27 nëntor 2015 – Nuk është fjala për punë vullnetare në pastrimet e ambienteve të përbashkëta në lagje, por në institucionet kryesore vendore. Prej fillimit të këtij viti, punonjësit e administratës vendore nuk njohin më orare zyrtare në punë, dhe ç’është më e keqja, nuk paguhen as për orët shtesë, apo ditët e punës në raste festash zyrtare, që konsiderohen pushim. Administrata e Tatim Taksave në Durrës, administrata e OSHEE-së, policia e rendit dhe qarkullimit rrugor, dhe ndonjë institucion tjetër, kanë hequr nga kalendarët ditët ku shkruhet me të kuqe. Tek tatimet çdo ditë e javës fillon në orën 8:00 të mëngjesit e përfundon në 20:00 të mbrëmjes. Asnjë punonjës nuk mund të largohet para kësaj ore, dhe nuk paguhen as për orët shtesë. E njëjta gjë po ndodh me të gjithë punonjësit e tjerë, madje as ditët e diela nuk janë më pushim. Në rast se ndonjë punonjës do të kërkojë të drejtat sipas kodit të punës, rrezikon të hiqet nga puna në rastin më të mirë, e në rastin më të keq, është i hequr nga puna.
Punonjësit e policisë të rendit, Komisariatit e të Krimeve prej ditësh janë në gatishmëri, për shkak të sulmeve terroriste. Edhe ata janë në detyrë më shumë se 12 orë në ditë, shërbime në të gjithë qytetin. Policët shprehen se asnjëherë nuk u janë paguar orët shtesë, për gatishmërinë. “Po na kthejnë në kohën e komunizmit, ku punonjësit nuk e ngrinin zërin, ku nuk mund ta ngrije zërin sepse kërkonin punë vullnetare. Edhe tani po ndodh e njëjta gjë. Në punë na mbajnë pa të drejtë, dhe të mos hiqemi nga puna, ne durojmë gjithçka”, thonë punonjësit që nuk duan të identifikohen. Ata thonë se nuk ka asnjë urdhër të shkruar apo nuk firmosin askund, që punojnë nga 12 orë në ditë, apo që dalin në punë ditët e pushimeve. “Nuk na paguajnë dhe në kohë krize po durojmë gjithçka, për të çuar rrogën në shtëpi, se mbetemi pa punë”, thonë punonjës që nuk duan të identifikohen.
/K.H. portali DurresLajm/





