29nëntor 2015 – Nostalgjikët e kohës së monizmit morën pjesë në cremoninë e sotme me rastin e 29 nëntorit, me foton e Enver Hoxhës. Njëri prej tyre kishte shkëputur një faqe gazete të dikurshme, që pasqyronte një shkrim me fotografinë e “komandantit që bëri epokën”. Ata ishin të pranishëm në ceremoninë e zhvilluar nga pushteti vendor me rastin e 71-vjetorit të çlirimit të vendit.

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, u shfaq në ceremoni pas kthimit nga Kina, duke vendosur kurora me lule në Mauzoleumin e Dëshmorëve. Bashkë me të edhe deputetja Klodiana Spahiu, prefekti Roland Xhelilaj, kreu i qarkut Alfred Mullaraj, veteranë, drejtues të tjerë të pushtetit vendor dhe shumë qytetarë durrsakë.

Të gjithë të pranishmit kanë parakaluar përpara pllakave përkujtimore të heronjve dhe dëshmorëve të Durrësit dhe veteranët kanë sjellë në vëmendje kujtimet e tyre për këta njerëz që dhanë jetën e tyre për liri.

Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako u shpreh se në 29 nëntor gjithë Durrësi dhe vendi ynë kujton dhe nderon ata që e deshën aq shumë këtë vend sa dhanë jetën e tyre për të.

/portal DurresLajm/