27nëntor 2015 – Që Shqipëria ka ushtarët e saj që luftojnë për ISIS këtë e kanë konfirmuar vetë ata me pamje apo familjarët që kanë lënë këtu. Çdo ditë e më tepër dalin fakte tronditëse për ta, ku më i fundit lidhet me dyshimet se shqiptarët po vrasin njëri-tjetrin në Siri. Almir Daci, i riu nga Pogradeci që lufton për ISIS dhe që u shfaq ne video duke kërcënuar Shqipërinë, dyshohet të ketë urdhëruar vrasjen e një shqiptari që shkoi në Siri për të luftuar përkrah tij. Bëhet fjalë për Shkëlzen Dumanin, me origjinë nga Dibra, i cili iku në Siri në vitin 2013 bashkë me dy fëmijët e tij 9 dhe 11 vjeç.

Shërbimi Informativ Shtetëror ka përgjuar telefonatat e disa personave që gjenden në Shqipëri, me të cilët komunikon Almir Daci dhe anëtarët e grupit që ai drejton në Siri. Në këto telefonata, që prej vajtjes së Shkëlzen Dumanit, flitej për një shumë parash që ai kishte me vete. TvKlan bën të ditur se, burime të SHISH kanë mësuar se, Dumani kishte marrë me vete paratë e shtëpisë që kishte shitur, rreth 50 mijë dollarë. Nga përgjimet kuptohet se grupi i shqiptarëve të drejtuar nga Almir Daci nuk e ka mirëpritur Dumanin dhe po planifikon për t’i marrë paratë. Pas këtyre bisedave nuk është folur më për të riun me origjinë nga Dibra dhe më vonë u raportua se ai u vra gjatë luftimeve përkrah ISIS.

Përgjimet kanë zbuluar gjithashtu se Almir Daci është vënë tashmë në komandën e shqiptarëve që gjenden në Siri dhe po rivalizon kosovarin Lavdrim Muhaxheri, i cili, në hierarkinë e ISIS ka gradë më të lartë dhe është më i besuar tek drejtuesit e Shtetit Islamik.

/portali DurresLajm/