sëmundje shumëfaktorësh. Më duhet të rendis si shkaktar kryesor duhanin për të pasuar me abuzimet ndaj alkoolit, ndotja e mjedisit ku jetojmë e punojmë, trashëgimia gjenetike, ekspozimi në rrezet e forta të diellit në stinën e verës, kequshqyerja, konsumimi ushqimeve jashtë standartit dhe faktorë të tjerë. Durrësi si qark ka dhjetra pika të nxehta mjedisore. Lumi Erzen dhe Ishëm janë të mbushur me mbeturina kancerogjene. Në Durrës ka pasur edhe kombinat të kimikateve në Porto Romano, ka djegien e mbeturinave në natyrë, depozitimin në anë të rrugëve e kanaleve të baterive, akumulatorëve të ndryshëm, filtrave, plastikave, bombulave etj. të gjitha shkaktojnë kancer. Nëse dikush abuzon rëndë me duhanpirjen apo përdorimin e alkoolit, me qëndrimin për orë të tëra nën tymin e mbeturinave që digjen atëherë edhe ndëshkimi është fare pranë.

Bardhyl Balteza për ndotjen e mjedisit:

Është e paqartë se si pranohet nga bashkia, komunat dhe ndërmarrjet e ndryshme që mbetjet të digjen në natyrë duke ndotur dhe shtuar rriskun e sëmundjeve të rënda në popullatë. Pushteti lokal hidhet degë më degë dhe kjo nuk i shërben as komunitetit dhe as vet të ardhmes në aspektin ekologjik. Me një llogari të shkurtër u garantoj se me 2.5 milion euro zgjidhet çështja e mbeturinave. Durrësi prodhon mesatarisht 180-250 ton mbeturina në ditë (në verë më shumë, në dimër më pak). 50 % e tyre janë mbeturina inorganike të riciklueshme. Investimin në 2.5 milion euro bashkia apo njësia vendore e nxjerr për jo më shumë sesa 7 vite. Nëse qeverisja vendore ka vullnet mund ta marrë vet përsipër zgjidhjen, ndryshe ia beson privatit.