6 nëntor 2015 – Në rrugën ku humbi jetën 16-vjeçari Stilian Latifi, një tjetër banor ra në gropë e mbeti invalid.

Një 16-vjeçar humbi jetën mbrëmjen e vonë të 27 janarit të 2015-s gjatë një aksidenti automobilistik, në rrugën “Petrit Llaftiu” në periferi të Durrësit. Ishte gjimnazisti Stilian Latifi, pasagjer në automjetin tip Benz me targa AA 353 JM që lëvizte me shpejtësi në rrugë dhe goditi nga pas një trajler. Si pasojë e përplasjes, gjeti vdekjen pasagjeri i automjetit Benz, Stilian Latifi.

9 muaj më pas, në të njëjtën rrugë situata është edhe më katastrofike. Babai i Stilianit, zemërthyer, sërish udhëton në të njëjtën rrugë. Ai është shofer i një furgoni që transporton fëmijët e shkollës nga zona e ish-Kënetës në Durrës dhe anasjellas.

“Rruga është bërë gërmadhë. Është gërmadha që na ka lënë peshqesh prej 5 vjetësh bashkia e Durrësit. Kjo rrugë më ka marrë njeriun më të shtrenjtë, djalin e vetëm. Po të ishte rrugë e rregullt, e në gjendje të mirë, djali im do të ishte sot në shkollë, e do të gëzonte jetën i gjallë. Tani problemi është: sa të tjerë rrezikojnë të ikin se kanë mbetur hapur gropat në mes të rrugës nga 2 metra të thella e tre metra të gjera, pa përmendur pusetat”, është apeli i prindit zemërthyer.

Segmenti rrugor shërben për një komunitet të gjerë të zonës së ish-Kënetës, lagjes numër 17 dhe universitetit të Durrësit. Në këtë rrugë kalon çdo ditë linja urbane e zonës dhe një numër i lartë automjetesh. Për të mbuluar gropat e thella në mes të rrugës, llucën e dimrit dhe pluhurin e verës, bashkia nisi para zgjedhjeve të 21 qershorit punën për rikonstruksionin e rrugës. Pak ditë u panë në rrugë mjetet e rënda dhe banorët kujtojnë se me premtimin e bërjes së rrugës, kreu i bashkisë mori në masë votat e popullit në këtë zonë.

Por çfarë ka ndodhur më pas?

“Sapo mbaruan zgjedhjet, rrugën e lanë në mes. Ikën punëtorët jetët, ikën u zhdukën. Na lanë gropat dy metra të thella hapur, ku bien njerëz e makina, çdo natë. Ra një banor i zonës natën me biçikletë, dhe ka mbetur sakat. Mori traumë të rëndë, se këtu nuk shikohen gropat që janë hapur, bie brenda, dhe vetëm në mëngjes të gjejnë”, thotë një banor I zonës.

“Taksa dhe tatime do shteti. Nuk kanë lënë biznes pa kasë fiskale, nuk kanë lënë makinë pa dokumente. Po rrugën nuk e bëjnë. Ku është premtimi i dhënë për zgjedhje, se do të bëjë rrugën? Të mbajnë premtimin, nuk duam asnjë gjë tjetër”, thotë një shofer, banor po në këtë zonë.

/K.H. portali DurresLajm/