Pjesa dërrmuese e pushuesve që popullojnë bregdetin e Durrësit janë nga Kosova. Për këtë arsye nuk mund të mungonin edhe bizneset e ngritura nga shtetasit kosovarë, klientela e të cilëve është kryesisht nga qytetet nga e kanë origjinën. “Lidhja e Prizrenit”, “Drenica”, “Kalaja e Tetovës”, “Mitrovica”, “Gjakova”, “Prishtina” etj, janë vetëm disa prej lokaleve të administruar nga biznesmenë kosovarë. Silzen Muçaj, pronar i njërit prej këtyre lokaleve nënvizon si fakt shqetësues konkurencën e pandershme, e cila u prish punë bizneseve të ligjshme që paguajnë rregullisht taksat. Ajo që të bën përshtypje me këta pronarë lokalesh është fakti se pjesa më e madhe e tyre e kanë zgjeruar aktivitetin dhe kanë investuar për t’i garantuar klientelës një shërbim sa më cilësor.

Cila ka qenë arsyeja kryesore që zgjodhët Durrësin për të ushtruar aktivitetin tuaj?

Fillimisht shtytja ka qenë thjesht motivi patriotik. Kështu ka ndodhur me të gjithë ne që kemi ardhur nga Kosova e Maqedonia. Të gjithë kemi pasur një mall dhe një dëshirë për të prekur tokën shqiptare dhe për të punuar këtu. Për të parën herë kam ardhur në Shqipëri në vitin 2000. Ashtu si shumë kosovarë qëllimi im ishte të shikoja këtë vend e të takohesha me shqiptarët. Vizitova disa qytete, në mesin e tyre edhe Durrësin. Pasi u ktheva në shtëpinë tonë nisi të diskutohej nëse do të kishim ndonjë mundësi për të hapur një lokal diku në Tiranë a në Durrës. Kështu, pasi u debatua mirë e mirë u vendos. Erdhën në Durrës edhe për një arsye tjetër, këtu bëhet plazh dhe ishim të sigurt se do të vinin shumë kosovarë. Kështu ndodhi, pushuesit më të shumtë këtu janë nga Kosova dhe Maqedonia. Hapëm këtë lokal të cilin e kam edhe sot.

Krahasuar me periudhën kur e hapët për herë të parë, fitimi është më mirë apo në ato nivele? Po klientelë keni si më parë?

Kur e hapëm aktivitetin nuk kishte kaq shumë lokale. Por edhe pushuesit ishin më të paktë. Unë mendoj se numri i pushuesve ka ardhur duke u shtuar. Duhet bërë një dallim. Sot dëgjojmë se ka më pak pushues dhe se fitimi ka rënë. Prej dy vitesh kosovarët kanë ndërruar disi edhe mënyrën e të pushuarit. Këtë ua mundësoi rruga e Kombit Durrës-Kukës-Prishtinë. Kosovarët vijnë të premten pasdite a të shtunën herët dhe qëndrojnë deri në orët e para të së hënës. Për 2-3 orë je në Prishtinë dhe ikin herët për të zënë punën. Kështu bëjnë qindra vetë. Edhe unë nuk kam atë fitim që kisha më parë. U hapën shumë restorante, akullore, piceri, byrektore dhe detyrimisht që fitimi do të ndahet jo më mes pak lokaleve, por shumë lokaleve. Unë besoj se ka më shumë pushues.

Ju jeni në konkurencë me njëri-tjetrin. Ndiheni të pasigurtë nga konkurenca e pandershme?

Nuk më takon mua të them se sa lokale janë pa letra, që na konkurojnë në kushte të pabarabarta. Ne punojmë me letra të rregullta, paguaj të gjitha detyrimet. Pastaj kemi për të paguar edhe qeranë e cila nuk është pak. Për 3 muaj unë i jap të zotit të lokalit 5 milion lekë qera. Bëni vet llogarinë se si nis dita e punës, se sa lekë duhet të bëj xhiro në ditë për të mbuluar qeranë dhe më pas për të punuar për vete. Këto lokalet pa letra nuk paguajnë asgjë dhe afrojnë ushqime e asortimente të pagarantuara. Ne punojmë me librezë shëndetësore, me faturë të ujit e të dritave, me mandate arkëtimi të taksës. Ata as njërën e as tjetrën. Duhet më shumë kontrolle. Kjo jo vetëm që do të krijonte barazi në punë, por edhe garanton pushuesin për cilësinë e ushqimit që konsumon.


 

Problemet

Në Plazhin e Durrësit është zgjidhur furnizimi me ujë të pijshëm e me energji elektrike. Për disa vite këto ishin dy pikat më problemarike. Veç tyre higjena është shumë më mirë se më parë, ashtu si dhe rendi e qetësia gjatë gjithë sezonit, ditën e natën, në lokale, disko e bregdet. Me investimet që janë bërë është përmirësuar përgjithësisht infrastruktura rrugore dhe ka më shumë pemë e gjelbërim. Megjithatë kanë mbetur ende pa u zgjidhur jo pak probleme. Pushues e tregtarë ankohen për një sërë gjërash. Kështu trotuaret bllokohen që në orët e para të mëngjesit duke sjellë vështirësi lëvizje për pushuesit dhe për lokalet të cilat nuk kanë se si të realizojnë furnizimin. Trotuaret janë zënë edhe nga tregtarët ambulantë, të cilët sjellin bezdi të mëdha dhe një imazh aspak të mirë për zonën turistike. Trotuaret kanë nisur të bëhen objekt bisede edhe për një fenomen që ka nisur të manifestohet shumë gjatë këtij sezoni.

Bëhet fjalë për kambistët. Janë të shumtë pushuesit që nuk e njohin mirë lekun ndaj këmbyesit e valutës e shfrytëzojnë duke u deklaruar saktësisht se me sa lekë këmbehet një dollar a euro, ndërsa në dorë u lënë më pak para se ç’u takon të marrin. Nga Ura e Dajlanit deri tek rezidenca presidenciale është rritur ndjeshëm prania e kambistëve në rrugë. Realisht këmbimi valutor nuk lejohet në rrugë, por policia nuk ka bërë asnjë përpjekje për ta ndaluar. Si për të mos u mjaftuar me këto dukuri të përditshme, pushuesit kanë nisur të ankohen për rastet e vjedhjeve apo grabitjeve të dhunshme nga ana e hajdutëve. Adoleshentë, por edhe të rritur, u marrin pushuesve nga duart çantat dhe u heqin varëset e sendet e tjera të kushtueshme nga dora, qafa, veshët. Vjedhja e bizhuve në formë të tillë rrit pasigurinë dhe ndikon në uljen e numrit të pushuesve.