Punimet për zgjerimin e rrugës hyrëse për në portin e Durrësit janë duke ecur me ritme mjaft të ngadalta dhe vonesa të shumta. Kjo për shkak se përgjatë gjatësisë ku do të shtrihet aksi rrugor ndodhen disa objekte në pronësi të institucioneve shtetërore dhe subjekteve private të cilat kanë kontratë me Autoritetin Portual për shfrytëzimin e këtyre sipërfaqeve.

Që në fillimet e ndërtimit të saj, rruga po përballet me vonesa të shumta. Gjurma e rrugës kalon në tre objekte, me të cilat porti ka lidhur kontrata 20 vjeçare. Për këtë shkak duket se vijimi i punimeve do të varet nga kohëzgjatja e proceseve gjyqësore që tre subjekte i kanë ngritur APD-së. Megjithëse më shumë se një muaj më parë autoritetet lajmëruan se më në fund ishte hapur drita jeshile për zgjerimin e rrugës së hyrëse për portin e Durrësit, duket se mbarimi i saj do të zgjatet goxha në kohë.

Problematika

Nga hyrja numër katër e portit ku nis edhe projekti për zgjerimin e rrugës ekzistuese gjendet që prej kohës së regjimit të kaluar një godinë e cila është në varësi të AlbTelekomit dhe përmban makineri dhe pajisje të një rëndësie të veçantë. Trualli i godinës është në pronësi të AlbTelekomit dhe zgjerimi i rrugës në këtë pikë është i pamundur. AlbTelekomit i është kërkuar vite me radhë të largohet, por kërkesa e kësaj kompanie ka qenë kompensimi me një truall tjetër në një vend strategjik brenda portit të Durrësit.

Godina zë një sipërfaqe prej rreth 2 mijë metra katrorë dhe për vijimin e punimeve të rrugës kërkohet prishja e objektit në kohën më të shpejtë të mundshme, pasi ai pengon zbatimin e projektit. Disa metra më tej godinës së parë gjenden muret rrethues të dy kompanive greke të karburanteve, të cilat duhet të ishin larguar 4 vjet më parë nga kjo sipërfaqje.

Zgjerimi i rrugës parashikon shtrimin e asfaltit brenda sipërfaqjes së rrethuar nga këto kompani, të cilat kanë një kontratë 20 vjeçare qeramarrjeje dhe prishja e kontratës i kushton jo pak Autoritetit Portual të Durrësit. Por problemi nuk mbetet këtu, pasi një tjetër objekt bëhet pengesë për rrugën e re. Pak më larg ndodhet një pikë karburanti, pronarët e së cilës e kanë hedhur në gjyq APD-në për prishje të kontratës para afateve të përcaktuara në kontratën dy palëshe vite më parë.

Të tre subjektet private e kanë kaluar çështjen në gjykatë, duke i kërkuar APD dëmshpërblim, në rast të prishjes së kontratave në mënyrë të njëanshme. Megjithëse bëhet fjalë për sipërfaqje toke brenda hapësirave portuale, kontratat mund të zgjidhen vetëm me konsensusin e të dyja palëve ose përmes një vendimi gjykate. Në pamundësi për të vazhduar punimet për rrugën e re, firma Varaku, e cila ka fituar tenderin për zbatimin e këtij projekti, po merret me prishjen e një prej objekteve të ish kantierit detar. Qënia e tij në pronësi të Autoritetit Portual bëri të mundur procesin e prishjes.  

Reagimi i APD

Të ndodhur para një realiteti të tillë titullarët e portit të Durrësit janë përpjekur t’i minimizojnë problematikat e lindura gjatë zbatimit të projektit për rrugën e re. “Albtelekomit i është lënë afat deri në datën 4 janar për të zbrazur magazinën. E dimë që ka pajisje të një rëndësie të veçantë, por pas kësaj date nuk ka më asnjë tolerim. Për kompanitë greke të karburanteve ka një vendim qeverie, i vitit 2007, i cili u kërkon atyre të largohen nga porti i Durrësit, pavarësisht se kanë kontrata qiramarrjeje 20 vjeçare me APD-në.

Murin rrethues do ta prishim dhe do të vijojmë punimet, pavarësisht kërkesave të tyre. Ndërsa për pikën e karburantit që gjendet në zemër të portit, pritet që zgjidhja e kontratës të vijë përmes një vendimi gjyqësor. I kemi shqyrtuar një e nga një, në mënyrë juridike, pretendimet e të gjitha subjekteve që bëhen pengesë për ndërtimin e rrugës dhe në fund do të zbatohet projekti i miratuar, pavarësisht pretendimeve që kanë bizneset”,- tha drejtori i APD-së, Eduard Ndreu i pyetur nga “Dyrrah” për këtë çështje.

Të tre subjektet private e kanë kaluar çështjen në gjykatë, duke i kërkuar APD-së dëmshpërblim, në rast të prishjes së kontratave në mënyrë të njëanshme. Megjithëse bëhet fjalë për sipërfaqje toke brenda hapësirave portuale, kontratat mund të zgjidhen vetëm me konsensusin e të dyja palëve ose përmes një vendimi gjykate

Për këto objekte të lëshuara me qira subjekteve të ndryshme tregtare, bizneset kërkojnë në gjykatë një dëmshpërblim të madh financiar nga ana e APD-së, për shkak të prishjes së njëanshme të kontratës. Për shkak të situatës së krijuar rrezikohet që projekti të mos përfundojë në kohë dhe vonesat të jenë disa mujore.

Në këto kushte firma zbatuese e projektit, pas punimeve që kreu për zgjerimin e rrugës pjesë-pjesë, pothuajse nuk punon më. Zgjerimi i rrugës është kryer në segmente të ndara, aty ku gjurma e rrugës kalon në objektet e sipërcituara nuk është kryer asnjë punim. Nisur nga kjo, firma Varaku i ka vënë në funksion mjetet e saj për prishjen e godinave të ish Kantierit detar, ku po mbledh hekurin e tyre.

Kontratat 20 vjeçare

Megjithëse kanë përfunduar të gjitha afatet kohore, të përcaktuara me vendim qeverie për spostimin e tyre, depozitat e karburantit që ndodhen në Portin detar të Durrësit janë akoma aty duke bllokuar një sipërfaqje të madhe kalate, por duke bllokuar  gjithashtu projektet për vënien në funksion të kalatës lindore të portit të Durrësit. 

Që prej vitit 2009 depozitat duhet të ishin zhvendosur në pontilin  e ri të Porto Romanos, i ndërtuar enkas për to. Por deri tani, me gjithë ndërhyrjen edhe të dy ministrive, përsëri depozitat e hidrokarbureve vazhdojnë të mos lëvizen nga porti i Durrësit. Së fundmi ato po bëhen pengesë për zbatimin në afat të projektit për zgjerimin e portit, zgjerim ky i financuar nga Banka Botërore dhe donatorë të tjerë të fuqishëm. Qeveria Berisha ka marrë vendim në korrik të vitit 2007 për zhvendosjen e të gjitha depozitave me naftë dhe gaz, për t’i transferuar ato në zonën e Porto Romanos, në periferi të qytetit të Durrësit, aty ku ndodhet aktualisht porti i hidrokarbureve.

Sipas vendimit, të vitit 2007 kompanive të hidrokarbureve u lihej afat fundi i muajit dhjetor 2008, pasi procesi i zhvendosjes së depozitave kërkonte kohë dhe para shtesë. Por tashmë kur po mbushen rreth katër vjet që nga skadimi i afatit për zhvendosjen e depozitave të karburantit ato vazhdojnë të qëndrojnë ende aty.

Projekti i rrugës

Në projekt është parashikuar që rruga ekzistuese do të zgjerohet dyfish, duke u bërë me me gjashtë korsi deri në terminalin e trageteve. Ajo do të ketë një gjatësi prej 821 metra linearë dhe në të do të mund të udhëtojnë gjashtë automjete njëkohësisht. Në projekt është parashikuar edhe ndërtimi fillestar i një rruge të re që i drejton automjetet e interesuara drejt kalatës lindore, ndërsa siguron një shesh parkimi të përkohshëm për të gjithë automjetet që nuk kanë prenotuar paraprakisht lundrimin me tragete. Pika e kontrollit të automjeteve në pjesën jugore të portit do të rindërtohet sipas standarteve të reja rreth 130 metra larg vendit ekzistues, brenda territorit portual. Punimet për këtë projekt po kryhen nga firma “Varaku”, e cila ka fituar tenderin e zhvilluar kohë më parë. Në bazë të kontratës punimet duhet të përfundojnë 6 muaj pas fillimit të tyre.