Në vitet e regjimit komunist nëntoka e qytetit të Durrësit cilësohej muze, e për këtë qëllim në çdo gërmim që do të bëhej për të hapur themele të reja duhet të ishin të pranishëm arkeologët. Në të njëjtën kohë ndalohej gërmimi me mjete të rënda dhe natën. Një praktikë e tillë zbatohej në ato vite, kur pallatet më të larta ishin 5-6 kate, ndërkohë që tani, kur blloqet e betonit lartësohen edhe mbi 20 kate, askush nuk mund të thotë me siguri nëse ndiqet më rigorozisht kjo proçedurë

Lagja antike tashmë e betonizuar

Shkatërrimi i arkeologjisë, i trashëgimisë kulturore, i dëshmive historike të lashtësisë së një shteti është krimi më i madh që një ose disa breza mund t’i bëjnë trashëgimisë së të parëve të tyre. Neroni dogji Romën për të bërë poezi, Erostrati dogji tempullin e Artemidës në Efes për të hyrë në histori, ndërsa në vendin tonë arkeologjia po shkatërrohet në emër të të ashtuquajturit urbanizim. Në vitet e regjimit komunist nëntoka e qytetit të Durrësit cilësohej muze, e për këtë qëllim në çdo gërmim që do të bëhej për të hapur themele të reja duhet të ishin të pranishëm arkeologët. Në të njëjtën kohë ndalohej gërmimi me mjete të rënda dhe natën. Një praktikë e tillë zbatohej në ato vite, kur pallatet më të larta ishin 5-6 kate, ndërkohë që tani kur blloqet e betonit lartësohen edhe në mbi 20 kate askush nuk mund të thotë me siguri nëse ndiqet rigorozisht kjo proçedurë. Arkeologu i njohur durrsak Fatos Tartari thotë se dhjetëra koleksione private me objekte arkeologjike janë krijuar vitet e fundit falë objekteve të zbuluara gjatë gërmimeve për hapjen e themeleve të pallateve shumëkatëshe.

Sipas tij, shumë njerëz preferojnë të eksplorojnë mes dherave të hedhura nga kamionët e firmave të ndërtimit, për të gjetur dëshmi të trashëgimisë sonë kulturore, që më pas përfundojnë të shitura në tregun e zi ose në koleksionet private të tyre. Shkatërrimin e arkeologjisë  në Durrës, në emër të urbanizimit pa kriter e pati pohuar në një intervistë për “Dyrrah” edhe arkeologu francez, Arthur Miller, kreu i ekipit franko-shqiptar, që prej mëse 10 vitesh merrej me studimin e materialit arkeologjik të zbuluar nga Vangjel Toçi në kodrën e Dautes. Nëse gjatë këtyre viteve të demokracisë do të kishte ekzistuar vullneti i mirë për të ruajtur, për të nxjerrë në dritë dhe për të promovuar objektet antike dhe Durrësin e vjetër që ende fle mbi qytetin modern, qyteti bregdetar pa frikë mund të kthehej në një nga sitet arkeologjike më të rëndësishme në Ballkan e më gjerë. Por masakra që është bërë mbi arkeologjinë nuk kthehet dot mbrapsht. Të hedhësh beton mbi arkeologjinë është veprim prej të marri, të shkatërrosh një pasuri të tërë kulturore në emër të një fitimi afatshkurtër është papërgjegjshmëri totale dhe të mos ngresh zërin ndaj këtij barbariteti modern është fatkeqësi për një qytet të tërë.

Në emër të urbanizimit, të pallateve shumëkatëshe që kanë mbirë si pikat e shiut, janë dëmtuar shtresa të tëra nëntokësore, janë vjedhur, dëmtuar e shkatërruar objektet arkeologjike të gjetura aty. Rastet kur janë deklaruar objektet arkeologjike të gjetura gjatë gërmimeve dhe është bërë modifikimi i projektit (duke nënkuptuar që në të ardhmen ato do mund të jenë të vizitueshme) nuk mungojnë, por gjendja reale në terren dëshmon të kundërtën. Duke qenë se këto objekte gjenden në bodrumet e pallateve përbëjnë një problem më vete për banorët. Marrim psh lagjen 11, ku në njërin prej pallateve shumëkatëshe ku u zbulua mozaiku i svastikës, ujërat e zeza kanë pushtuar gjithë katin e nëndheshëm. Në këtë rast, mozaiku nuk mund të vizitohet, por dhe banorët vuajnë pasojat e ndotjes që nuk ka nevojë për koment. Duke iu referuar disa prej arkeologëve të njohur durrsakë do kishte qenë më mirë që të mundësohej nxjerrja dhe transferimi i objekteve në Muzeun Arkeologjik, sesa të liheshin aty për t’u varrosur sërish. Varrosja e arkeologjisë në Durrës nuk është një term që duhet të na habisë, por është ajo çfarë ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë në pika të ndryshme të qytetit.

Rasti më i fundit është lagjja antike e zbuluar gjatë gërmimeve tek ish-lulishtja “1 Maji”. Blloku i banesave moderne po ngre krye mbi rrënojat e dikurshme, që e panë dritën e diellit vetëm për pak kohë për t’u rivarrosur sërish në mënyrë tragjike nën shtresat e betonit. Kur krahason fotografitë e realizuara gjatë kohës që zbulimi doli në pah, me fotot kur tashmë betoni gri ka mbuluar gjithçka, të vjen keq për këtë papërgjegjshmëri, indiferentizëm apo vërini vetë një emër që ju duket i përshtatshëm për të justifikuar varrosjen e dytë të arkeologjisë. Megjithëse projekti fillestar i paraqitur nga firmat e ndërtimit është modifikuar sipas udhëzimeve të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, që dha lejen për rifillimin e punimeve, duket se varrosja e dëshmive të antikitetit të hershëm është e pashmangshme. Veçse ka dy dallime mes dy varrosjeve. Nëse të parën e bënë shekujt, tërmetet dhe agjentët klimaterikë, këtë të fundit po e bëjmë vetë ne, madje krenohemi me shtatlartësisë e blloqeve gjigande të betonit të ndërtimeve të reja moderne. Asnjë turist i huaj nuk është i interesuar të shohë blloqet e banimit, ata kërkojnë të prekin, të njihen dhe të fotografojnë lashtësinë, objektet e saj.

Më kujtohet këtu shprehja e regjizorit të njohur italian Marco Bellocchio, i cili kur erdhi në Durrës për të prezantuar një prej filmave të tij u shpreh se kryeqyteti ynë, Tirana, nuk ofron për turistët asgjë përsa i përket pikëpamjes arkitekturore dhe objekteve të kultit duke nënvizuar kështu pa dorashka masakrën që po bëhet në qendrat më të mëdha urbane të vendit tonë, ku gjurmët e historisë po shkatërrohen në emër të betonizimit pa kriter të çdo gjëje.


Gjurmë të tre periudhave historike  

Ndërtimet arkeologjike të zbuluara në lulishten 1 maji i përkasin tre periudhave të ndryshme. Më të vjetrat i përkasin periudhës arkaike e më pas vihen re gjurmët e periudhës helenistike, që përfaqësohet nga mure të një cilësie të lartë. E fundit, por jo nga rëndësia, është infrastruktura romake, e cila i ka futur në një rregull gjeometrik rrugët e zbuluara në rreth 4200 metra katrorë. Rrugët sipas arkeologut Gjergj Frashëri formojnë kuadrate shumë të rregullta dhe preçize. Kemi dy pjesë, në pjesën e parë ngjitur me rrugën kemi magazinat dhe dyqanet kurse në pjesën e prapme të shtëpisë kemi vendin ku realizoheshin këto prodhime. Në të gjithë sipërfaqen shihen shumë kanale si dhe dhomëza të izoluara me llaç kundër ujit, të cilat të çojnë të mendosh se aty janë larë prodhime tekstili dhe leshi.