11nëntor 2015 – Alarm në shkollat e Durrësit. Në ciklin parauniversitar konstatohet se këtë vit kanë lënë bankat e shkollës dhe janë larguar si azilantë drejt Gjermanisë, deri në fund të muajit shtator 716 fëmijë.

“Në relacionet e tyre, drejtuar Drejtorisë Arsimore, shkak i braktisjes së shkollave nga fëmijët është largimi si azilantë në Gjermani apo vende të tjera të BE-së, me kërkesa ekonomike dhe sociale”, konfirmon drejtoresha e Arsimit në Durrës, Liljana Cani. Më tej numërohen shkollat e tjera: 48 nxënës në shkollën “Qemal Mici”, 35 në “Marie Kaculini”, 44 në shkollën e re të ish-Kënetës, nga shkolla “Bajram Curri” në Plazh 53 nxënës rezultojnë të larguar, nga fshati Vadardhë 20 fëmijë etj. Veç shkollave 9-vjeçare, fenomeni i largimit të nxënësve ka qenë dhe në shkollat e mesme.

Një prej tyre “Leonik Tomeo”, ku numërohen dhjetëra nxënës të ikur drejt Gjermanisë. Fluksi më i madh ka qenë gjatë muajve të verës, çka u vërejt menjëherë në shtator, kur nisi viti i ri shkollor 2015-2016.

Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria Arsimore e qytetit bregdetar, mësohet se vetëm gjatë muajit tetor janë rikthyer 120 nxënës. Ministria e Arsimit më një shkresë zyrtare, e cila mban vulën e sekretarit të përgjithshëm të saj, Plarent Ndreca, u kërkon të gjithë drejtuesve të shkollave që pavarësisht se në çfarë periudhe kthehen nxënësit, ata duhet të regjistrohen në shkollë, në klasën e tyre të vjetër.

Numrin më të lartë të të larguarve e ka shkolla “Qemal Mici”, në lagjen nr.16, me plot 48, ndërsa gjatë ditëve të fundit 7 nxënës janë rikthyer në shkollë.

/portali DurresLajm/