* “Marie Kaçulini” mban rekordin, banjat bllokohen, era e rëndë në korridor…
* Prindërit: Ku shkojnë 10 mijëlekëshat që mbledhin nga fëmijët?
10 nëntor 2015 – Disa prej shkollave 9-vjeçare në Durrës janë mbipopulluar në krahasim me të tjerat. Dhe aty ku ka mbipopullim, problematika në infrastrukturë shfaqet me të gjitha karakteristikat e saj.
Shkolla 9-vjeçare “Marie Kaçulini” në qendër të Durrësit pranë pallatit të sportit është një prej shkollave më të vjetra, më të frekuentuara e me numrin më të madh të nxënësve që mësojnë aty. Mban rekordin në Durrës me 1116 nxënës të regjistruar.
Por në këtë shkollë, jo vetëm që nxënësit pothuajse në të gjitha klasat janë nga tre në bankë, por nuk janë në funksion as tualetet publike. Prindër të fëmijëve dhe nxënës që mësojnë aty, jashtë kamerës tregojnë se tualetet janë bllokuar, ndërsa fëmijët shpesh shikojnë edhe minj në korridoret e shkollës dhe në oborre, duke u frikësuar dhe mbetur ky fragment në kujtesë. Të hysh e të dalësh në këtë shkollë, është një mundim i madh. Fëmijët hyjnë e dalin direkt në rrugë, në një rrëmujë e kaos në mes të makinave që qarkullojnë pa ndërprerje.
Ankohen prindërit: Në shkollë ka dhe minj, fëmijët të tmerruar
“Kjo shkollë ka shumë probleme, se fëmijët shikojnë minj, banjat i mbajnë kyçur me çelësa, sepse janë bllokuar. E keqja është që edhe kur janë hapur, për 1200 nxënës dy banja janë, është tmerr”, thotë një prind.
“Të dalin e të flasin drejtuesit e shkollës, nëse këto që thonë prindërit nuk janë të vërteta. Të reagojnë, duke rregulluar klasat, duke blerë banka e duke rregulluar banjat e bllokuara se do të shpërthejë verdhëza në shkollë te fëmijët. Të turnit të dytë janë edhe më keq, sepse errësohet. Nuk gjemë fëmijët në darkë, na humbasin nga sytë”, thonë prindërit e shqetësuar.
Kjo shkollë është ndërtuar që në kohën e pushtimit italian, dhe prej së paku një dekade është kërkuar rikonstruksioni i shkollës, por deri tani nuk është vënë dorë. Rikonstruksionet kanë qenë sipërfaqësore dhe ndërhyrjet e bëra nuk kanë qenë eficente.
/K.H. portali DurresLajm/