Durrësi në lojëra merr përmasat e një tempulli kombëtar sportiv. Zemërgjerësia e “Ramazan Njalës” është e tillë që tash e tutje do të presë e përcjellë edhe ekipet e basketbollit të Apolonisë së Fierit. Një qytet i madh i Shqipërisë siç është Fieri, nuk ka ende pallatin e tij të sportit. Fusha e hapur dhe me qymyr është jashtë standartit dhe kategorisht jashtë kushteve teknike për zhvillimin normal të ndeshjeve të sportit të koshit.

Nisur nga kjo mangësi dhe me dashamirësinë e kryetarit të Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako dhe të sekretarit të shumësportëshit durrsak Emiljan Jani, me ndërhyrjen edhe të Bashkisë së Fierit dhe ndërmjetësimin e Federatës Shqiptare të Basketbollit, “Ramazan Njala” është caktuar të jetë vendi pritës i ndeshjeve edhe për ekipet fierake.

Një shans më shumë edhe për tifozërinë durrsake, e cila ka rastin më të mirë që të “ngopet” duke ndjekur ndeshjet e basketbollit. Kujtojmë që vajzat e Apolonisë janë kampione në fuqi të vendit, duke nxitur një klimë të favorshme edhe për Teutën së cilës prej vitesh i mungojnë përfaqësueset femra të koshit.

Figurativisht Durrësi të duket me dy ekipe basketbolli meshkujsh dhe një femrash, e cila tenton të kompesojë sadopak vakumin e krijuar nga mungesa e Teutës në këtë përfaqësim.