Kjo hapësirë do të funksionojë si muze ku do të ekspozohen të gjitha objektet me vlera arkeologjike të gjetura aty

Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë, pas zbulimit arkeologjik të një rëndësie të veçantë tek vendi ku ngrihej më parë lulishtja “1 Maji” mori vendim vitin e kaluar që aty të rifillonin punimet, pasi u ra dakort me firmën që të bëheshin ndryshime nga projekti ekzistues për të ruajtur strukturën antike që doli në pah dhe për ta bërë më pas atë të vizitueshme. Në varësi të Ministrisë së Kulturës janë një sërë drejtorish, këshillash dhe agjensish që merren me problemet  e arkeologjisë, por një mori kaq e madhe institucionesh duket sikur janë krijuar posaçërisht për t’ia kaluar topin njëra-tjetrës në rastet kur flitet për të marrë mbi vete përgjegjësi për atë çfarë ka ndodhur dhe çfarë po vazhdon të ndodhë me pasurinë tonë arkeologjike, me trashëgiminë kulturore që po dëmtohet në mënyrë të pakthyeshme.

Vërtet Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë e ka parë të arsyeshme që punimet të vazhdonin në këtë kompleks godinash, por ama ajo që qytetarët durrsakë dhe turistët e huaj nuk do mund të admirojnë asnjëherë është forma origjinale e lagjes antike që u zbulua tek lulishtja “1 Maji”. Drejtori i trashëgimisë kulturore Olsi Lafe shpjegon në një intervistë për “Dyrrah” se strukturat arkeologjike do të ruhen “in situ”, për të bërë të mundur vizitimin e mëvonshëm të tyre. Gjithsesi ajo çfarë shihet në fotot që ka shkrepur studenti i apasionuar pas arkeologjisë Irvi Hyka, shtresat e betonit do të dalin më të forta sesa shtresat nëntokësore që i ruajtën deri tani dëshmitë e hershme të Dyrrahut antik.

Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë ka dhënë leje për ndërtimin që po realizohet në lulishten “1 maji” në Durrës, aty ku u zbulua një lagje e tërë arkeologjike. Leja e dhënë konsiston në ngritjen e godinave në të gjithë sipërfaqen apo vetëm në një pjesë të saj?

Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë merr në shqyrtim të gjitha projektet me karakter ndërtimor në zonën arkeologjike B të Durrësit siç është edhe rasti në fjalë. Leja e dhënë parashikon ndërtim jo në të gjithë sipërfaqen, pasi aty është parashikuar të ruhen struktura "in situ "(term nga latinishtja që nënkupton se objekti i zbuluar do të vazhdojë të ruhet dhe të jetë pjesë e ndërtimit final) që nuk do të preken nga ndërtimi i ri. Si rezultat i materialit të pasur arkeologjik vendimmarrja e KKA-së e detyroi investitorin të realizojë ndryshime thelbësore në projektin e ndërtimit me qëllim mbrojtjen e trashëgimisë arkeologjike të zbuluar, që nënkupton që kati i parë do të jetë në funksion të arkeologjisë.

A do të jenë të vizitueshme objektet arkeologjike të zbuluara në këtë zonë dhe si do të realizohet kjo?

Pikërisht kati i parë i objektit do të jetë në funksion të plotë të arkeologjisë dhe publikut. Pas konservimit të strukturave "in situ", kjo hapësirë do të funksionojë si një muze ku do të ekspozohen të gjitha objektet me vlera muzeale të gjetura aty.

Cilat janë kushtet teknike që duhet të respektojë firma e ndërtimit që po punon aty dhe a mbikqyren punimet nga arkeologë apo specialistë të ministrisë?

Firma e ndërtimit duhet të respektojë 100% projektin e ndryshuar të ndërtimit sipas vendimit të marrë nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë dhe i gjithë proçesi i zbatimit të punimeve kryhet nën mbikqyrjen e specialistëve arkeologë të institucioneve në varësi të MTKRS.

Në një pjesë të sipërfaqes kanë hedhur shtat katet e godinës që po ndërtohet. A rrezikojnë këto punime të dëmtojnë sitin arkeologjik?    

Në sipërfaqen ku ndodhet nukli i strukturave arkeologjike "in situ", i cili do të jetë pjesë e muzeut, nuk do të kryhen ndërtime, sipas vendimit të KKA-së. Por kjo sipërfaqe do t’i bashkëngjitet pjesës tjetër të objektit që do të ndërtohet nga subjekti ndërtues dhe do të funksionojë si kati i parë i tij. 

Proçesi i gërmimeve në këtë zonë arkeologjike u realizua nga arkeologu Gjergj Frashëri. A janë spostuar nga zona arkeologjike objekte të gjetura aty dhe nëse po ku janë dërguar?

Gërmimi arkeologjik i shpëtimit është realizuar nga subjekti privat i liçensuar nga KKA-A.K.eR., me drejtues arkeologun Gjergj Frashëri. Objektet arkeologjike të lëvizshme janë restauruar, kartelizuar dhe regjistruar në Qendrën Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore. Ato ndodhen të depozituara pranë DRKK Durrës, ASHA (Agjensia e Shërbimit Arkeologjik). 

Në bazë të ligjit, meqë nëntoka e Durrësit është mjaft e pasur me shtresa arkeologjike, punimet për hapjen e themeleve duhet të mbikqyren nga arkeologë apo specialistë të Trashëgimisë Kulturore. Sa zbatohet aktualisht kjo gjë dhe a janë marrë masa për firmat e ndërtimit që gërmojnë natën?

Në bazë të Ligjit të Trashëgimisë dhe akteve të tjera nënligjore, për ndërhyrjet me karakter ndërtimor në zonën arkeologjike B, jo vetëm në Durrës, kryhen sondazhe arkeologjike paraprake e më pas miratohen nga KKA dhe mbikqyren nga specialistë arkeologë të ASHA dhe DRKK Durrës deri në përfundim të projektit. Që prej krijimit dhe funksionimit të ASHA ka funksionuar kjo praktikë dhe proçedurë pune.