28 nëntor 2015 – Dy gra, banore të Durrësit arrestohen në flagrancë duke vjedhur në një supermarket.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme në lagjen nr. 7 në Durrës, fare pranë Drejtorisë së Policisë. Dy gratë, emrat e të cilave nuk bëhen ende të ditur, kanë sfiduar kamerat e supermarketit, por dhe vendndodhjen pranë policisë, dhe kanë vjedhur produkte ushqimore dhe detergjente. Ato janë pikasur nga punonjëset e supermarketit, të cilat kanë njoftuar menjëherë policinë. Me të mbërritur uniformat blu në vendngjarje, dy grave u janë vënë prangat në flagrancë.

Aktualisht, efektivët e policisë janë duke i marrë në pyetje gratë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Po kështu, është duke u shqyrtuar dhe jeta e tyre sociale, nëse nuk kanë mundësi ekonomike për të ushqyer fëmijët në shtëpi. Ndërkohë, në polici po kryhen procedurat hetimore.

Paraprakisht, për “DurrësLajm” u bë me dije nga policia se në çantat e grave u gjetën shishe vaji, sheqer, makarona dhe shampo.

/K.H. portali DurresLajm/