Nga Vilma Hodo
6 nëntor 2015 – Ndërsa ekonomistët prej vitesh artikulojnë rëndësinë fort të madhe të patriotizmit ekonomik, të asaj që me fjalë të thjeshta e kemi dëgjuar si “të blerit shqip”, skenat shqiptare kanë nevojë gjithmonë e më shumë për autorë dhe dramaturgë shqiptarë. Temperatura e lartë patriotike në raste ngjarjesh të rëndësishme sportive nuk duhet të ngelet vetëm për të tilla ngjarje. Ashtu si ekonomistët kërkojnë që shpirti ynë i elektrizuar prej patrioti të kanalizohet edhe në patriotizmin ekonomik, ashtu edhe skenat tona kanë nevojë për histori shqiptare, për vepra të cilat na përfaqësojnë, për personazhe që kanë jetuar dhe përballuar furtuna sistemesh dhe sfida ekzistenciale, për ngjarje që eksplorojnë të shkuarën tonë të pasur dhe të tashmen që jetojmë me gjithë kompleksitetin e saj.
“Patriotizmi kulturor”, vëmendja dhe mbështetja e vazhdueshme e autorëve dhe dramaturgëve shqiptarë nuk duhet të mbetet vetëm një çështje shifrash, duhet të jetë një çështje tek e cila vlen të investohet vëmendje, kohë, interes, para dhe projekte. Më së shumti ata që kanë përgjegjësi kulturore, duhet të investojnë potencialin e tyre artistik dhe intelektual për mbështetjen e autorëve dhe dramaturgëve shqiptarë. Kultura është shtylla kurrizore e një kombi dhe ruajtja e identitetit kulturor është sfidë e madhe. Ekonomistët argumentojnë se “patriotizmi ekonomik”, “të blerit shqip” ul importet, përmirëson balancën tregtare dhe për pasojë dhe rritjen e GDP-së, ndërsa një skenë që ngjit vepra të autorëve dhe dramaturgëve shqiptarë kontribuon në ruajtjen e identitetit kulturor.
Fton publikun të emocionohet me personazhe të cilët janë më së shumti të ngjashëm me të, fton një publik të ri të njohë dhe të hedhë dritë mbi të shkuarën ku kanë jetuar gjyshërit dhe stërgjyshërit e tij, mban gjallë memorien e një kombi për mos përsëritur gabime të së shkuarës duke frymëzuar ecjen para dhe optimizmin për ta përmirësuar çdo ditë vendin ku jetojmë dhe ku duam të rrisim fëmijët tanë. Jo rastësisht dua të ripërmend ruajtjen e identitetit kulturor. Identiteti kulturor gjithmonë e më shumë na vlen kur prezantohemi në konkurse dhe festivale ndërkombëtare. Kur prezantohemi jashtë vendit më së shumti e kuptojmë që vlerat tona të vërteta janë ato që na identifikojmë si popull. Identiteti ynë kulturor do jetë ai që do spikasë dhe do lërë mbresa nëse vlen. Në festivale ndërkombëtare, origjinaliteti ynë, autenticiteti i veprës shqiptare do të jetë momenti ynë i artë krahas vlerave dhe nivelit artistik të tij.
Skena e teatrit “Aleksandër Moisiu” ndoshta edhe pse drejtohet nga një autor dhe dramaturg i vlerësuar nga Z. Bashkim Hoxha, ka pasur një ndjeshmëri dhe vëmendje ekskluzive për veprat e autorëve dhe dramaturgëve shqiptarë. Këtë fundjavë në datat 7 dhe 8 nëntor ora 19.00, në skenën e këtij teatri të dashur nga spektatori durrsakë por edhe ai i Tiranës do të ngjitet shfaqja.
“Vallëzimi i fundit”. Regjisori dhe autori i saj është i mirënjohuri Erand Sojli. Erand Sojli pas shfaqjes emocionuese “Radio Iliria” si regjisor dhe bashkautor me Iris Sojlin, prezantuar në Teatrin Kombëtar dhe në të tjerë teatro të Kosovës dhe atij të Elbasanit sjell për publikun shfaqjen “Vallëzimi i Fundit”. Shfaqja ngjitet në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës pas premierës së saj në teatrin “Skampa” Elbasan. Erand Sojli e ka shkruar këtë vepër para 14 vitesh, por si çdo krijim i cili do kohën dhe momentin e duhur të prezantohet edhe “Vallëzimi i Fundit” mori jetë për të marrë vlerësimin nga publiku i cili është shijuesi dhe vlerësuesi më i mirë i çdo produkti artistik. Shfaqja “Vallëzimi i fundit” na fton të jemi dëshmitarë të një kohe kur arroganca, paraja dhe injoranca kanë manipuluar çdo lloj besimi. Por dashuria është i vetmi ilaç që mund ta shpëtojë njeriun. Loja e aktorëve është e drejtuar drejt komedisë, kasti i përzgjedhur i aktorëve kanë punuar me përkushtim duke vendosur shpirtin në shfaqen “Vallëzimi i Fundit”.
Kastriot Shehi, Rina Narazani, Hysen Mullajonuzi, Antoneta Doka, Dhimitër Topuzi dhe Mario Elezi janë kasti i aktorëve që do të ngjiten në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në datat 7 dhe 8 nëntor (të shtunë dhe të diel) ora 19.00.
Që skena e teatrit “A. Moisiu” është skena jo vetëm e shumë autorëve dhe emrave të rëndësishëm të dramaturgjisë botërore, por edhe e autorëve dhe dramaturgëve shqiptarë, fakt janë veprat e rëndësishme nën regjinë e Driada Dervishit ku vlen të veçojmë ndër të tjera veprën e Bashkim Hoxhës “Hotel Ballkan”, vepër e cila është përkthyer dhe botuar dhe në SHBA.
Vepra “Dy vëllezër e gjysmë” është një tjetër vepër nga autori dhe regjisori i nderuar Z. Gjergj Vlashi nën regjinë e Driada Dervishit. Një tjetër vepër me rëndësi për memorien tonë e cila ka në qendër të saj një personazh kompleks dhe të vështirë, një ish-punonjës i sigurimit, i cili hedh dritë mbi një të shkuar me të cilën kemi ende çështje të pazgjidhura. Është vepra e Z.Bashkim Hoxha drama “Këtu vallëzohet me hijet” e vënë në skenë një vit më parë në teatrin “Aleksandër Moisiu”. Një vepër i lë vendin tjetrës ashtu si personazhet i lënë radhë njëri-tjetrit që të frymojnë dhe jetojnë në skenë. Pikërisht në skenën e dashur dhe me histori 62-vjeçare të teatrit “Aleksandër Moisiu” po punohet ndërkohë për një vepër të rëndësishme.
Prej thesarit të çmuar të letërsisë të Z.Ismail Kadare dhe veprës së tij shumë dimensionale, romanit “Kush e solli Doruntinën”, regjisori Laert Vasili po punon për ta shndërruar veprën në një shfaqje teatri. Të kesh në laboratorin krijues një lëndë si vepra e Kadaresë nuk është e lehtë, por puna dhe potenciali artistik i gjithë trupës, i përzgjedhur për realizimin e shfaqjes është domethënës. Dy figura të nderuara të teatrit dhe kinemasë shqiptare janë ftuar nga teatri “Aleksandër Mosiu” dhe regjisori Laert Vasili për të qenë pjesë e rëndësishme e këtij projekti.
Zonja Yllka Mujo dhe Z.Bujar Lako do të ngjiten së shpejti në skenën e “Aleksandër Moisiu”-t së bashku me trupën e aktorëve të këtij teatri, të cilët pas një sezoni veror të suksesshëm me çmime dhe pjesëmarrje në Festivale Kombëtare dhe Ndërkombëtare, vazhdojnë t’i japin shpirt nga shpirti i tyre personazheve që duartrokiten nga publiku.
/portali DurresLajm/