4nëntor 2015 – Në qytetin e Durrësit ditët e fundit është vënë në zbatim nga autoritetet kërkesa e personave me aftësi të kufizuara, që në zona të caktuara të lihet hapësirë për makinat e tyre.

Edhe pse të rralla, gjithsesi është parë si mundësi e mirë nga ana e personave që i përkasin kësaj kategorie, (paraplegjikë/tetraplegjikë) që ta kenë të lehtë parkimin e mjetit të tyre, të përshtatur për qarkullim.

Por, askush nuk po e respekton këtë vendim. Ndonëse tabelat janë të vendosura në çdo vend të përcaktuar për këtë kategori, siç duket edhe nga fotot, shoferët “e aftë fizikisht” nuk i kanë vlerësuar.

Përfaqësues të PAK, nga ana e tyre, bëjnë apel që pronarët e makinave të respektojnë tabelat dhe të sensibilizohen karshi personave invalidë.

Tabelat janë vendosur ditët e fundit në këto zona: Bulevardi Epidamni, rruga Aleksander Goga dhe rruga e Gjykatës. Policia rrugore ka nisur aksionin dhe për shoferët që i parkojnë makinat në zonat e caktuara për invalidët, duke gjobitur rastet flagrante.

/portali DurresLajm/