Shumica e të huajve që kanë qëndruar në Shqipëri ose që kanë lidhje me familje shqiptare të emigruara jashtë shtetit, kanë përshtypjen se shoqëria shqiptare është strukturuar sipas një sistemi hierarkik të rreptë. Ky rregull hierarkik – ku figura e “krye” ka një rëndësi parësore – vihet re sidomos brenda familjes, por edhe në botën e punës dhe në marrëdhëniet sociale në përgjithësi, që bazohen gjithmonë në “forcën” (ekonomike, politike ose fizike). Ja përse, që nga rënia e komunizmit dhe megjithë tetë vite të qeverisjes socialiste (1997-2005), Shqipëria jep imazhin e një vendi “të djathtë”, në kuptimin që popullsia është kompaktësisht konservatore dhe tradicionaliste.

Megjithë shpalljet politike mbi barazinë gjinore, në shoqërinë shqiptare është akoma tepër evidente se gruaja është e nënshtruar prej burrit dhe se jeton në një lloj “lirie të kushtëzuar”, në respekt të normave zakonore që as komunizmi, as njëzet vite të tranzicionit nuk i kanë fshirë. Kushtet e femrës janë vlera e parë mbi të cilat përcaktohet dallimi midis “të djathtës” dhe “të majtës”. Pra është e qartë se, nëse femrës i kërkohet të jetë “grua e mirë dhe mama e mirë”, nëse i mohohet mundësia e përvojës dhe pra shtrëngohet në një lloj “papjekurie psikologjike” që zgjat gjithë jetën, dhe nëse puna e femrës është konsideruar vetëm si një mënyrë për të sjellë në shtëpi një pagë të vogël më shumë, shoqëria që imponon këto vlera është sigurisht e djathtë ultra-konservatore.

I njëjti sistem hierarkik gjendet në ambjentet e punës, ku akoma përdoret shumë fjala “shefi” dhe duket se punëtorët dhe nëpunësit janë totalisht të nënshtruar ndaj pronarëve dhe drejtuesve. Është veçanërisht e bezdisshme, në zyra por edhe në rrethe të tjera sociale, që “të ulëtit” i pagojnë kafen apo drekën “të sipërmit”. Distanca ndërmjet “shefave” dhe “vartësve” në botën e punës, marrëdhëniet e ftohta dhe urdhërat arrogantë kujtojnë atë ndërmjet “pronarit” dhe “skllavit”, duke çuar në atë raport feudal midis beut dhe raja që shpresohej të kishte vdekur bashkë me perandorinë osmane. Edhe në sferën e relacioneve sociale, duket tepër mesjetare ndarja midis të pasurish e të varfërish, të fuqishëm e të dobët, me të parët që tregojnë gjithë pushtetin e tyre dhe të dytët që pranojnë situatën pasivisht. Nga kjo vjen klientelizmi, nga kjo vjen që një i shkretë ngrihet në këmbë në shenjë respekti kur kalon politikani i radhës, nga kjo vjen ndarja e shoqërisë në kasta të bazuara mbi peshën ekonomike, mbi pozicionin e punës, mbi “miqësitë e larta”.

Pra jemi përballë një të djathte që luhatet mes një paleokonservatorizmi i llojit “ancient régime” (periudha para Revolucionit Francez të 1979) dhe një të djathte e llojit “sociale”, që i imponon të gjithë shoqërisë sjellje rreptësisht të njëjta. Por këto karakteristika të së djathtës shqiptare e bëjnë atë pak të përputhshme me të djathtat euro-amerikane, të frymëzuara nga vlerat anglosaksone të liberalizmit individual, si edhe me kritere ekonomike në kontrast me ato feudale. Le të shikojmë se cilat eksperienca historike kanë ndikuar në formimin e konservatorizmit shqiptar, duke u nisur nga e vetmja eksperiencë e deklaruar e djathtë e historisë shqiptare: ajo monarkiste.

Eksperienca zogiste: autoritarizmi dhe latifondizmi

Historia politike e mbretit Zog, që për të djathtën shqiptare përfaqëson edhe sot një “periudhë frymëzimi”, është një histori e autoritarizmit dhe e interesave të klasës. Nga kur, në vitin 1922, Ahmet bej Zogolli u bë kryeministër me një lloj vetëshpallje, bajraktari i Matit përfaqësonte gjithmonë një linjë politike anti-demokratike, e finalizuar për të ruajtur një situatë sociale akoma të strukturuar sipas sistemit feudal osman. Në vitin 1928 një asamble kushtetuese kishte quajtur Shqipërinë si “mbretëri demokratike e parlamentare”, por në të vërtetë metoda e qeverisjes zogiste ishte e kushtëzuar nga ambicioni i tij për pushtetin absolut dhe nga praktika feudale të tipit oriental: intoleranca kundrejt rivalëve politikë, mosbesimi ekstrem ndaj të gjithëve, vështirësi në koordinimin e veprimtarisë qeveritare të tij me atë të të tjerëve, pasioni për intrigën jashtëparlamentare, interes i pakët për botën jashtë Ballkanit.

Zog konsideronte stabilitetin politik të Shqipërisë si një i vetëm me konsolidimin e regjimit të tij dhe me mbrojtjen e pushtetit personal të vet, dhe pra interesat reale të vendit kalonin shpesh në plan të dytë. Sigurisht mes ambicieve të Zog ishin modernizimi dhe forcimi i Shqipërisë, por kjo aspiratë për progres dhe për madhështi i ishte nënshtruar qartësisht qëllimit për t'u përjetësuar në pushtet me çdo mënyrë, sipas mentalitetit të sundimtarit absolut që përcjell pushtetin e vet nga babai tek i biri.

Rasti i reformës agrare është emblematik për metodat politike të Zog. Në Shqipëri çështja agrare ishte problemi kryesor kombëtar. Në prag të luftës së dytë botërore bujqësia zinte me punë më shumë se 80% të popullsisë, duke formuar 90% të prodhimit të të mirave të vendit. Vlera mesatare e prodhimit industrial për banor ishte 8 dollarë, kundrejt 20 në Rumani, 60 në Hungari, 260 në Britaninë e Madhe. Tokat e punueshme ishin në duart e më pak se njëqind pronarëve të mëdhenj, të cilët merrnin tre të dhjetat e fryteve të punës së fshatarëve, të cilave i shtoheshin dhurata dhe të drejta të ndryshme. Kjo klasë latifondistësh, që mbante emrin turk të “bejlerëve”, prej shekujsh despotë feudalë të Shqipërisë, nuk investonin në bujqësi, dhe zhvillimi kapitalist në zona rurale mungonte totalisht.

Zog kishte përballë masën e popullsisë së uritur për tokë dhe për drejtësi, por mbi të gjitha duhet të mbante konsensusin e bejlerëve. Gjatë mbretërisë së tij, shpalli shpesh dhe solemnisht një reformë agrare të shpejtë, por ndodhën vetëm ndryshime sipërfaqësore të strukturës së pronës feudale. Në fakt, mbreti vendosi një kufizim të pronësisë mbi tokat e punueshme, ndërsa pjesa tjetër e pronave mund të ishte ruajtur vetëm nëse pronari do ta shfrytëzonte me kritere ekonomike moderne. Rezultati praktik qe ruatja pothuaj totale e pronave të mëdha, sepse pranohej ajo çfarë deklaronin latifondistët mbi aftësitë e tyre të menaxhimit bujqësor. Projekte më radikale të reformave agrare diskutoheshin periodikisht me ekspertë të huaj, por ishte vetëm një mjet presioni mbi bejlerët e mundshëm rebelë dhe, në të njëjtën kohë, një sinjal i “vullnetit të mirë reformues”.

Me këtë situatë, ndoshta nuk duhet të habitemi nëse u arrit në zgjidhjen radikale të komunizmit – dhe duhet kuptuar edhe përse, pas vitit 1990, rikthimi i tokave dhe pronave ka qenë i pjesshëm, për mos të thënë jo ekzistent. Bota moderne refuzon idenë e latifondizmit, i cili konsiderohet si “rentë parazitare”, dhe asnjë e djathtë bashkëkohore nuk frymëzohet nga vlera feudale.

Një vend musliman është “natyrisht” i djathtë

Përveç mentalitetit latifondist, obsesionit për pronën tokë e ndërtim, dhe ndarjes sociale mes bejlerëve dhe raja, perandoria osmane solli me vete edhe kthimin e shqiptarëve në fenë islame. Ky fenomen, që historianët marksistë e kanë shpjeguar me justifikimin ekonomik, është përkundrazi një mekanizëm antropologjik, i bazuar në strukturën sociale të Shqipërisë në Mesjetë. Shqiptarët ishin fise barinjsh dhe kushdo që njeh shoqëritë blegtorale e di mirë se ato kërkojnë një organizim të rreptë hierarkik, qoftë për të mbajtur kompakt klanin, qoftë për të “bindur” femrat për të lindur shumë fëmijë, mundësisht meshkuj. Në fakt, fiset e barinjve janë fise luftëtarësh, qëllimi i të cilëve është ai i zgjerimit të kullotave dhe mbrojtjes së tyre nga fiset e tjera. Fiton kush ka më shumë meshkuj në klan dhe arrin t'i organizojë si një ushtri e vogël, dhe pra duhet një strukturë patriarkale dhe ushtarake. Islami, fe e lindur në një rajon blegtoral si Arabia, përfaqëson legjitimitetin fetar të një shoqërie të themeluar mbi hierarki (sidomos familjare) dhe mbi sjellje sociale kompakte dhe rreptësisht të rregulluara. Ja përse ka patur gjithmonë sukses të madh në zona të populluara nga fise blegtorësh, ndërsa nuk ka arritur kurrë të futet në zona të botës ku praktikohej bujqësia.

Pra Islami përmban të gjitha premisat për një shoqëri të djathtë konservatore, siç tregon edhe simpatia e hapur që vendet muslimane – përfshirë Shqipërinë – kanë shfaqur shekullin e kaluar ndaj regjimeve fashiste e naziste. Nga ana e tyre, diktaturat e djathta europiane admironin organizimin patriarkal të shoqërive islamike, duke i konsideruar ato si “komunitete mashkullore të pastra dhe ideale”, në kundërshtim me një Perëndim “të dobësuar” dhe “të zhburrnuar”, i fajshëm që ishte nënshtruar nga feminizmi dhe nga materializmi konsumist amerikan. Siç e dinë të gjithë, Adolf Hitler kishte marrëdhënie të shkëlqyera me botën islamike dhe ishte mik i ngushtë i Myftiut të Madh të Jeruzalemit, Al Husseini. Në “Testamenti Politik”, Hitler shpjegonte se “Islami dhe Europa kanë të njëjtët armiq: racionalizmi dhe materializmi, obskurantizmi demokratik, ateizmi marksist dhe kapitalist, çifuti shfrytëzues”. Në të njëjtën mënyrë, fashizmi italian investoi gjithçka në vendet muslimane, duke “zgjedhur” si koloni Libinë, Etiopinë dhe Shqipërinë, dhe në 1937 Duce qe nderuar nga nënshtetasit e tij muslimanë me “Shpatën e Islamit”.

Nazifashizmi e kuptonte se popujt muslimanë ishin të vetmit popuj të gatshëm për të pranuar vlerat “burrërore dhe luftëtare” dhe inkuadrimin social hierarkik. Në vendet arabe lindën parti filofashiste, që admironin militarizmin dhe kultin e shefit të propaganduar nga fashizmi. Analisti André d'Alverny shpjegonte se “në nazifashizëm Islami ndien një fuqi; dhe përballë fuqisë ka gjithmonë frikë dhe admirim”. Jo më kot, në Shqipëri pushtuesit fashistë patën bashkëpunim nga ana e klasës së bejlerëve dhe nga majat e Komunitetit Musliman. Sipas italianëve, muslimanët shqiptarë ishin “të parët që kuptonin shpirtin e Shqipërisë së re fashiste”, ndërsa kryet e tyre fetare nënvizonin njëshmërinë e vlerave mes fashizmit dhe Islamit. Kryetari i Komunitetit Musliman, Behxhet Shapati, theksonte se “perandoria fashiste, mike e Islamit, ka ndërtuar xhami dhe ka fuqizuar studimin e doktrinës islamike: lutemi fitore për armët e lavdishme të Italisë fashiste, sepse me triumfin e tyre do të vijë një epokë e re progresi dhe lumturie për të gjithë popujt muslimanë”. Në fakt, fashistët ndërtuan shumë xhami në Shqipëri (ndërmjet të cilave ajo e Durrësit, e përuruar nga gjenerali Jacomoni në 1940) dhe zyrtarë të lartë italianë shkonin më shpesh në xhami sesa në kishë.

Në fund, aspak e skandalizuar nga ekseset e nazizmit gjerman – që admirohej për “autoritarizmin” e tij dhe per fuqinë e tij ushtarake, dhe që kishte çliruar Kosovën nga serbët – klasa drejtuese shqiptare arriti të quante shqiptarët si “arjanët e Ballkanit” (fjalë të Mehdi Frashërit, kryetar i qeverisë kukull gjermane). Pa koment…

Konkluzione

Bashkë me një antikomunizëm të egër, këto eksperienca historike ndikojnë thellësisht votuesin e mesëm të së djathtës shqiptare, i lidhur me vlerat social-familjare vendosmërisht konservatore dhe nostalgjike për një “epokë ari” e supozuar, e përbërë nga gjyshët bejlerë (por sa ishin???) dhe nga “qypat me flori”. Nga ana tjetër, siç nënvizojnë triumfalisht disa analiza të Neë York Times – manifesti zyrtar i të majtës së re botërore – partitë e djathta “që duan të qeverisin” kanë qenë detyruar të pranojnë shumë (pothuaj të gjitha!) vlerat e të majtës “liberal”: nga antinacionalizmi tek europeizmi socialist, nga të drejtat e njeriut tek gay-pride dhe martesat homoseksuale, nga antishtetizmi tek ekologjizmi, me këto energji të gjelbërta të bekuara që janë bërë një dogmë djathtas dhe majtas… Pra, pikërisht siç votuesit e të majtës nuk arrijnë më të njohin veten në partitë “socialidemokratike”, në të njëjtën mënyrë edhe votuesit e të djathtës kanë vështirësi të kuptojnë programet dhe veprimet qeveritare të partive të djathta.

Shoqëria shqiptare është strukturuar sipas një sistemi hierarkik të rreptë, ku figura e “krye” ka një rëndësi parësore. Kjo vihet re sidomos brenda familjes, por edhe në botën e punës dhe në marrëdhëniet sociale në përgjithësi, që bazohen në “forcën” (ekonomike, politike ose fizike). Ja përse, që nga rënia e komunizmit dhe megjithë tetë vite të qeverisjes socialiste, Shqipëria jep imazhin e një vendi “të djathtë”, në kuptimin që popullsia është kompaktësisht konservatore dhe tradicionaliste…